Ndryshon udhëzimi, Financat: Bllokimi i llogarive vetëm nëse ka vendim të formës së prerë të Gjykatës

26/11/2020 3:01 PM 0 komente

Bllokimi i llogarive të administratorëve dhe aksionerëve te subjektet me formë juridike (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar) që nuk kanë shlyer detyrimet, do të zbatohet vetëm në rast se ka një vendim të formës të prerë të gjykatës.

Ministria e Financave njoftoi ndryshimet në aktin nënligjor të procedurave tatimore që përcakton bllokim të llogarive personale të administratorëve vetëm me vendim të formës të prerë të gjykatës dhe jo me vendim të drejtorisë rajonale të tatimeve, siç parashikohej në ndryshimet e mëparshme.

Këto ndryshime erdhën pas shqetësimit të ngritur nga sipërmarrja, ku 22 Dhoma të Tregtisë dhe Shoqatave të Biznesit, si asnjëherë më parë, njëzëri e cilësuan nismën abuzive dhe se përkeqëson klimën e biznesit.

Lexo edhe këtë: 22 shoqata biznesi kundër bllokimit të llogarive të administratorëve/aksionerëve

Nisma u kundërshtua edhe nga përfaqësuesit e studiove ligjore më të njohura në Shqipëri, të cilët thanë se akti nënligjor krijon hapësira për abuzim të tejskajshëm nga administrata tatimore.

Pas shqetësimeve të ngritura fort nga sipërmarrja dhe konsulentët juridikë në këto 2 javë Ministria e Financave sqaron:

“Saktësimet e bëra në këtë Udhëzim u kërkuan të adresojnë dhe unifikojnë problematikën e ngritur nga bankat dhe tatimpaguesit, për mënyrën e operimit të administratës tatimore, në lidhje me mbledhjen me forcë të detyrimeve, ku janë konstatuar praktika të ndryshme në rajone të ndryshme apo për tatimpagues të ndryshëm. Për të sqaruar komunitetin e biznesit, udhëzimi vjen në linjë me ligjet në fuqi pasi është një akt juridik shpjegues dhe nuk shkon në asnjë rast jashtë kompetencave që njeh ligji. Për të eliminuar çdo mundësi keqinterpretimi dhe paqartësi të panevojshme, duke konsideruar maksimalisht shqetësimin e ngritur nga grupet e interesit, Ministria e Financës dhe Ekonomisë saktëson këtë çështje me Udhëzimin nr. 44, me disa ndryshime dhe shtesa sipas dokumentit në aneks”, thuhet në njoftimin e MFE-së.

Reagimi i plotë

Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) njofton se, në zbatim të kompetencave dhe detyrimeve ligjore të parashikuara në legjislacionin që rregullon marrëdhëniet në fushat e përgjegjësisë  së saj shtetërore, konkretisht në legjislacionin tatimor, ligji nr. 9920 datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar (ligji nr. 9920), ndërmori nismën legjislative për një ndërhyrje në Udhëzimin nr. 24, datë 02.08 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar (Udhëzimi nr. 24),  nëpërmjet Udhëzim nr. 44, datë 09.11.2020 “Për një ndryshim në Udhëzimin Nr. 24, datë 02.09.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” (Udhëzimi nr. 44).

Nisma për kryerjen e ndërhyrjes legjislative nëpërmjet Udhëzimit nr. 44 erdhi si rezultat i kërkesave të shoqatave të biznesit dhe pas një diskutimi të gjatë në Këshillin e Investimeve, i cili përfaqëson dhe përcjell shqetësimet e komunitetit të biznesit. Për çdo nevojë sqaruese mbi këtë komunikim, të gjithë takimet e nisura prej muajit Janar 2020 janë të dokumentuara në Sekretariatin e Këshillit të Investimeve.

