Në një konferencë për shtyp në Berlin pak javë më parë, Angela Merkel aludoi në një qëndrim të ri më të butë ndaj shteteve të goditura nga recesioni të Europës Jugore.
“Politika fiskale nuk është gjithçka”, tha kancelarja gjermane për gazetarët që u mblodhën në katin e parë të kancelarisë. “Ne bëjmë politikë për njerëzit dhe njerëzit duan punë”.
Ishte një moment i mrekullueshëm. Që nga shpërthimi i krizës së borxhit të Europës mbi tri vjet më parë, mesazhi nga Merkel ka qenë tepër i ndryshëm: vende si Greqia, Portugalia, Spanja dhe Italia mund të rivendosin besimin në ekonomitë e tyre, vetëm nëse ata adoptonin disiplinën e stilit gjerman, për të ulur borxhin dhe deficitet e tyre. Politika fiskale ishte gjithçka.
Kjo linjë e vështirë rriti popullaritetin e Merkelit në Gjermani. Gati tre në katër gjermanë besojnë se ajo po bën një punë të mirë, tregojnë sondazhet, dhe ajo duket në rrugën e duhur për të fituar një mandat të tretë në zgjedhjet e shtatorit. Vetëm përbërja e koalicionit të saj duket në dyshim.
Por duke qenë se kanë mbetur vetëm disa muaj përpara zgjedhjeve, një ndryshim delikat është duke u zhvilluar në Berlin.
Problemet ekonomike të Europës Jugore, ku papunësia e të rinjve në vende si Greqia dhe Spanja është rritur në 60 për qind, janë një burim shqetësimi që sa vjen e rritet në rrethin e Merkelit. Jo vetëm që recesioni që ka goditur Europën Jugore, po fillon të rëndojë mbi ekonominë e Gjermanisë, por zyrtarët shohin rrezikun që kancelarja ka të ngjarë të fajësohet më shumë se kushdo nëse një verë e nxehtë çon në shpërthim të trazirave sociale.
Ky mesazh u përforcua në fund të marsit, kur protestuesit në Qipro, të zemëruar në lidhje me kushtet e paketës së shpëtimit, dolën në rrugë dhe ofenduan udhëheqësen gjermane, duke e quajtur një Hitler të ditëve moderne.
“Ajo pranon se nuk do ta duan të gjithë, por natyrisht që nuk dëshiron të bëhet një figurë e urryer”, tha një ndihmës i lartë i kancelares, i cili, sikundër bënë zyrtarë të tjerë, foli për “Reuters” për këtë histori në kushte anonimiteti.
“Vetëm vini re papunësinë e të rinjve në Spanjë. Në të kaluarën, ky nuk ishte problemi ynë. Tanimë kjo është diçka për të cilën na duhet me të vërtetë të shqetësohemi. Nëse ka dhunë në rrugët e Madridit apo kaos politik në Itali, ky është një problem i madh për Gjermaninë”.
Me pak fjalë, përfitimet e këmbënguljes për masa shtrënguese të mëtejshme janë pakësuar dhe kostot e mundshme të Gjermanisë, e cila kaloi mbi një gjysmë shekulli për të rindërtuar reputacionin e saj në Europë pas shkatërrimit të nazistëve, janë në rritje.
Për Merkel, politikania më e fuqishme në kontinent, sfida është e qartë. Pasi e pozicionoi veten si “Mutti”, ose nëna e përkujdesur e Gjermanisë gjatë periudhës së krizës së thellë, ajo tani duhet të transformojë veten si nëna e dhembshur mbretëreshë e Europës.
“Është më se e pranueshme në Gjermani, kur ju thoni se çdokush duhet të bëjë detyrat e veta të shtëpisë, por ky nuk është një mesazh për Europën. Merkel ka nevojë të tregojë një histori, të shpalosë një vizion që Europa të mund të besoj në të”, tha historiani Timothy Garton Ash i Oxford.
“Alternativa që shfaqet pas zgjedhjeve gjermane është jashtëzakonisht e rëndësishme. A do të jetë qeveria, që do të dalë nga këto zgjedhje, e përgatitur të ndërmarrë një qasje të re, të dërgojë sinjale të ndryshme? Kjo është pyetja e madhe”.
