Ndryshon vendimi i qeverisë “Për landfillet e mbetjeve”. Shtyhet me 4 vjet afati për zbatimin e planeve të miratuara nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit për kompanitë e depozitimit të mbetjeve.
Afati i planeve zbatuese për monitorimin e mbetjeve ishte parashikuar për të përfunduar në 31 dhjetor 2020. Me vendimin e ndryshuar, operatorët e depozitimit të mbetjeve kanë afat të zbatojnë planet e përmirësimit deri më 31 dhjetor 2024.
Vendimi sjell si risi edhe përgatitjen e një relacioni teknik shpjegues që Agjencia Kombëtare e Mjedisit duhet të përgatisë për rastet kur miraton planin e përmirësimit.
“Relacioni shpjegues përmban të dhëna mbi pikëzimin e venddepozitimit, si dhe ndikimin mjedisor, ekonomik e social të zonës ku ndodhet landfilli. Sekretariati shqyrton të gjithë dokumentacionin e përcjellë nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) dhe i përgatit një relacion përmbledhës Komitetit”, thuhet në dokumentin e botuar në Fletoren Zyrtare.
Një tjetër pikë e re në vendim është se në rast se operatorët e një venddepozitimi ekzistues nuk kanë burimet financiare ose aftësitë teknike për të përgatitur planin e përmirësimit të venddepozitimit me kërkesën e kompanisë të venddepozitimit, plani i përmirësimit të venddepozitimit dhe rehabilitimi mund të kryhen nga ministria përgjegjëse për mjedisin.
Sakaq për operatorët e një venddepozitimi ekzistues, pavarësisht nëse ka ose jo leje mjedisi do të kenë afat të përgatisin planin për përmirësimin e depozitimit deri më 31 dhjetor 2022 nga 31 dhjetor 2018 që ishte parashikuar në vendimin e mëparshëm.
Vendimi
Ishte
Operatori i një venddepozitimi ekzistues, pavarësisht nëse ka ose jo leje mjedisi, deri në datën 31 Dhjetor 2018, përgatit një plan përmirësimi të vendepozitimit dhe e paraqet atë për miratim në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit.
Bëhet
Operatori i një venddepozitimi ekzistues, pavarësisht nëse ka ose jo leje mjedisi, deri në datën 31 Dhjetor 2022, përgatit një plan përmirësimi të vendepozitimit dhe e paraqet atë për miratim në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit.”
Ishte
Agjencia Kombëtare e Mjedisit, pasi miraton planin e përmirësimit, e dërgon atë për shqyrtim në Komitetin Ndërministror për Mbetjet, i cili vendos për masat që duhen marrë dhe periudhën e nevojshme të tranzicionit për zbatimin e tyre, periudhë e cila në çdo rast përfundon në datën 31 Dhjetor 2020.
Bëhet
Agjencia Kombëtare e Mjedisit, pasi miraton planin e përmirësimit, e dërgon atë për shqyrtim pranë Komitetit Ndërministror për Mbetjet, i cili vendos për masat që duhen marrë dhe periudhën e nevojshme të tranzicionit për zbatimin e tyre, periudhë e cila në çdo rast përfundon në datën 31 dhjetor 2024.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit, në rastet kur miraton planin e përmirësimit, përgatit një relacion shpjegues teknik për Sekretariatin Teknik të Komitetit, i cili dërgohet së bashku me planin e përmirësimit. Relacioni shpjegues përmban të dhëna mbi pikëzimin e venddepozitimit, si dhe impaktin mjedisor, ekonomik e social të zonës ku ndodhet landfilli. Sekretariati shqyrton të gjithë dokumentacionin e përcjellë nga AKM-ja dhe i përgatit një relacion përmbledhës Komitetit. /D.Azo
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.