Në gjashtë muaj, diaspora dërgoi në Kosovë mbi 430 milionë euro

07/08/2020 11:58 AM 0 komente

Edhe pse Banka Qendrore e Kosovës kishte paralajmëruar rënie të remitancave me 4.7% , për shkak të pandemisë COVID-19, kjo gjë nuk ka ndodhur.
Dërgesat familjare të mërgimtarëve kanë qenë 27.8 milionë euro më të larta në gjashtë muajt e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, mërgimtarët kanë dërguar 433.2 milionë euro.

 

Pavarësisht pandemisë COVID-19, mërgata e Kosovës e ka thyer rekordin e dërgesave të parave në vendin tonë.
Nga të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës, për gjashtë muajt e parë të vitit 2020, mërgata ka dërguar 27.8 milionë euro më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Të dhënat tregojnë se më shumë para u dërguan në muajin maj 2020, në vlerë 104 milionë euro. Sipas kanaleve të dërgimit, BQK thotë se, pjesa më e madhe janë transferuar me anë të agjencive të dërgesave të parave, kurse pjesa tjetër, me anë të bankave komerciale. Duke krahasuar të njëjtën periudhë të vitit aktual me atë paraprak, del se mërgata në drejtim të Kosovës për gjashtë muaj ka sjellë 433.2 milionë euro.

Për sa u përket dërgesave të mërgatës sipas vendeve, Gjermania është shteti ku më së shumti dërgohen para në drejtim të Kosovës, e ndjekur nga Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për kryetarin e Odës Ekonomikë të Kosovës, Berat Rukiqi, kjo rritje remitancash është shumë e mirë për ekonominë e vendit.

“Ky është rezultat i asaj që diaspora, pavarësisht se nuk ka ardhur ka vazhduar të kujdeset për pjesën e familjes që janë këtu dhe ndoshta një pjesë të mjeteve që nuk ka arritur t’i shpenzojë gjatë muajve të verës, gjatë pushimeve në Kosovë, vetëm i ka dërguar përmes dërgesave që realizohen përmes sistemit bankar. Normalisht kjo është shumë mirë për ekonominë e vendit”, ka thënë Rukiqi.

Ai pret që edhe gjatë muajve të tjerë të vitit të vazhdojë ky trend i dërgesave nga diaspora. Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, pati thënë ditë më paë se gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, përkatësisht në muajt mars dhe prill, ka rënie të remitancave. Ai kishte paralajmëruar se, mosardhja e diasporës në Kosovë, rrezikon në mos sjelljen e një miliard eurove të tjera nga shpenzimet e tyre.

“Nëse i referohemi vitit të kaluar, të hyrat nga remitancat kanë qentë 875 milionë euro ose në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto janë 12%. Pritjet tona janë që remitancat të kenë rënie diku 14.1%, gjatë këtij viti. Por, ne e kemi edhe kategori që diaspora i bën në Kosovë, ne i quajmë shpenzime të udhëtimit, ku kjo shumë është rreth një miliard euro.

Mosardhja e tyre në Kosovë do ta rrezikonte këtë shumën prej një miliard euro”, kishte thënë Mehmeti. Nga rezultatet paraprake të regjistrimit të diasporës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Europës dhe botës, të cilët i janë përgjigjur regjistrimit është rreth 350 mijë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of