“Pushteti hegjemonik”
Merkel, e cila refuzoi të intervistohet për këtë shkrim, ka treguar një aftësi të mahnitshme për ta “risjellë” ndryshe veten gjatë karrierës së saj.
Pas rënies së Murit të Berlinit, e bija e pastorit të turpshëm protestant nga Lindja komuniste u shndërrua nga fizikane në politikane, duke u bashkuar me qeverinë e parë të një Gjermanie të ribashkuar nën autoritetin e kancelarit të atëhershëm Helmut Kohl. Një dekadë më vonë, ministrja besnike, e njohur si “vajza e Kohl” u kthye në mentorin e saj, duke “ndezur” ngjarjet më të pamëshirshme që do ta “ngjisnin” atë në krye të Bashkimit Konservator Demokratik Kristian (CDU) të Gjermanisë.
Kur Merkel u zgjodh kancelare në vitin 2005, ajo befasoi sërish, duke braktisur parimet e tregut të lirë që ajo kishte trumbetuar përpara votimit dhe kishte tërhequr “ashpërsisht” majtazi partinë e saj. Ajo i dha fund rekrutimit ushtarak, vendosi për një pagë më të lartë minimale dhe, pas katastrofës së Fukushimës në Japoni, hoqi dorë nga mbështetja e saj e gjatë për energjinë bërthamore.
Një pragmatiste e përkryer, ajo ka menaxhuar ulje-ngritjet e krizës financiare me qetësinë e një mjeshtri shahu, duke arritur të mbajë të paprekur bllokun e monedhës dhe popullin gjerman, të cilët hezitonin të hiqnin dorë nga marka e dashur gjermane. Dy në tre gjermanë duan që monedha e vetme të vazhdojë të operojë.
Merkel, 58 vjeçe, është shfaqur shpesh më shumë si stratege se udhëheqëse. Në kohë vendimtare, ajo ka zgjedhur të presë se sa të veprojë.
“Unë nuk mendoj se ajo dëshiron të hyjë në librat e historisë si lideri që e la euron të bjerë në kolaps për shkak të një gabimi, ose për shkak të një hapi që rezultoi të jetë shumë i madh ose shkoi në drejtim të gabuar”, thotë Nikolaus Blome, gazetar në gazetën gjermane “Bild”, i cili ka shkruar një libër për Merkel publikuar më herët këtë vit.
“Ndoshta është pikërisht për shkak të kësaj frike që ajo është kaq taktike dhe e prirë ndaj hapave të vegjël. Një lëvizje e keqe dhe Gjermania do të fajësohet që e ka lënë Europën në ‘rrënoja’ për të tretën herë në shekull”.
Sociologu i shquar gjerman, Ulrich Beck, ka një tjetër këndvështrim. Në librin e tij “German Europe”, ai e përdor termin “Merkiavellian” që të përshkruajë udhëheqjen e saj gjatë krizës së euros.
Beck argumenton se Merkel ka ndjekur një politikë europiane përshtatur vetëm për audiencën e saj të brendshme. Kjo qasje ka forcuar bazën e pushtetit të saj kombëtar dhe ka çuar në imponimin e modelit ekonomik të Gjermanisë në të gjithë bllokun, duke nxitur pakënaqësi. Duke hezituar në kohë vendimtare, ai thotë se Merkel, në të njëjtën kohë ka nxitur dhe fshehur rritjen e Gjermanisë ndaj pozitës së “pushtetit hegjemonist” në Europë.
“Metoda Merkiavelli mund të arrijë fare mirë gradualisht limitet e veta”, shkruan ai. “Të varfrit po bëhen edhe më të varfër, shtresat e mesme po kërcënohen me eliminim, dhe deri tani nuk ka pasur asnjë dritë në fund të tunelit”.
Një studim i publikuar gjatë këtij muaji nga “Pew Research Center” ka treguar që antipatia në Europën Jugore sa vjen e rritet ndaj Merkelit. Rreth 88 për qind e grekëve dhe 57 për qind e spanjollëve gjykojnë se ajo ka bërë një punë të keqe në menaxhimin e krizës.
