Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave është miratuar ndryshimi i katërt i aktit normativ për buxhetin e vitit 2020.
Në një dalje për mediat ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj tha se ndryshimet e këtij akti normativ përfshijnë disa rialokime të rëndësishme.
“Së pari, alokohet fondi prej 3.4 miliardë lekë për financimin e shpërblimit të fundvitit për kategorinë e pensionistëve, ku përfitojnë: 932 persona në pension familjarë dhe mbi 8045 persona të tjerë në pension të parakohshëm që apo kanë trajtim financiar të veçantë.
Së dyti, është shëndetësia dhe mbrojtja sociale qeveria po alokon në fond shtesë, në shumë e 1.4 miliardë lekë shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale. 400 milionë lekë shkojnë për spitalet për trajtimin e situatës të covid-19.
1 miliardë lekë shkojnë për skemën e Ndihmës Ekonomike & Paaftësisë. Më konkretisht pagesa e aftësisë së kufizuar përfiton 816 milionë lekë për 169 mijë e 530 individë të përfshirë; pagesa e ndihmës ekonomike përfiton 184 milionë lekë për rreth 69 mijë e 371 familje.
Ky akt normativ gjithashtu parashikon dhe një mbështetje shtesë për infrastrukturën dhe energjinë, dhe konkretisht për të mbështetur reformën e ujit. Shuma për mbështetjen e kësaj reforme shkon në 8.5 miliardë lekë në fund të e këtij viti.
Me aktin normativ të fundit riaolokojmë 2.9 miliardë lekë pagesa për rreth 30 projekte, të cilat kanë avancuar me punimet dhe zbatohen nga agjencitë përkatëse dhe bashkitë. Reforma e sistemit të ujit është një prioritet. Për vitin 2020 kanë përfituar 51 qendra urbane dhe 500 fshatra.
Për të asistuar sektorin, Qeveria Shqiptare ka parashikuar gjithashtu shtesën e fondeve në masën 420 milionë lekë për subvencionin e ndërmarrjeve ujesjellës-kanalizime sh.a.
Gjithashtu alokojmë fondin prej 200 milionë lekë për shpenzime shpronësimi dhe shlyerje e detyrimeve në sektorin e infrastrukturës.
Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, rialokimet në Buxhetin e vitit 2021 përfshijnë:
Një financim shtesë në masën 673 milionë lekë për mbarëvajtjen e plotë të zgjedhjeve të vitit 2021, në dy projekte prioritare të KQZ, përkatësisht:
- “Projektin e Identifikimit Elektronik te Zgjedhesve” dhe
- “Projektin pilot te Votimit dhe Numerimit Elektronik”.
Ky Akt Normativ, nuk lë pas dore as Arsimin, ku Qeveria po alokon fondin shtesë prej 100 milionë lekë, ne programin e kerkimit shkencor për Ministrinë e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve”, tha ministrja.
Denaj tha se në ndryshimin e fundit të aktit normativ parametrat makrofiskale nuk ndryshojnë dhe po ashtu edhe parashikimi i të ardhurave dhe borxhit mbetet i njëjtë.
“Akt Normativ nuk sjell ndryshime të tërësinë e parametrave fiskalë dhe indikatorëve makroekonomikë për vitin 2020, parashikuar në Akti Normativ të muajit Korrik. Parashikimet për impaktin e COVID-19 në ekonomi ende mbeten ende:
- në nivelet e një impakti negativ prej -6.1%,
- të një deficiti buxhetor në nivelin -132.9 miliardë lekë ose rreth 8.4% e PBB-së
- borxhi publik që i qëndron nivelit të përcaktuar në Aktin e fundit Normativ.
Rritja ekonomike parashikohet në 5.5% në vitin 2021 dhe pritet te konvergoje rreth nivelit prej 4% përgjatë periudhës afatmesme në vijim. Defiçiti buxhetor për vitin 2021 planifikohet të jetë në nivelin 6.5% të PBB”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.