Prodhuesit e rrugëve përdorin plastikën e ricikluar për sipërfaqe më të forta
Nga e gjithë plastika e prodhuar që nga viti 1950, më pak se 10% e saj është ricikluar. Shumica dërrmuese përfundon në landfille. Një pjesë tjetër e madhe e saj përfundon në lumenj dhe më pas derdhet në det. Fatkeqësisht problemi i mbeturinave plastike përkeqësohet gjithnjë e më shumë. Vetëm gjatë këtij viti që po lëmë pas priten të grumbullohen rreth 380 milionë tonë mbetje plastike. Kjo është rreth tre herë më shumë se 120 milionë tonë bitum të prodhuar çdo vit, shumica e të cilit shkon në ndërtimin e rrugëve të botës.
Por këtu qëndron edhe lidhja ndërmjet këtyre të dyjave. Të dyja janë nënprodukte dhe të dyja polimere që përbëhen nga fijet e gjata të molekulave të lidhura së bashku fort me njëra-tjetrën. Është pikërisht kjo karakteristikë e saj ajo që e bën plastikën të fortë dhe të ketë jetëgjatësi. Karakteristika të tilla janë të rëndësishme për ndërtuesit e rrugëve, të cilët përdorin bitumin e nxehtë për të lidhur së bashku agregatet e bëra nga shkëmbinj dhe gurë të thyer, në atë që zakonisht njihet si asfalt. Të gjitha këto karakteristika i kanë bërë njerëzit, por sidomos ndërtuesit e rrugëve të mendojnë për të shkëmbyer njërin polimer me tjetrin. Plastika e ricikluar është përdorur për të bërë produkte të ndryshme, si tubat e kanalizimeve.
Ndërsa së fundmi mesa duket, vëmendja është kthyer te ndërtimi i rrugëve. Gjatë muajit të kaluar, në Zwolle, një qytet në Holandë, u shtrua një pistë rreth 30 metra e gjatë për biçikletat, ku rreth 70% e saj përbëhej nga plastika e ricikluar dhe pjesa tjetër nga polipropileni. Ajo do të përdoret për të testuar një produkt të quajtur Rrugët Plastike, i cili po zhvillohet nga dy firma holandeze, KWS, një firmë që merret me ndërtimin e rrugëve dhe Wavin, një firmë që merret me ndërtimin e tubacioneve plastike, në bashkëpunim me Totalin, një firmë franceze të naftës dhe gazit.
PlasticRoad është parafabrikuar në një fabrikë si pjesë modulare.
Pjesët pastaj transportohen në vendin përkatës dhe vendosen me saktësi mbi bazë të përshtatshme, si rëra. Brenda tyre inkorporohen tubacione të brendshme për kullim, së bashku edhe me kanalizime për shërbime si kalimi i gazit dhe energjisë elektrike. Për projektin në qytetin e Zwolle të Holandës u përdorën disa pjesë rruge me përmasa 2.4 metra të gjata dhe 3 metra të gjera. Këto u pajisën me sensorë për të matur temperaturën dhe rrjedhën e ujit nëpër kanalizimet e kullimit. Një projekt pilot i dytë po ndërtohet në qytetin e afërt të Giethoorn.
Rrugët e zgjuara, gjithashtu
Nëse gjithçka shkon mirë, krijuesit shpresojnë ta zhvillojnë edhe më tej idenë dhe të ndërtojnë seksione rrugësh tërësisht nga plastika e ricikluar. Rrugicat, parkingjet dhe platformat hekurudhore mund të jenë pjesë e këtij projekti. Këto rrugë mund të përmbajnë sensorë për të monitoruar edhe trafikun. Rrugët plastike të parafabrikuara mund të kenë një jetëgjatësi 2-3 herë më të madhe se ato konvencionale dhe mbi të gjitha do të kenë edhe një kosto më të lirë, pretendojnë kompanitë përkatëse. Sipërfaqet e parrëshqitshme mund të bëhen pjesë e këtij projekti, duke përfshirë këtu gurët e grirë, të cilët tradicionalisht përdoren për të veshur sipërfaqet e rrugëve.
Por inxhinierët do të vazhdojnë të monitorojnë dhe të vëzhgojnë nëse kjo strukturë e re do të shkaktojë rezonancë, duke e bërë këtë rrugë shumë të zhurmshme. Një metodë alternative e përdorimit të plastikës së ricikluar është përzierja e materialit në bitum të nxehtë, në momentin kur bëhet asfaltimi. Rruga do të ndërtohet në kampusin e Universitetit të Kalifornisë, San Diego, për të testuar një numër të caktuar produktesh plastike të përziera, të cilat do të përdoren për shtrimin e rrugëve, sipërmarrje kjo që do të kryhet nga firma britanike MacRebur. Çdo përzierje përbëhet nga plastikë që nuk riciklohet lehtë apo me kosto të ulët dhe prandaj përfundon në landfille, shprehet Toby McCartney, i cili themeloi firmën MacRebur në vitin 2015, së bashku edhe me një grup kolegësh të tjerë.
