Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, paraqiti në seancën e radhës plenare, Aktin Normativ të ndryshimit të Buxhetit, i cili parashikon një shtesë fondi prej 2 miliardë lekë, për Fondin Rezervë, me destinacion blerjen e vaksinave anti-Covid 19.
Gjatë fjalës së saj Ministrja Denaj vlerësoi, se vaksinimi do të vijojë të mbetet një nga prioritet e deklaruara të Qeverisë Shqiptare. Rrjedhimisht, për të arritur imunizimin e të gjithë popullatës së vendit, objektivi ynë i përbashkët mbetet vaksinimi i 2.2 milionë qytetarëve shqiptarë, për të cilët nevojiten 4.4 milionë doza vaksina.
“Deri më sot Qeveria Shqiptare ka nënshkruar kontrata për sigurimin e 2.2 milionë dozave të vaksinave, doza të cilat janë në përdorim dhe në proces të vaksinimit të popullatës. Megjithatë, për përmbushjen e objektivit të imunizimit ndaj Covid-19 kërkohen dhe 2.2 milionë doza të tjera vaksine, tha Denaj, duke shtuar, se e përkthyer në vlerë monetare, bazuar në çmimet e vaksinave, kjo nënkupton një financim shtesë për 2 miliardë lekësh të dedikuar për blerjen e vaksinave”.
Qeveria Shqiptare pranoi propozimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për të alokuar buxhetin e nevojshëm në rezervën e buxhetit të shtetit, në përdorim sipas nevojës për çdo zhvillim në vijim.
Duke iu referuar performancës së treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën 3 mujore (Janar – Mars 2021), Ministrja Denaj, tha se është reflektuar një ecuri pozitive në arkëtime dhe shpenzime. Kështu bazuar në vlerësimet mbi ecurinë e deritanishme të treguesve të buxhetit 2021, si edhe pritshmërinë e performancës së tyre deri në fund të vitit 2021, ky akt normativ përcakton vetëm një ndryshim kyç i cili ka të bëjë me shtesën me 2 miliardë lekë në Fondin Rezervë të Këshillit të Ministrave, me qëllim përballimin e shpenzimeve të blerjes së vaksinave gjatë vitit 2021, si edhe të shpenzimeve të tjera eventuale të qeverisë qe lidhen me pandeminë e Covid-19. Shtesa në të njëjtën masë, pra 2 miliardë lekë është parashikuar dhe në zërin e të ardhurave tatimore, të cilat balancojnë ndërhyrjet në buxhet, por nuk prekin parametrat kyç makro-fiskalë.
Indikatorët si deficiti buxhetor dhe borxhi publik mbeten të pandryshuara dhe në përmirësim drejt një konsolidimi fiskal afatmesëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.