I njëjti studim tregoi se gjashtë nga tetë shtete të anketuara të BE-së gjykuan se Gjermania është vendi më pak i mëshirshëm në bllok. Pesë nga tetë gjykuan se Gjermania është vendi më arrogant.
Kjo është diçka e pakëndshme për një vend që ka punuar aq shumë për të “riparuar” imazhin e tij që nga Lufta e Dytë Botërore.
Normalitet i përulur
Brenda vendit, kjo është një histori tjetër. Anketa “Pew” tregon se 74 për qind e gjermanëve e miratojnë punën e Merkelit.
Ajo është shumë më popullore se rivali i saj socialdemokrat (SPD) për kancelar, Peer Steinbrueck, një ish-ministër i hidhur i Financave i cili është përpjekur ta nxjerrë Merkelin si një udhëheqëse hezituese dhe të dobët. Gjatë fushatës, ai e përshkruan atë si një pilot aeroplani, i cili ka qetësuar pasagjerët e tij në një ndjenjë të rreme sigurie, duke i drejtuar ata përmes një stuhie pa asnjë goditje.
“Problemi është që ju thjesht nuk dini se ku do uleni”, thotë Steinbrueck.
Deri më tani, sulmet nuk kanë funksionuar. Konservatorët e Merkelit kanë një avantazh dyshifror në vota ndaj SPD, partia e dytë më e madhe.
“Nuk është kancelarja e ‘pavendosur’ që njerëzit vlerësojnë”, tha Martin Schulz, president i Parlamentit Europian dhe vetë një anëtar i SPD. “Është sjellja modeste e Merkelit, normaliteti i saj i përulur që kaq shumë gjermanë e pëlqejnë dhe me të cilin identifikohen”.
Lindur në Hamburg në vitin 1954, Merkel u zhvendos me familjen e saj në Gjermaninë Lindore, kur babait të saj, Horst Kasner, iu ofrua atje një punë si pastor. Ajo u rrit në Templin, një qytet i vogël në veri të Berlinit, i rrethuar nga kodra dhe liqene piktoreske.
Edhe pse i ati i saj i përkiste krahut të kishës protestante që ka punuar dhe kundër sistemit politik, familja shihej me dyshim nga autoritetet komuniste për shkak të rolit fetar. “Gjithçka ishte një luftë: jo për të tërhequr vëmendjen, thjesht për të qenë pak më mirë se të gjithë të tjerët, për t’u futur në shkollën time të dëshiruar. Asgjë nuk ishte e lehtë”, ka pohuar ajo për gazetarët Hugo Mueller-Vogg në “My Way”, një libër i intervistave botuar në vitin 2004.
Bodo Ihrke, i cili ishte në shkollë me Merkel, thotë se kjo përvojë normëzoi qasjen e kujdesshme dhe të kontrolluar që ajo ende shfaq.
Merkel ka pranuar se nuk i kishte për zemër surprizat që kur ishte fëmijë, kështu dikur ajo mori të hartojë listën e dëshirave të Krishtlindjeve muaj më parë, në mënyrë që të shmangte befasimin nga një dhuratë e papritur. “Gjithmonë kërkoja të dija se çfarë kishte rreth qoshes, edhe në qoftë se kjo bëhej në ‘kurriz’ të spontanitetit”, thotë ajo në libër.
Si kancelare, ajo ka impresionuar me përgatitjen dhe etikën e saj të punës. Ajo bën shaka se ajo bën një “gjumë deveje”, e cila mund të kalojë ditë me vetëm disa orë gjumë deri kur të vijë fundjava që të mund të flejë një natë të plotë. Ajo është po aq e kërkuar nga ndihmësit e saj.
Në kujtimet e tij “Jours de pouvoir” (Ditët e pushtetit), ish-ministri francez Bruno Le Maire kujton tmerrin e Presidentit Nikolas Sarkozi, kur Merkel këmbënguli që këshilltarët të hanin mëngjes me të dhe t’i bashkoheshin asaj për pije gjatë samiteve. “Ata vuanin, të gjorët këshilltarët e saj. Nuk ka leje për të shkuar për të fjetur”, ironizon me dashamirësi Sarkozi në libër.
