Zgjidhjet e smart mobility (lëvizshmërisë inteligjente) mund të reduktojnë deri në 18% të emetimeve të CO2 në Europë.
Ky përfundim del në një studim të porositur nga Qualcomm Europe në Universitetin Kaiserslautern-Landau, sipas të cilit avantazhet parashikojnë edhe shkurtimin e kohës së transportit me 15 orë në vit gjatë orëve të pikut.
Çfarë del në studim
Aplikimet e shqyrtuara në studim përfshijnë përmirësimin e qyteteve, si sinjalet rrugore dinamike, kryqëzimet dhe itinerarin. Objektivi është zvogëlimi i ndalesave dhe bllokimeve të trafikut, duke përmirësuar efikasitetin dhe kohën e udhëtimit.
Studimi tregon se vetëm 20% e automjeteve të lidhura në rrugët urbane të BE-së mund të kursejnë deri në 18% të emetimeve të CO2.
Disa vende të BE-27, për shembull Gjermania, mund të regjistrojnë tkurrje të emetimeve deri në 24%.
Potenciali i automjeteve të lidhura për të reduktuar emetimet që shkaktohen nga transporti përfaqëson përparim të ndjeshëm drejt objektivave të Marrëveshjes së Gjelbër (Green Deal) të BE-së, me të cilën Komisioni
Europian synon të arrijë reduktimin me 90% të emetimeve të lidhura me transportin brenda vitit 2050.
Studimi parashikon se qytetet e BE-së, me popullsi që variojnë nga më pak se 100,000 deri në më shumë se 500,000 banorë, mund të arrijnë përfitime nga automjetet e lidhura si reduktimi i emetimeve dhe lehtësimi i trafikut.
Skenari aktual në Europë
Me rritjen e temperaturave në botë dhe emetimeve të gazrave serrë, strategjitë klimatike po zënë gjithnjë e më shumë hapësirë në strategjitë e prioriteteve të shumë vendeve. Emetimet e gazeve serrë në vendet e BE 27 u ulën me rreth 24.3% nga viti 1990 në 2019, por sektori i transportit regjistroi rritje 13%.
Që nga viti 2019, sektori i transporteve përfaqëson rreth 25% të emetimeve të gazeve serrë të BE27, ku lëvizja me automjet personal, kamionët, taksitë, autobusët, etj. përfaqësojnë 74%.
Transporti rrugor ka potencialin më të lartë për të reduktuar emetimet. Megjithatë, teknologjia aktuale e motorëve me djegie të brendshme nuk do të arrijë objektivin afatgjatë të BE-së për emetime neto zero deri në vitin 2050.
Kjo do të thotë se duhet të fillojnë të përdoren teknologjitë e reja si elektrifikimi i automjeteve, automatizimi dhe masat e efikasitetit operacional dhe të lëvizshmërisë.
Snapdragon Digital Chassis, në qendër të zgjidhjes
“Rezultatet e këtij studimi tregojnë se si teknologjia mund të ndihmojë në reduktimin e emetimeve, duke e bërë transportin rrugor më efficient dhe të qëndrueshëm, duke mos e komprometuar sigurinë e drejtuesve – thotë Enrico Salvatori, zv.presient dhe president i Qualcomm Europe/Mea, Qualcomm Europe.
Duke përdorur zgjidhjet tona automotive Snapdragon Digital Chassis, mjaft të përparuara, që përfshijnë telematikën dhe lidhjen, kabinën dixhitale, ndihmën në drejtim dhe automatizimin e automjetit, ne po ndihmojmë shtëpitë automobilistike në projektimin dhe ndërtimin e makinave të lidhura dhe autonome të gjeneratës së re.
Studimi është një hap i rëndësishëm drejt përdorimit më të gjerë të automjeteve të lidhura dhe një transporti rrugor më të gjelbër dhe efficient për të gjithë”.
/ Corriere Comunicazioni
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.