MacRebur e pastron fillimisht plastikën, më pas e klasifikon atë dhe në fund e preson atë. Plani është që kjo pjesë e procesit të kryhet në lokalitetet ku do të riparohen rrugët, në mënyrë që mbetjet plastike lokale të përdoren për të prodhuar rrugët e po atij vendi. Çdo përzierje mund të përmbajë 20 ose më shumë polimere të ndryshme për sipërfaqe specifike. Një përzierje, për shembull, mund të jetë e përshtatshme për një korsi autobusi, duke marrë parasysh ngarkesën e rëndë që ai ka. Një tjetër do të siguronte njëfarë fleksibiliteti në një zonë të trafikut, si një rreth-rrotullim, ku forcat anësore të rrotave të automjeteve mund ta prishin atë. Dhe për shkak se plastika e shtuar ndihmon në mbylljen e gropave të vogla në rrugë, të cilat mund të lejojnë që uji të qëndrojë poshtë sipërfaqes së saj dhe të shkaktojë shkatërrimin, asfalti i modifikuar mund të ndihmojë në parandalimin e krijimit të gropave.
Përzierjet e ndryshme të plastikës janë përdorur tashmë në rrugë, parkingje makinash dhe pista aeroportesh në shtete të ndryshme të botës. Një nga projektet më të vjetra është shtrimi i një rruge në Cumbria, në Britaninë veriperëndimore, e cila përdoret gjerësisht nga kamionë me ngarkesa të rënda. Kjo rrugë zakonisht ka pasur nevojë që t’i shtrohej sipërfaqja çdo gjashtë muaj, por me shtimin e plastikës, ajo vazhdon të jetë e fortë edhe pas dy vjetësh, thotë z. Mçartney. Në momentin që sipërfaqja e kësaj rruge do të ketë nevojë sërish për t’u rishtruar, materiali i përdorur mund të riciklohet përsëri. Pastrimi dhe klasifikimi i plastikës i përbërë nga polimere të shumëfishta mund të jetë relativisht me kosto të shtrenjtë, sidomos nëse përdoret për të prodhuar produkte me vlerë të vogël si paketimi. Por duke përdorur një plastikë si një zëvendësues të bitumit, ajo do të jetë me kosto efektive, pohon z. McCartney.
Ai jep më tej edhe shembullin se, një ton bitum mund të kushtojë rreth 400 paund (521 dollarë amerikanë) në Britani. Një shtues plastik i ricikluar, për një rrugë standarde mund të kushtojë nga 300-350 paund për ton. Shtesa do të zëvendësonte një pjesë të bitumit, prandaj do të bëheshin kursime. Aktualisht 5-10% e bitumit zëvendësohet nga aditivët, por kjo mund të shkojë edhe deri në 25%. Australia është tjetër shtet që po fillon ta përdorë plastikën e ricikluar në shtrimin e rrugëve. Në fillim të këtij viti u përfundua një shtrim rruge prej 300 metrash në Rayfield Avenue, Craigieburn, një lagje e Melburnit, duke përdorur një substancë të quajtur Plastifalt.
Ky përbëhej nga një material i ricikluar nga më shumë se 200,000 çanta plastike dhe 63,000 shishe qelqi të thërrmuara. E gjithë kjo u përzje në 50 tonë asfalt për të krijuar një total prej 250 tonësh material për ndërtimin e rrugës, e cila do të monitorohet për të parë se si funksionon. Stuart Billing nga Downer, një firmë e përfshirë në ndërtimin e rrugës, tha se kostoja e përdorimit të materialeve të ricikluara ishte e krahasueshme me ndërtimin e një rruge sipas mënyrës së zakonshme.
Por cilësia e saj do të jetë më e lartë dhe ajo do të ketë më shumë jetëgjatësi në krahasim me një rrugë të ndërtuar sipas mënyrës së zakonshme. Zyrtarët në Craigieburn mendojnë se sasia e plehrave që u përdorën për ndërtimin e rrugës është e barabartë me atë që banorët e Rayfield Avenue do të kishin hedhur në kazanët e tyre gjatë dhjetë viteve të fundit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.