Megjithëse e matur në publik, Merkel ka një sens ironik humori kur është e relaksuar me një grup të ngushtë. Ajo është e njohur për imitimet e saj të udhëheqësve të tjerë, si Sarkozi, Silvio Berluskoni Italisë dhe Vladimir Putin i Rusisë.
Në një udhëtim për në Kanada gushtin e kaluar, ajo ia plas një të qeshuri të pakontrolluar kur rrëfen një histori se si Greqia kishte refuzuar të paguante për nëndetëset gjermane që ajo kishte porositur, duke pretenduar se ato anonin në një anë – një defekt që askush nuk mund ta dallonte përveç grekëve.
Në të njëjtën kohë, ajo është tepër e rezervuar. Ajo vazhdon të përdorë “Sie” (Ju) edhe për strategët e saj më të ngushtë, menaxherin e zyrës Beate Baumann dhe këshilltarin e medias, Eva Christiansen. Sipas librit të Blome, as Baumann dhe as Christiansen nuk kanë qenë ndonjëherë në banesën që ndodhet në anën e kundërt të Muzeut Pergamon të Berlinit, në të cilin Merkel jeton me bashkëshortin e saj, kimistin kuantik Joachim Sauer.
Këto paradokse e kanë kthyer Merkel në një burim magjepsje, si dhe në një objektiv për teori të egra konspiracioni. Disa roje të kancelares në Berlin bëjnë shaka se qëndrimi i saj emblematik i pozicionit të dorës dhe gishtat që prekin në një trekëndësh të përmbysur që arrin nivelin e kërthizës – është mënyra e saj e komunikimit me mjeshtrit e saj jashtëtokësorë.
Nëse një ditë trekëndëshi do të kthehet drejt, spekulimet thonë se do të shërbejë si sinjal për anijen nënë që misioni i saj në tokë ka përfunduar dhe se është koha për ta larguar atë nga Toka.
Shpjegimi i Merkelit është më pak ekzotik: pozicioni i dorës e ndihmon të mbajë një qëndrim të mirë dhe të flasë në mënyrë të qartë, një këshillë nga motra e saj trapiste fizike Irene.
Koalicioni i madh
Pyetjet e mëdha teksa ajo përgatitet për një mandat të tretë janë: sa larg është ajo e gatshme të shkojë për të ndihmuar pjesën tjetër të Europës dhe a mund të sigurojë mbështetjen e vendit? Nëse ajo del fitimtare, shumë ka të ngjarë të varet nga përbërja e koalicionit të saj.
Merkel mezi u përshtat në zyrë në vitin 2005, pasi drejtoi mbi një platformë të shkurtimit të taksave dhe “derregullimit”, dhe u detyrua të formonte një “koalicion të madh” me rivalët e saj të SPD. Ai partneritet rezultoi shumë më harmonik sesa pritej nga një masë e gjerë njerëzish.
Nga ana tjetër, koalicioni i qendrës së djathtë që ajo formoi në vitin 2009 me Free Democrats (FDP), partnerin e saj më të natyrshëm, rezultoi shqetësues. FDP “flirtoi” me qëndrimet e euroskeptikëve gjatë krizës dhe u bë dëshmitar i rënies së mbështetjes së tij. Tani ai po lufton të arrijë pragun e kërkuar prej 5 për qind për ta formuar atë në Parlament.
Si rezultat, sondazhet sugjerojnë se Merkeli mund të arrijë të rinovojë koalicionin e djathtë-të majtë të mandatit të saj të parë pas votimit në shtator. Blloku i saj konservator po siguron vetëm nën 40 për qind të votave, me SPD e “luhatur” mes 10-12 pikë prapa. Një parti e re anti-euro “Alternativefor Germany”, është përpjekur të fitojë “tërheqje” dhe po arrin vetëm 2-3 për qind të votave.
Merkel duhet të fitojë një mandat të tretë, ai do të jetë i fundit i saj, thonë ndihmësit. Për një udhëheqës, i cili shpesh ka qenë akuzuar se ka lënë kalendarin zgjedhor të ndikojë politikën e saj, ky do të jetë një territor i ri.