Qeveria ka ndërmarrë nismën për rishikimin e disa praktikave ligjore që do të përmirësojnë menaxhimin e sektorit minerar, si një nga më problematikët në vend. Dy duket se do të jenë ndryshimet kryesore: mbi servitutin dhe nënkontraktorët. I pari përcakton qartë që t’i jepet fund shfrytëzimit të rrugëve ekzistuese nga ana e subjekteve dhe realizimin e investimeve të reja ndërsa i dyti kërkon të qartësojë marrëdhënien mes shfrytëzuesit dhe nënkontraktorit. Ndryshimet synojnë që t’i bëjnë këto marrëdhënie më të qarta
Minierat do të “disiplinohen”. Të paktën kështu synojnë të sjellin ndryshimet ligjore të propozuara nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë që kërkojnë t’i sjellin tregut transparencën dhe investimet e munguara për vite me radhë.
Për ministrin e Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, ndryshimet do të zbatohen edhe në sipërfaqet e zonave minerare. “Një proces i cili ka notuar në zonën gri mes ligjit dhe mungesës së ligjit e që tanimë duhet të normohet pasi ka qenë një fenomen jo i rregulluar e që shpeshherë ka qenë edhe pre e abuzimeve”, tha ministri Gjiknuri në paraqitjen e amendimeve.
Sipas tij, parashikohet gjithashtu përcaktimi i zonave minerare të cilat do të licencohen për aktivitet minerar, kërkim – zbulim dhe shfrytëzimi. Do të ndryshojë zëri kadastral për sipërfaqet e licencuara të aktivitetit minerar. “Kemi një ndërhyrje që ka të bëjë me garancitë financiare për investimet. Ky amendim parashikon çlirimin e subjekteve nga pagesa e garancisë pas përfundimit të periudhës së investimit. Parashikohet saktësimi i karrierave minerare për qëllime publike, pra për ato vepra publike që kanë nevojë. Nuk kanë pse të mbeten peng veprat publike për shkak të lojërave që bëhen me leje minerare për gurore apo shfrytëzime të tjera të komunave apo të interesave të vogla, që shpeshherë janë kthyer si një taksë gjobëvënie për shumë investime të mëdha publike”, tha ministri.
Sipas Gjiknurit, drafti fut konceptin e rehabilitimit progresiv të mjedisit, çështje e cila është anashkaluar fare duke u parë vetëm aspekti i shfrytëzimit minerar.
“Ka pasur një problem të madh me minierat e braktisura, me minierat e vjetra, që kanë mbaruar punë dhe janë kthyer në një burim rreziku për jetë njerëzish. Qeveria shqiptare ka alokuar një fond dhe po punohet që të fillojë procesi i mbylljes së këtyre minierave”, sqaroi kreu i Energjisë dhe Industrisë. Ndërsa bëri me dije se janë bërë disa rregullime edhe në lidhje me nënkontraktorët, me transferimin e licencave dhe elemente të tjera. “Është përcaktuar edhe një çështje tjetër që është delikate dhe shumë e rëndësishme në lidhje me fenomenet e servituteve nëntokësore. Po them se një pjesë e gangrenës së Bulqizës lidhet me këtë fenomen, me vendime gjykatash të cilat kanë dhënë detyrime për servitut, por njëkohësisht janë kthyer edhe si hapësira për të abuzuar, ku asnjë nuk mban më përgjegjësi e që më pas rrisin rrezikshmërinë në atë zonë. Kjo ka nevojë për një rregullim tepër të fortë dhe unë them që propozimi ynë është që ky servitut nëntokësor të ndalohet. Do t’u lëmë kohë subjekteve të marrin masat për t’u përshtatur, por nuk mund të ketë në galeri situata siç ka ndodhur në Bulqizë ku me vendime gjykatash kanë arritur të marrin servitute dhe janë kthyer në një fenomen jashtëzakonisht problematik për zonën”, tha ministri Gjiknuri.
Megjithatë, ende nuk dihet nëse ndërhyrjet në ligjin minerar do të detyrojnë subjektet që kapitalin e përfituar nga burimet e nëntokës shqiptare do të duhet ta riinvestojnë brenda vendit. Fakt është që abuzimi në këtë sektor është tepër i lartë, qeveria nuk ka shifra konkrete të nxjerrjes së mineraleve dhe për çdo të dhënë bazohet tek arkiva e doganave për eksportet. Madje të dhënat mungojnë edhe për sa u përket subjekteve që shfrytëzojnë nëntokën shqiptare, pasi një pjesë e mirë e tyre punojnë të palicencuar ose si nënkontraktorë, ose duke u mbështetur te ligji i më të fortit.