Saktësimet e bëra në këtë Udhëzim, u kërkuan të adresojnë dhe unifikojnë problematikën e ngritur nga bankat dhe tatimpaguesit për mënyrën e operimit të administratës tatimore në lidhje me mbledhjen me forcë të detyrimeve, ku janë konstatuar praktika të ndryshme në rajone të ndryshme apo për tatimpagues të ndryshëm.

Për të sqaruar komunitetin e biznesit, udhëzimi vjen në linjë me ligjet në fuqi pasi është një akt juridik shpjegues dhe nuk shkon në asnjë rast jashtë kompetencave që njeh ligji.

Pas publikimit në Fletoren Zyrtare të këtij akti nënligjor, Udhëzimi nr. 44, grupe të caktuara interesi nga biznesi reaguan me komente kundërshtuese, referuar  paragrafit të fundit “Në zbatim të nenit 99, të ligjit nr. 9920/2008…”

MFE, në ushtrim të përgjegjësisë ligjore, rolit të saj dhe politikës që ndjek Qeveria Shqiptare për të qenë në mbështetje të plotë ndaj sipërmarrjes dhe biznesit, reagoi menjëherë duke bërë edhe njoftim për mediat në faqen e saj elektronike, si dhe vuri në lëvizje strukturën përgjegjëse për konsiderimin e komenteve kundërshtuese të administruara nëpërmjet shkresave, si dhe ato verbale e mediatike të bëra nga faktorë të ndryshëm për të njëjtën çështje.

Në kuadër të këtij procesi të vlerësimit të komenteve kundërshtuese si dhe të dhënies së zgjidhjes së duhur, sqarojmë se:

Në lidhje me paragrafin e fundit të pikës 90.1 të Udhëzimit nr.44, datë 09.11.2020, i cili trajton masën preventivuese ndaj ortakut/aksionerit/administratorit, pra bllokimin e llogarisë:

Qëllimi i këtij paragrafi është të vendosë rregulla sa më të qarta për administratën tatimore dhe subjektet, ku masa shtrënguese preventivuese nëpërmjet bllokimit të llogarive të ortakut/aksionerit/administratorit, fillon vetëm pasi të jenë ezauruar të gjitha masat shtrënguese mbi personin juridik të parashikuara ligjërisht .

Procedurat e mbledhjes së detyrimit nga ortaku/aksioneri/administratori, kur borxhi tatimor nuk është paguar nga shoqëria, që ata zotërojnë dhe administrojnë, është parashikuar qartësisht në nenin 99 të Ligjit dhe në nënpikat  99.1; 99.2; 99.3 dhe 99.4 të udhëzimit nr. 24, dhe këto akte ligjore dhe nënligjore nuk kanë ndryshuar, pra janë në fuqi dhe të zbatueshme.

Në nënpikën 99.1 të udhëzimit nr. 24 përcaktohet qartë që: “Transferimi i detyrimeve personave të parashikuar më sipër (ortakut, aksionarit dhe administratorit) lejohet vetëm në rastet e parashikuara në nenin 16 të Ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”.

Për këtë qëllim, së pari administrata tatimore duhet të ketë analizuar nëse personi juridik, përgjegjësia e të cilit për mospagimin e detyrimit tatimor u transferohet personave, ndodhet vërtet ne kushtet e neni 16 të ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare (Ligj nr. 9901, datë 14.4.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” të ndryshuar)”.

Për të eliminuar çdo mundësi keqinterpretimi dhe paqartësi të panevojshme, duke konsideruar maksimalisht shqetësimin e ngritur nga grupet e interesit, Ministria e Financës dhe Ekonomisë saktëson këtë çështje me Udhëzimin nr. 44, me disa ndryshime dhe shtesa sipas dokumentit në aneks.

Kjo ndërhyrje legjislative është në funksion të qëllimit për të ardhur në mbështetje të plotë të kërkesave të biznesit dhe adreson nevojat e shkaqet, të cilat çuan në nevojën e nxjerrjes së Udhëzimit nr. 44.

Bllokimi i llogarive bankare për ortakët dhe administratorët është antikushtetues; I hapet rrugë abuzimeve të skajshme nga tatimet

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of