Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave është miratuar Akti Normativ për ndryshime të Buxhetit të vitit 2023.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete, tha pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se ky akt normativ, nisur edhe nga performanca e mirë e të ardhurave, parashikon rritje të planit vjetor të të ardhurave me 7.5 miliardë lekë.
“Nëpërmjet këtij akti normativ rishpërndahen rreth 46 miliardë lekë, me synim përshpejtimin e projekteve me performancë pozitive dhe nxitjen e rritjes ekonomike.
Kjo bëhet e mundur edhe falë një ecurie pozitive të sektorit energjetik, i cili nuk ka pasur nevojë për mbështetjen buxhetore të parashikuar në fillim të vitit.
Nëpërmjet aktit normativ mbështetet procesi i rindërtimit me afro 12 miliardë lekë, me synim avancimin dhe përmbylljen sa më të shpejtë të këtij procesi.
Gjithashtu, alokohen rreth 1.8 miliardë lekë për skemën e naftës dhe skemat e mbështetjes së fermerëve, për të cilat Ministria e Bujqësisë do të sigurohet për disbursimin e tyre deri në fund të vitit.
Parashikohet një shtesë për fondin e ish-të përndjekurve politikë, me synim përshpejtimin e pagesave për këtë kategori përfituesish.
Akti normativ mbështet gjithashtu projektet në infrastrukturë, kryesisht në rrugë, ujësjellësa dhe kanalizime.
Ndërkohë, parametrat makro-fiskalë vazhdojnë të synojnë uljen e borxhit publik, duke mbajtur të pandryshuar defiçitin buxhetor”, tha Mete.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.