Pak kohë më parë FIAA (Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri), bëri me dije se Shqipëria po humbet konkurrueshmërinë në sektorin minerar pasi tarifat e kërkimit të mineralit janë më të larta se në rajon.
Ndryshimet e propozuara në bazë të projektligjit
1. Ndryshime lidhur me saktësimin e disa përkufizimeve si dhe përfshirjen e një përkufizimi shtesë që lidhet me ndryshime të mundshme në koordinatat e sipërfaqes së një zone minerare të licencuar, me qëllim vazhdimësinë e veprimtarisë minerare në këto zona.
2. Saktësimin e kritereve të përcaktimit të zonave minerare për lejet e kërkim-zbulimit, të cilat do të jenë objekt i procedurave konkurruese.
3. Përfshirjen e mundësisë së dhënies së lejeve për karrierat minerare, jo vetëm kur ekziston një interes i komunitetit lokal, por edhe kur ka një interes kombëtar.
4. Formalizimin e nënkontraktimit, fenomen i cili aktualisht ekziston, duke përcaktuar kushte të sakta për nënkontraktimin e shërbimeve të ndryshme të veprimtarisë minerare.
5. Saktësimin e konceptit të servitutit ligjor dhe detyrimin e zotëruesve të lejeve minerare që të shmangin përdorimin e galerive të nëntokës që janë ndërtuar apo shfrytëzohen nga subjekte të tjera dhe të realizojnë ndërtimin e galerive sipas planeve të investimit.
6. Përcaktimin e organit ku drejtohen ankimet administrative dhe saktësimin e afateve në procedurën e revokimit të lejeve minerare.
7. Ndryshime për sa i përket periodicitetit të paraqitjes së garancive financiare për realizimin e planit të investimeve.
8. Kushtet e revokimit të lejeve minerare kur ka mbivendosje me leje të dhëna më parë.
Servitutet
Ndryshimet e propozuara në këtë parashikim, pra ndryshimi i nenit 35 dhe 36, synojnë që të saktësojnë konceptin e servitutit ligjor në pronën fqinje me zonën minerare, duke përcaktuar se servituti ligjor i detyrueshëm është i aplikueshëm vetëm për të drejtën e kalimit në sipërfaqen në pronën fqinje me zonën minerare. Referuar parashikimit aktual, mjaft zotërues të lejeve minerare, në kundërshtim të hapur me planin e investimeve, pas përfitimit të lejeve minerare, kanë kërkuar servitutin e detyrueshëm mbi galeritë nëntokësore të hapura apo të zotëruara nga subjekte të tjera minerare. Në këtë kuptim, në emër të servitutit të detyrueshëm ligjor, këta subjekte kanë kërkuar investimin e gjykatave dhe në bazë të vendimeve gjyqësore kanë fituar të drejtën për të përdorur galeritë nëntokësore të ndërtuara nga subjekte të tjera për të arritur trupin minerar në zonën minerare të caktuar. Kjo procedurë është ndjekur nga zotëruesit e lejeve minerare për të ulur kostot e tyre edhe pse është detyrim ligjor i tyre që të marrin masat dhe të realizojnë investimet e duhura në mënyrë që të realizojnë shfrytëzimin efektiv të zonës minerare.
Si rezultat i kësaj situate, mjaft subjekte minerare, edhe pse gjatë procedurës konkurruese kanë marrë përsipër realizimin e investimeve, tashmë aksesojnë trupin minerar nëpërmjet galerive nëntokësore të ndërtuara apo të zotëruara nga subjektet e tjera. Kjo situatë sjell mungesë kontrolli të veprimtarisë së këtyre subjekteve, të cilat shpesh si rezultat i aksesit që kanë në galeritë e subjekteve të tjera, mund të cenojnë rregullat e sigurimit teknik apo shfrytëzojnë edhe zona për të cilat nuk janë licencuar, por që i përkasin zotëruesit të galerisë nëntokësore. Njohja e kësaj të drejte nëpërmjet vendimeve gjyqësore ka bërë që çdo subjekt, pavarësisht kapacitetit financiar, teknik e profesional, të jetë zotërues i lejeve minerare edhe pse minimalisht nuk ka kapacitetin që të ndërtojë galerinë për të shfrytëzuar zonën minerare. Është edhe në interes të shtetit që në zona të caktuara që gjenden burime minerare, subjektet e licencuara të marrin masa që të krijojnë të gjithë infrastrukturën e nevojshme në mënyrë që të bëhet shfrytëzimi eficient i kësaj zone.
