Nga Nikola Kedhi*
Është koha që, më në fund, të kemi një diskutim të madh dhe të vendosim nëse do të shkojmë drejt kapitalizmit, ose nëse do të qëndrojmë në këtë socializëm të butë, në të cilin jemi endur për tridhjetë vjet.
Shqipëria nuk ka një kulturë të pasur financiare. Gjatë historisë së saj, mbijetesa ka qenë sfida më e madhe. Kërcënimi shekullor i fqinjëve dhe Perandorisë Otomane, gati pesë dekada nën një regjim terrorist komunist dhe tridhjetë vjet në një tranzicion kaotik, kanë lënë plagë të thella traumatike në pjesën më të madhe të popullsisë.
Duke mos njohur asnjë alternativë tjetër përveç totalitarizmit dhe etatizmit, edhe pas rënies së komunizmit, u bë e qartë se një pjesë e mirë e popullsisë donte që shteti të diktonte jetën e tyre. Mungesa e një tradite dhe e njohurive financiare para komunizmit, çoi në besimin se kapitalizëm do të thoshte të bëhesh i pasur shpejt, pa punuar (për shembull nëpërmjet skemave piramidale) ose përmes subvencioneve dhe pagesave të shtetit (lexo: në kurrizin e taksapaguesve të tjerë që punojnë). Në një kuptim, socializëm pa dhunë.
Në të vërtetë, në Shqipëri kemi atë që njihet si kapitalizëm klientelist, ku shumica e popullsisë mbetet në varfëri, disa aktorë privatë pasurohen përmes lidhjeve politike dhe klasa e mesme është gjithnjë e më e zvogëluar. Është e qartë se ky model nuk funksionon. Që tranzicioni të përfundojë, mbi të gjitha është i rëndësishëm ndryshimi në mentalitet, dhe më pas në zbatim, i qasjes ndaj ekonomisë dhe politikës.
Kapitalizmi është i vetmi sistem ekonomik që funksionon. Përparimi i jashtëzakonshëm në dy shekujt e fundit është prova e kësaj. Jetëgjatësia e njerëzve është rritur gjatë shekullit të kaluar me industrializimin e vendeve. Në SHBA, të ardhurat mesatare reale për frymë janë rritur 4,000% që nga vitet 1800 kur filloi implementimi i kapitalizmit. Në 1820, 94% e botës jetonte në varfëri ekstreme, duke fituar më pak se 1.90 dollarë në ditë. Sot, vetëm rreth 10% jetojnë në varfëri të tillë.
Përvoja e pas Luftës së Dytë Botërore ka vërtetuar vazhdimisht pikëpamjen se nxitësi i vetëm më i fuqishëm i prosperitetit janë bizneset që kërkojnë fitim, të cilat operojnë brenda një ekonomie tregu konkurruese, të drejtuar nga ligji dhe të mbikëqyrur nga një gjyqësor i ndershëm.
Kapitalizmi siguron barazinë e mundësive, ndërsa promovon më të merituarit, duke vendosur kështu një sistem meritokratik, nëpërmjet konkurrencës së njerëzve. Sigurisht, kapitalizmi është i nevojshëm, por i pamjaftueshëm. Një fokus serioz në arsim është thelbësor, përveç ngritjes së institucioneve të forta dhe gjyqësorit. Kapitalizmi, edukimi dhe demokracia janë të lidhura ngushtë, sepse një ekonomi e tregut të lirë kërkon një popullsi më të arsimuar dhe kjo e fundit, nga ana tjetër, kërkon pjesëmarrje në politikë dhe vendimmarrje.
Kapitalizmi mund të zbatohet nëpërmjet të ashtuquajturave politika të ofertës, të cilat përqendrohen në krijimin e stimujve produktivë, duke ulur taksimin e kapitalit prodhues dhe punës, duke eliminuar ndërhyrjet dhe ngarkesat rregullatore, duke shkurtuar ndërhyrjen politike në treg dhe duke hequr transferimin e gjerë të pasurisë përmes procesit politik. Kjo zvogëlon, në mënyrë drastike madhësinë e qeverisë, që është thelbësore për forcimin e individit.
Taksat dhe pasuria
Tregjet dhe industritë operojnë në mënyrë më efikase dhe kontribuojnë në një normë më të shpejtë të rritjes së prodhimit real kombëtar. Ato u japin stimuj bizneseve për t’u zgjeruar. Rregullimi heq kufizimet në rritjen e tyre pasi ul kostot. Një ulje e tatimit mbi fitimin u jep bizneseve më shumë para për të punësuar, për të investuar në pajisje dhe për të prodhuar më shumë mallra dhe shërbime.
Një ulje e taksës së të ardhurave rrit të ardhurat për orë të punuara. Por mbi të gjitha, një taksim i ulët forcon mentalitetin që puna nuk ndëshkohet me taksa. Ai që punon fort, shpërblehet dhe sa më shumë dikush punon, aq më shumë paguhet, dhe kjo nuk është diçka e keqe. Akumulimi i pasurisë dhe ambicia për të ecur përpara duhet të vlerësohet.
Këto politika përfshijnë fleksibilitetin dhe lëvizshmërinë e punës; përmirësimin e arsimit, aftësive dhe trajnimit; de-rregullimin e tregjeve të dominuara më parë nga monopolet shtetërore; eliminimin e dështimeve në tregun e punës; stimujt për të mundësuar start-ups; përmirësime të infrastrukturës etj. Fatkeqësisht, ligjvënësit janë të prirë të shohin interesin politik të momentit, në vend që të shikojmë në një mënyrë afatgjatë. Secili individ ka aftësinë të ketë sukses falë aftësive të tij, në një fushë me rregulla të drejta, pa ndihmën e qeverisë. Është sektori privat – e jo ai publik – që drejton ekonominë dhe aq më pak politikanët ose qeveria, të cilët nuk prodhojnë gjë.
