Ndryshojnë procedurat për punësimin e psikologëve dhe punonjësve socialë të gjimnazit

27/10/2020 2:30 PM 0 komente

Ministria e Arsimit ka nxjerrë urdhër të ri për numrin e psikologëve në gjimnaze dhe për procedurat e konkurrimit të tyre.

Urdhri i ri i botuar në Fletoren zyrtare ndryshe nga ai i miratuar më 22 janar 2019 nga ish ministrja e Arsimit përcakton se 1 psikolog apo punonjës social do të mbulojë disa shkolla kur ato janë me numër më të vogël se 500 nxënës.

Ndërsa për gjimnazet publike që kanë 500 deri në 700 nxënës do të vazhdojnë të jetë i punësuar 1 psikolog. Për shkollat me mbi 700 nxënës numri i psikologëve do të jetë dy.

Urdhri i përcakton se për çdo 30 psikologë të shkollave do të ketë një supervisor, me të paktën 3 vite eksperiencë që nëpërmjet raporteve do të vlerësoje çdo 3 muaj punën e tyre.

Risi për rekrutimin e punonjësve sociale apo psikologëve është ngritja e një komisioni had-hoc për kandidatët që kanë kaluar testimin me shkrim. Emërimi i psikologëve në shkollat e arsimit parauniversitar do të vazhdojë të bëhet nga Drejtoria Rajonale Arsimore pas konkurrimit të hapur. Procesi i konkurrimit për psikologë apo punonjësit socialë në SHPS-në realizohet në tri faza, si vlerësimi i dokumentacionit të paraqitur në dosje; testimi me shkrim dhe intervista e strukturuar. Kjo e fundit do të realizohet nga komisioni ad-hoc me kandidatët që janë kualifikuar nga testi me shkrim.

Procedurat e konkurrimit

-Për realizimin procedurave të konkurrimit dhe të shpalljes së listës të kandidatëve fitues, DRAP-i (Drejtoria Rajonale Arsimore Parauniversitare)përkatës krijon një komision ad-hoc, i cili përbëhet nga 2 përfaqësues nga MASR-ja, 1 përfaqësues nga DPAP-ja, 1 përfaqësues nga DRAP-i dhe 1 përfaqësues nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP).

– Komisioni ad-hoc shqyrton dhe vlerëson dosjet e kandidatëve sipas shtojcës 2 të këtij urdhri.

– DRAP-i është përgjegjës për njoftimin e kandidatëve për datën, orën, mjedisin ku do të zhvillohet testimi, si dhe për caktimin e administratorëve për testimin me shkrim.

– DRAP-i përcakton datën, orën dhe vendin e intervistës së strukturuar si dhe bën njoftimin e kandidatëve dhe anëtarëve të komisionit ad-hoc.

-Drejtori i DRAP-it vë në dispozicion të komisionit ad-hoc, listën e kandidatëve me pikët e vlerësimit të dosjeve, pikët e testimit, si dhe pikët e tyre totale.

– Komisioni ad-hoc realizon intervistën e strukturuar me kandidatët që janë kualifikuar nga testi me shkrim. Kandidatët duhet të vlerësohen me të paktën 50% të pikëve të testit me shkrim për t’u kualifikuar për në fazën e intervistës së strukturuar.

– Në përfundim të intervistës, komisioni ad-hoc shpall listën e kandidatëve për psikologë dhe listën e kandidatëve për punonjës social në nivel DRAP-i, të renditur sipas pikëve gjithsej (pikë të dosjes + pikë të testimit + pikët e intervistës). Lista me rezultatet përfundimtare, i dorëzohet drejtorit të DRAP-it, i cilie publikon me ID përkatëse në faqen zyrtare të institucionit.

-Anëtarët e komisionit ad-hoc dhe administratorët e provimit duhet të plotësojnë deklaratën e konfliktit të interesit sipas shtojcës 6 të këtij urdhri.

Kriteret për t’u punësuar në shërbimin psikosocial

Kritere të përgjithshme: a) të jetë shtetas shqiptar; b) të ketë zotësi të plotë për të vepruar; c) të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse; d) të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale; e) të mos ketë masë disiplinore në fuqi.

Kërkesa të veçanta: a) të jetë i pajisur me diplomë të ciklit të dytë të studimeve në fushën përkatëse; b) të jetë i pajisur me licencë të ushtrimit të profesionit; c) të jetë pjesë e urdhrit përkatës;d) të zotërojë njohuri bazë në kompjuter; ) zotërimi i gjuhëve të huaja përbën avantazh (dëshmi, certifikata).

Psikologu/punonjësi social të ketë formim si vijon: a) psikologu duhet të ketë diplomë të ciklit të parë dhe diplomë të ciklit të dytë ose ekuivalente në fushën e psikologjisë në përputhje me përcaktimet e ligjit nr. 80/2015.b) punonjësi social duhet të ketë diplomë të ciklit të parë dhe diplomë të ciklit të dytë ose ekuivalente në fushën e punës sociale në përputhje me përcaktimet e ligjit nr. 80/2015./D.Azo

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of