Banka e Shqipërisë ka rritur kërkesat për kapital të nivelit të parë ndaj grupeve bankare dhe financiare.
Më datë 26 shtator hynë në fuqi ndryshimet në rregulloren “Për mbikëqyrjen e konsoliduar” që parashikojnë se raporti mes kapitalit bazë të nivelit të parë dhe aktiveve të ponderuara me rrrezik të rritet nga 4.5% në 6.75%.
Raporti mes kapitalit të nivelit të parë dhe ekspozimeve me rrezik rritet nga 6% në 9%, ndërsa raporti bazë i mjaftueshmërisë së kapitalit qëndron në nivelin 12%.
Kapitali bazë i nivelit të parë konsiston kryesisht në instrumentet më të zakonshme të kapitalit, si kapitali i paguar i aksionerëve, fitimet e akumuluara apo rezervat. Ndërsa kapitali rregullator i nivelit të dytë lidhet me tituj huamarrjeje që klasifikohen si borxh i varur.
Me rregulloren e re, grupet bankare dhe financiare do të kenë më pak hapësira për të përdorur kapitalin e nivelit të dytë, me qëllim sigurimin e niveleve të kërkuara të mjaftueshmërisë së kapitalit.
Rregullorja “Për mbikëqyrjen e konsoliduar” i shtrin efektet mbi të gjitha subjektet e licencuara nga Banka e Shqipërisë të cilat janë institucione mbizotëruese në një grup bankar apo financiar. Dy prej bankave shqiptare tashmë zotërojnë filiale të tyre jashtë vendit, ndërkohë që disa prej tyre kanë filiale në tregun shqiptar, kryesisht në shoqëri administrimi i të fondeve të pensionit dhe investimit. Gjithashtu, dy prej bankave tregtare të licencuara në Shqipëri kanë si aksionerë kontrollues institucione të tjera financiare jo banka.
Mbikëqyrja e konsoliduar vendos kërkesa për parametra rregullatorë edhe në nivel të grupit financiar, duke përfshi shoqëritë apo njësitë e tjera nën kontroll.
Pas krizës së gjatë financiare, gradualisht rregullatorët e tregjeve nisën forcimin e kërkesave që lidhen me kapitalizimin e institucioneve financiare. Këtë vit edhe në Shqipëri hynë në fuqi shtesat e para makroprudenciale të kapitalit për bankat tregtare. Ato ndahen në katër kategori, ku një pjesë do të jenë fikse, ndërsa një pjesë do të jenë proporcionale me rëndësinë e bankës dhe me ritmet e huadhënies.
Shtesa e parë, që hyri në fuqi nga marsi i këtij viti, është shtesa konservuese e kapitalit dhe do të jetë e detyrueshme për të gjitha bankat, pavarësisht nga madhësia e tyre. Shtesa konservuese do të jetë me 0.5% në vit deri në në arritjen e një rritjeje maksimale prej 2.5% në vitin 2024. Shtesa tjetër që kanë hyrë në fuqi këtë vit përfshijnë vetëm pesë bankat e klasifikuara me rëndësi sistemike.
Qasja konservatore e autoritetit mbikëqyrës, por në disa raste edhe e vetë aksionerëve të bankave, ka bërë që Shqipëria të ketë nivele mjaft të larta të mjaftueshmërisë së kapitalit për sistemin bankar. Në fund të tremujorit të dytë 2020, ky raport ishte 18.1%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.