Roli i qeverisë
Qeveria duhet të jetë aty për të siguruar stimuj për të investuar, duke mbrojtur pronën private (në rastin tonë për ta kthyer te pronari i ligjshëm), për të ulur taksat dhe për të de-rregulluar. Këto, nga ana tjetër, ulin informalitetin dhe varfërinë. Konkurrenca në çdo sektor do të siguronte kujdes më të mirë shëndetësor, arsim më të mirë dhe një mjedis më të sigurt. Një baticë në rritje ngre të gjitha anijet dhe këto politika sigurojnë këtë baticë.
Ndërhyrjet e qeverisë
Në fakt, ndërhyrja e qeverisë zakonisht prodhon shpenzime të panevojshme, rritje të deficitit dhe një rritje masive të ofertës së parave në një përpjekje për të mbuluar deficitet, gjë që çon në inflacion. Kjo çon më tej në krijimin e shtetit të gjithëfuqishëm, i cili paraqitet si një shpëtimtar për problemet që krijojnë vetë politikanët.
Në shoqërinë tonë, të gjithë grupet e interesit janë të interesuara për të marrë sa më shumë nga shteti dhe për ta rritur sa më shumë atë. Kjo çon në forca politike që garojnë se cila u jep më shumë taksapaguesve nga taksat që paguajnë vetë ata. Politikat, nga ana e ofertës, në të kundërt, shkojnë drejt lirisë ekonomike dhe individuale dhe përgjegjësisë fiskale.
Një treg i lirë është rruga e vetme përpara nëse duam t’u mbijetojmë sfidave të kohës sonë. Është e domosdoshme që të shkojmë drejt kursimit dhe krijimit të pasurisë, në vend të borxhit dhe kontrollit të qeverisë mbi jetën tonë. Kushdo që të jetë kryeministri i ri më 26 prill, por veçanërisht forcat e qendrës së djathtë, duhet të kenë parasysh se, jo vetëm që ndërhyrja në ekonomi do të çojë në një rimëkëmbje më të ulët ekonomike dhe vështirësi të zgjeruara për qytetarët, por eventualisht do të shkaktojë më shumë korrupsion, shkelje të të drejtave të njeriut dhe lirisë.
Shqipëria ka shumë nevojë për politika të anës së ofertës. Niveli i Investimeve të Huaja Direkte (IHD) ka qenë i pandryshuar në vitet e fundit, në 1.3 miliardë dollarë, poshtë niveleve më të larta të 2009-s, sipas Bankës Botërore. Për më tepër, raporti i Doing Business 2020 e rendit Shqipërinë në vendin e 82-të nga 190 ekonomi, një rënie prej 19 vendesh krahasuar me vitin paraardhës.
Sipas Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara, “investitorët raportojnë shqetësime të vazhdueshme që rregullatorët përdorin legjislacionin dhe rregulloret e interpretueshme ose jo-konsistente si mjete për të dekurajuar investitorët e huaj dhe për të favorizuar kompanitë e lidhura politikisht”. Pra, ndërhyrja qeveritare është tejet e madhe, e bën të pamundur konkurrencën dhe i shtohet rritjes së presionit fiskal ndaj biznesit vendas, direkt dhe indirekt.
Sipas FMN, kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia e Covid-19 ka ulur ndjeshëm rritjen e PBB-së në minus 7.5% në 2020, duke reflektuar varësinë e ekonomisë nga turizmi dhe remitancat. Borxhi publik përbënte 83.3% të PBB-së në vitin 2020, shumë më i lartë se niveli i vitit 2019 për shkak të krizës së Covid-19, që do të thotë se kemi nevojë për politika që ulin borxhin, teksa kontribuojnë në rritje. Banka Botërore vlerëson se shkalla e varfërisë ishte 37% në prill të vitit 2020. Një pjesë e madhe e PBB-së (vlerësuar rreth 50%) vjen ende nga ekonomia informale, e cila pengon rritjen ekonomike.
Qeveria duhet të jetë aty për të siguruar stimuj për të investuar, duke mbrojtur pronën private (në rastin tonë për ta kthyer te pronari i ligjshëm), për të ulur taksat dhe për të de-rregulluar. Këto, nga ana tjetër, ulin informalitetin dhe varfërinë. Konkurrenca në çdo sektor do të siguronte kujdes më të mirë shëndetësor, arsim më të mirë dhe një mjedis më të sigurt. Një baticë në rritje ngre të gjitha anijet dhe këto politika sigurojnë këtë baticë. Nëse ka rritje ekonomike dhe ka më pak varfëri, do të ketë më pak korrupsion, më pak krim dhe siguri të shtuar.
Pozicioni ynë në rajon dhe ndaj BE-së do të jetë gjithashtu më i fortë. Gjithçka fillon me mënyrën se si e shohim rolin e individit dhe qeverisë në shoqëri. Këto koncepte duhen patjetër të futen në diskursin politik dhe ekonomik të shoqërisë shqiptare dhe sidomos nga forcat dhe grupimet e qendrës së djathtë. Shqipëria është tejet e vonuar në trajtimin e këtyre ideve.
Është koha që, më në fund, të kemi një diskutim të madh dhe të vendosim nëse do të shkojmë drejt kapitalizmit, ose nëse do të qëndrojmë në këtë socializëm të butë, në të cilin jemi endur për tridhjetë vjet.
*Nikola Kedhi është konsulent financiar dhe kontributor në media të ndryshme si Il Giornale, The Federalist, CapX, The European Conservative dhe The American Thinker. Opinione janë personale të autorit
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.