Tulipanë në një varkë që lundron nëpër rrugët ujore të Amsterdamit, duke shpërndarë buqeta për kalimtarët: e çfarë mund të jetë më tipike holandeze se kaq?
Fillimi i sezonit të tulipanëve në Holandë u hap duke dhuruar mijëra buqeta për kalimtarët e ndryshëm.
Organizatorët e eventit lundruan nëpër kanalet ujore historike të Amsterdamit për të shpërndarë lulet falas për kalimtarët.
Ky event shënon Ditën Kombëtare të Tulipanëve (15 Janar).
Tulipanët – një simbol i Holandës
Eventi organizohet çdo vit për të festuar fillimin e sezonit të rritjes për këto lule simbolike për vendin, që përbëjnë një produkt kryesor të eksportit për fermerët holandezë.
Zakonisht, në vitet e shkuara, organizatorët përgatisnin një kopsht me lule përpara pallatit mbretëror në sheshin qendror Dam.
Por, kjo gjë do të tërhiqte turma të mëdha me njerëz, në një kohë kur grumbullimet në hapësirat publike vazhdojnë të jenë të kufizuara për shkak të COVID.
“Tulipanët janë një produkt shumë popullor. Mund t’i gjeni në ngjyra të ndryshme dhe kjo është arsyeja pse pëlqehen kaq shumë. Gjithashtu, tulipani nuk është një lule shumë e shtrenjtë për njerëzit. Me vetëm 3-5 euro, mund të blini çdo javë një buqetë shumë të bukur për në tryezën tuaj”, thotë Arjan Smit, kryetar i organizatës për promovimin e tulipanëve në Holandë.
Andre van Duin, një komedian dhe personazh i njohur televiziv në Holandë, ishte gjithashtu në varkë, duke ndihmuar në shpërndarjen e mijëra buqetave.
Disa buqeta u shpërndanë në një nga urat e shumta të qytetit, për të gjithë ata që nuk i fshehën emocionet e këtij eventi, ndërsa tulipanët e tjerë shpërndaheshin nëpërmjet rrjetave të gjata të peshkimit. Të dyja këto mënyra ishin një zgjidhje e mirë për t’iu përmbajtur rregullave të distancimit social. / Euronews