Nënkontraktorët
Neni 8. Ndryshimet e propozuara në këtë parashikim të projektligjit, që konsistojnë në shtimin e nenit 17/1, kanë të bëjnë me rregullimin e formalizimin e marrëdhënieve të nënkontraktimit ndërmjet zotëruesve të lejes minerare dhe subjekteve të treta. Edhe pse dispozitat e ligjit që rregullojnë veprimtarinë minerare, aktualisht nuk referojnë në parashikime konkrete për sa i përket marrëdhënies së nënkontraktimit, nga verifikimi i situatës aktuale rezulton se mjaft aktivitete të veprimtarisë minerare, duke përfshirë edhe shfrytëzimin, janë dhënë me nënkontraktim te subjekte të tjera. Sa më sipër, në funksion të qëllimit të kontrollit e respektimit të kushteve të sigurisë teknike, del si nevojë formalizimi i kësaj situate të krijuar ndër vite e në këtë kuptim propozohet që të përfshihet si parashikim në ligj, e drejta e nënkontraktimit dhe kushtet kryesore të miratimit të saj. Kriteret e detajuara të mënyrës së krijimit dhe miratimit të kësaj marrëdhënie nënkontraktimi, kushtet që duhet të plotësojë nënkontraktori, do të përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Sqarojmë se në marrëveshjet koncesionare, të cilat janë miratuar me akte ligjore dhe nënligjore, parashikohet e drejta e koncesionarëve për të dhënë me nënkontraktim shërbime të ndryshme. Në këtë kuptim, me përfshirjen e këtij kushti në ligjin minerar çmojmë se subjektet e lejeve minerare, subjektet koncesionare dhe subjektet që kanë fituar të drejta minerare në bazë të këtij ligji, do të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe njëkohësisht do të bëhet i mundur disiplinimi i këtyre aktiviteteve.
Të tjera
Neni 25. Ndryshimi i propozuar në nenin 47 ka të bëjë me përfshirjen në kushtet e revokimit të lejeve minerare, edhe të kushtit kur leja ka mbivendosje me një leje minerare të dhënë më parë.
Është shtuar pika 2 duke përcaktuar të ndara kategoritë e zonave minerare, që i nënshtrohen procedurës konkurruese për lejet e kërkim-zbulimit, nga kategoritë e zonave minerare për lejet e shfrytëzimit.
Për shkak të specifikës së aktivitetit, subjektet që marrin pjesë në procedura konkurruese apo jo konkurruese, duhet të zotërojnë një kapacitet teknik të caktuar, duke përfshirë edhe personelin përkatës që do të angazhohet në këtë veprimtari. Në bazë të këtij kushti, që përfaqëson një detyrim për zotëruesit e lejeve minerare, këtyre të fundit u kërkohet që të disponojnë personel të kualifikuar gjatë gjithë kohëzgjatjes së lejes minerare dhe jo vetëm gjatë procedurës konkurruese. Kjo kërkesë synon jo vetëm që të realizohet me efektivitet veprimtaria minerare, por njëkohësisht të merren edhe masat që të shmangen aksidentet e të respektohen kushtet për sigurinë në punë.
Neni 14. Ndryshimet e propozuara në këtë parashikim të projektligjit kanë të bëjnë me përcaktimin e afateve kohore të aplikimit për shtyrjen e afatit të një leje minerare të kërkim-zbulim-shfrytëzimit, e cila jepet për grupin e mineraleve të çmuara dhe gjysmë të çmuara. Në rast se kjo e drejtë nuk është ushtruar brenda afateve të përcaktuara në ligj, atëherë bie në pre-ekskluzivitet (dekadencë) dhe zotëruesi i lejes minerare nuk mund ta depozitojë aplikimin për shtyrje të afatit të lejes.
Ndryshimi i nenit 29 ka të bëjë me shfuqizimin e kushteve dhe kërkesave të tepërta ndaj subjekteve pjesëmarrës në procedurat konkurruese të dhënies së lejeve minerare. Konkretisht propozohet shfuqizimi i germës (ë) të nenit 29, që ka të bëjë me kushtin e përcaktuar ndaj subjekteve që marrin pjesë në procedura për përfitimin e lejeve minerare, për të paraqitur dokumentin që pasqyron shprehjen e mendimit të njësive të qeverisjes vendore për lejet që përfshijnë kërkim-zbulimin dhe shfrytëzimin. Ky kusht është konsideruar i tepërt, duke qenë se mendimi i organeve të qeverisjes vendore merret që në momentin e miratimit të planit vjetor minerar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.