TVSH-ja e naftës në blerje për sektorin e transportit të udhëtarëve do të rimbursohet 100% nga 43% që njihej më parë si shpenzim i zbritshëm. Në Fletoren Zyrtare u botuan ndryshimet e udhëzimit për tatimin mbi vlerën e shtuar për këtë sektor.
Në udhëzimin e Ministrisë të Financave përcaktohet se zbritja e TVSH-së për blerjet e karburantit do të jetë 100% nga 43% që ishte aplikimi i normativës për blerjet pa TVSh në raport me totalin e tyre që përdoret për qarkullim.
Masa e qeverisë për këtë sektor më herët u kundërshtua nga Shoqata e Transportit Urban, pasi rimbursimi i TVSH-së të naftës nuk ka asnjë efekt financiar te operatorët.
“Rimbursimi i TVSH-së të naftës në blerje, do të thotë që nafta që ne blejmë njihet si shpenzim i zbritshëm TVSh-je 43%, por në kohë normale ky shpenzim nuk kalon më shumë se 50%. Prandaj rimbursimi 100% realisht që nuk ka asnjë efekt financiar për shoqëritë e transportit të udhëtarëve”, deklaruan më herët për Monitor përfaqësues të Shoqatës të Transportit Ndërqytetës dhe Rrethqytetas të Udhëtarëve
Pas hapjes të ekonomisë qeveria vendosi që transporti publik të rifillonte punën më 15 qershor, por vendimi u kundërshtua nga operatorët. Shoqata e transportit kërkoi që ky shërbim të riniste punën sipas protokollit të publikuar të masave anti-Covid 19 nëse do të plotësoheshin 4 kërkesat financiare që nga subvencionimi i të ardhurave të munguara për subjektet transportuese si pasojë e kufizimeve të protokollit të sigurisë; heqja e akcizës dhe e taksave të karburantet, siç është zbatuar dhe në sektorë të tjerë të ekonomisë; zbritja e TVSH-së në shitje nga 20% – 0% për vitin 2020 dhe rikthimin në nivelin 6% në vijim si sektori i hoteleri turizmit; rimbursimi në burim i kategorive të cilat përfitojnë transport publik falas. Transporti publik në vend rinisi punën në fillim të muajit korrik, pas lehtësimit të masave të përcaktuara në protokollin e sigurisë të shëndetit.
Sakaq, për shkak të situatës të krijuar nga pandemia të punësuarit dhe ish të punësuarit në transportin publik qytetas dhe ndërqytetas do të marrin një ndihmë financiare prej 26 mijë lekësh. Lista me 355 përfitues është publikuar nga tatimet.
Lexo këtu: https://www.monitor.al/transporti-si-do-te-perfitohet-paga-sipas-paketes-nr-3-perfitojne-355-punonjes-lista/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.