Prej datës 1 mars 2019, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) ka nisur të ofrojë shërbimin e ndryshimit të pronësisë së mjetit në sportelet e saj. Kjo procedurë më herët ofrohej vetëm nga noterët të cilët kanë ankimuar pranë Autoritetit të Konkurrencës (AK) nismën e DPSHTRR-së.
Në një vendim të pak ditëve më parë, Autoriteti i Konkurrencës ka analizuar kërkesën e bërë nga Dhoma e Noterëve dhe më pas ka kërkuar informacion pranë DPSHTRR. Kjo e fundit bëri të ditur se ka të gjithë infrastrukturën e nevojshme për shtirjen dhe ofrimin e shërbimit në mbarë territorin e vendit, duke pasur edhe burimet njerëzore me staf profesional të dedikuar për kryerjen e këtij shërbimi me korrektësi, siguri juridike dhe efikasitet.
“Synimet e kësaj nisme sipas DPSHTRR kanë qenë ulja e informalitetit, sensibilizimi dhe finalizimi në një sportel të së gjithë procedurës për ndryshimin e pronësisë së mjetit; ulja e barrës financiare ndaj qytetarëve për marrjen e këtij shërbimi, pasi në kuadër të reformës së de-rregullimit, DPSHTRR siguron vetë nëpërmjet sistemit informatik gjithë të dhënat korrekte për dokumentacionin e mjetit, debitë ndaj tij si vërtetim për taksa, etj., konfirmime në Interpol, konfirmim nga RBS, etj.” ka argumentuar Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor.
Kjo e fundit ka argumentuar edhe se kjo tarifë është më e ulët krahasuar me tarifën që ofron shërbimi i noterisë sepse, sipas DPSHTRR, së pari të dhënat e shitësit dhe blerësit merren automatikisht nëpërmjet sistemi informatik nga Regjistri i Gjendjes Civile. Së dyti, të dhënat për mjetin merren automatikisht nga sistemi informatik e DPSHTRR. Së treti, koha e shkurtër e punës së punonjësit të specializuar që merret me hartimin e kontratës së ndryshimit të pronësisë së mjetit.
Konkurrenca ka parë edhe ecurinë e ofrimit të shërbimeve nga dy palët dhe rezulton se nga 1 mars 2019 deri në 19 qershor 2019 janë kryer në total 22 118 procedura të ndërrimit të pronësisë ku 16 583 procedura janë kryer nëpërmjet kontratave noteriale dhe 5 535 procedura janë kryer me shërbimin e ndryshimit të pronësisë nga DPSHTRR. Kjo do të thotë që 25 për qind e qytetarëve kanë marrë shërbimin nga DPSHTRR.
Në këtë situatë ku në fakt shërbimi i ofruar nga DPSHTRR ka qenë me përfitim për konsumatorin, Konkurrenca ka kërkuar që noterët të rishikojnë tarifat për shërbimet e tyre për t’u bërë më konkurrues. Ky rishikim në fakt duhet të bëhet nga Ministria e Drejtësisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.