Flet Sava Bardhi, administratore e “Sava Tours”
Të udhëtosh brenda Shqipërisë, duke kaluar rezervimin nëpërmjet agjencive, ende nuk është në kulturën e përgjithshme tonën. Ndaj turizmi vendas, që mund të ketë ndihmuar strukturat hoteliere, nuk ka pasur të njëjtin ndikim pozitiv edhe tek agjencitë.
Gjithsesi të kufizuar në lëvizje, me apo pa rezervime agjencie, 2020 ishte viti kur shqiptarët zbuluan vendin e tyre. Kështu shprehet Sava Bardhi administratore e “Sava Tours”, e cila theksoi se situata e agjencive është kritike dhe një pjesë e mirë kanë falimentuar.
Në këtë situatë ajo shprehet se ka zgjedhur të rrezikojë, duke mos larguar nga puna punonjësit, sikurse është vepruar rëndom në treg për të mbijetuar, pasi janë vite të tëra përvoje dhe investimi të bëra në burime njerëzore.
Si paraqitet situata e përgjithshme e segmentit të agjencive turistike një vit nga nisja e pandemisë?
Situata e agjencive turistike një vit pas fillimit të pandemisë është dramatike, sepse industria e turizmit është më e goditura nga kriza. U goditëm që në fillim, pasi ndalëm të parët aktivitetin dhe me shumë gjasa do ta nisim të fundit kthimin në normalitet.
Cilat janë pritshmëritë në vazhdim, duke pasur parasysh gjendjen aktuale dhe pasigurinë?
Sigurisht ne shpresojmë që, të paktën, duke nisur nga muaji maj 2021, lëvizja do rifillojë. E mendojmë se do të ketë plot kufizime por jam e bindur që, nëse fillon dhe vaksinimi i popullsisë, ka të ngjarë të kemi lehtësime graduale dhe lëvizja e lirë të kthehet.
Si e ka ndikuar pandemia pjesën e të ardhurave, pra qarkullimit të agjencive?
Të ardhurat për sektorin e turizmit janë ulur 90% dhe në raste të caktuara dhe 100%, duke çuar në mbylljen e shumë agjencive, të cilat praktikisht kanë falimentuar.
Si i keni riorganizuar paketat apo destinacionet turistike në kushtet e kufizimeve?
Në kushtet e kufizimeve jemi përpjekur të organizojmë udhëtime në ato pak destinacione të cilat kanë qenë ende të hapura si Turqia, Dubai, Maldivet, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Gjithashtu dhe shumë destinacione brenda vendit, të cilat janë rivlerësuar nga shqiptarët.
A ka pasur destinacione që janë kthyer në trend për shkak të kufizimeve?
Shqipëria, siç e thashë dhe më lart, është destinacioni më i ri i shqiptarëve. Qytete si Korça, Pogradeci janë kthyer në trend dhe po ashtu, Veriu i Shqipërisë.
A ka mjaftuar vetëm turizmi i brendshëm për mbijetesën e sektorit?
Efekti i turizmit të brendshëm në sektor ka qenë modest. Ka pasur shumë pak ndikim.
Si janë prekur shpenzimet dhe burimet njerëzore brenda agjencive në harkun e një viti?
Shpenzimet, fatkeqësisht, janë të njëjtat dhe të ardhurat gati zero. Burimet njerëzore, për pjesën më të madhe të agjencive, janë reduktuar por për shembull, në rastin tonë dhe shumë kompanive që njoh, stafi nuk është prekur nga kriza, sepse nuk është e thjeshtë të nxjerrësh në rrugë njerëz për të cilët ne si kompani kemi investuar në vite.
Si ka funksionuar pjesa e kuponëve për rezervimet para pandemisë?
Pas daljes së Aktit Normativ të qeverisë në qershor 2020, e cila për mendimin tim ishte e vetmja “ndihmë” nga qeveria, shumë nga klientët vendosën që pagesat e bëra t’i shfrytëzonin si depozitë për pushimet e kësaj vere dhe për fat, kjo gjë funksionoi. Patëm mirëkuptimin e pjesës më të madhe të klientëve. Një pjesë kanë nisur dalëngadalë të rimbursohen dhe deri në qershor 2021 procesi do ketë përfunduar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.