Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë njoftuar për bizneset që do të hapen nga 18 maj. Mirëpo, por për shkak se rreziku ende nuk ka kaluar, u tha se do të vazhdohet me një orar të kufizuar të lëvizjes, ku çdo qytetari do t’i lejohet dalja dy herë në ditë nga dy orë sipas shifrës së parafundit të kartës së identitetit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka sqaruar lehtësimin e masave që përfshihen në fazën e dytë, e cila nis më 18 maj.
Ai, në Facebook, ka treguar edhe se cilat biznese do të rihapen.
“Nga dita e hënë, 18 maj 2020, do të hyjmë në Fazën 2 të lirimit të masave. Kjo do të thotë hapje më të madhe të ekonomisë dhe rrjedhimisht edhe lëvizje të shtuar të qytetarëve.
Kurti ka treguar se do të lejohet dalja dy herë në ditë nga dy orë, sipas shifrës së parafundit në numrin personal të letërnjoftimit.
“Dy javët e fundit janë shumë të mira sa i përket luftimit të pandemisë COVID-19, por jo edhe katër ditët e fundit: sonte janë 10 të infektuar e vetëm një i shëruar, dje kanë qenë 18 të infektuar e 19 të shëruar, pardje 8 të infektuar e asnjë i shëruar, kurse para tri ditëve 24 të infektuar e 14 të shëruar.
Kryeministri në detyrë ka thënë që duhet të vazhdohet të ketë kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve.
Prandaj, çdo lëvizje është e arsyeshme vetëm nëse është e domosdoshme. Me kujdes të shtuar të vazhdojmë të mbajmë distancën, të vendosim maska fytyrës e të ruajmë pastërtinë. Përndryshe, duhet t’i rikthejmë masat rigoroze sepse do të na rikthehet vala e pandemisë së virusit Corona. Por, bashkë, ama vetëm bashkë, do të fitojmë”.
Të hënën do të rihapen këto biznese:
1.Floktarët dhe sallonet e ondulimit
2.Stomatologët dhe fizioterapeutët
3.Tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër
4.Gastronomia (merre-me-vete, take away)
5.Transporti hekurudhor
6.Transporti urban dhe ndër-urban (me leje të veçanta)
7.Qendrat e thirrjeve telefonike (me lista të stafit esencial), si dhe
8.Hapja e galerive dhe muzeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.