Bota nuk do të mbetet pa naftë pavarësisht prodhimit më të ulët nga Rusia, e cila është goditur nga sanksionet, tha të enjten Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA), duke ndryshuar kështu qëndrimin e saj pasi parashikoi në muajin mars një “goditje të mundshme në furnizimiet globale me naftë”.
IEA, pasi paralajmëroi më 16 mars se duke filluar nga muaji prill mund të kishte një reduktim të furnizimeve me 3 milion fuçi më pak në ditë, e uli këtë shifër për herë të dytë, pasi vuri në dukje se reduktimi i naftës ishte me vetëm 1 milion fuçi në ditë.
Shtimi i prodhimit në vende të tjera dhe rritja më e ngadaltë e kërkesës për shkak të izolimeve të Kinës do të parandalojnë një deficit të madh, tha organizata me qendër në Paris.
“Me kalimin e kohës, rritja e qëndrueshme e vëllimeve nga vendet e Lindjes së Mesme të OPEC+ dhe nga SHBA, së bashku me ngadalësimin e rritjes së kërkesës, pritet të shmangë një deficit akut të furnizimit, në rrethanat e reduktimit të furnizimeve nga Rusia”, tha IEA në raportin e saj mujor për naftën.
Vlerësimi i agjencisë me qendër në Paris sugjeron se ndikimi ekonomik nga sanksionet e mëtejshme mbi energjinë ruse që po mendohen nga Bashkimi Europian, mund të jetë i kufizuar.
“Rritja e çmimeve të naftës dhe ngadalësimi i rritjes ekonomike pritet të ulin ndjeshëm rimëkëmbjen e kërkesës gjatë pjesës së mbetur të këtij viti, deri në vitin 2023,” tha IEA, duke shtuar se izolimet që synojnë kontrollin e COVID-19 në Kinë po nxisin një ngadalësim më të zgjatur ekonomik atje.
Duke reflektuar rënien e eksporteve të produkteve dhe të kërkesës së brendshme, furnizimi me naftë ruse ra me rreth një milion fuçi në ditë gjatë muajit të kaluar – rreth gjysmë milioni fuçi në ditë më pak se parashikimi i agjencisë në muajin e kaluar.
IEA vlerëson se kjo shifër do të rritet në 1.6 milionë fuçi në ditë në muajin maj, në 2 milionë në qershor dhe në gati 3 milionë nga korriku e tutje, nëse zgjerohen sanksionet ose nëse bllokohen blerjet e naftës nga Rusia.
Shtetet e Bashkuara dhe anëtarët e tjerë të IEA-s u zotuan të lëshojnë 240 milionë fuçi naftë këtë vit nga rezervat e tyre emergjente, pasi IEA nuk mori pjesë në shpërndarjen e naftës të udhëhequr nga SHBA-ja në muajin nëntor, sepse nuk vuri re ndonjë ndërprerje të madhe të furnizimeve në atë periudhë.
Eksportet ruse u rikuperuan në muajin prill me 620,000 fuçi në ditë krahasuar me një muaj më parë, duke shkuar në 8.1 milionë fuçi në ditë, tha IEA, duke u kthyer në mesataren e periudhës janar-shkurt pasi furnizimi që më parë shkonte drejt Shteteve të Bashkuara dhe Europës, filloi të drejtohej për në Indi.
Teksa po punon për një embargo ndaj naftës ruse, Bashkimi Europian mbeti përsëri tregu kryesor për eksportet e naftës ruse gjatë muajit të kaluar, tha IEA, duke i ulur ato me vetëm 535,000 fuçi në ditë krahasuar me fillimin e vitit.
Blloku tani përbën 43% të eksporteve të naftës ruse, nga rreth 50% në fillim të këtij viti./ Reuters