Masat e ashpra si mbylljet në karantinë janë përhapur kudo në Kinë. Provinca Hubei, me një popullsi sa Italia, është në izolim të plotë
Fshati Weiji është një vend i zymtë në dimër, madje edhe pa bllokimin e rrugëve, me stafin mjekësor të veshur me kostume mbrojtëse në ngjyrë blu, që përdorin termometra elektronikë (të ngjashëm për nga forma me një pistoletë) për të kontrolluar ballin e shoferëve dhe pasagjerëve, nëse kanë apo jo temperaturë, shkruan The Economist.
Paletat e ngjyrave të fshatit variojnë nga grija e qiellit, te fushat e gjelbra e të sheshta me grurë dimri dhe kafja e gropave të mbushura aq thellë me baltë, saqë makinat e zakonshme e kanë shumë të vështirë të kalojnë. Skena të tilla janë të ngjashme edhe në shumë fshatra të tjerë në Kinë, por ndryshimi i vetëm i Weijit është se ai është një fshat kufitar, shumë pranë Hubeit, një province me rreth 60 milionë njerëz (afërsisht sa popullsia e Italisë), që po mbahet në izolim të plotë nga e gjithë bota, në mënyrë të tillë që të ngadalësohet sa më shumë të mundet përhapja e një prej viruseve më të rrezikshëm të kohëve të fundit, koronavirusit.
Qytetet kineze janë të mbushura plot me punëtorë nga fshatra të tilla si Weiji, ku pjesa më e madhe e tyre punojnë ose në ndërtim, ose shpërndajnë ushqime me motorë elektrikë. Gjatë rritjes së shpejtë të Kinës në 40-vjeçarin e fundit, kanë qenë pikërisht njerëz të tillë që kanë kontribuar në rritjen e pasurisë dhe zhvillimin e fshatrave. Ata i dërgojnë paratë që fitojnë në fshatrat e tyre të origjinës, nëpërmjet një aplikacioni të instaluar në smartfonët e tyre, sepse nuk mund të lëmë këtu pa përmendur faktin se Kina është shumë më përpara Perëndimit sa u takon pagesave elektronike. Ndërsa kur ata kthehen vetë në shtëpitë e tyre, marrin me vete edhe shumë dhurata dhe ushqime të blera në qytet.
Megjithatë, jo këtë vit. Rreth 200 emigrantë nga Weiji punojnë në kryeqytetin e Hubeit, Wuhan, qyteti ku u zbulua virusi. Duke qenë se një numër i madh i tyre u kthyen në fshat për të festuar Vitin e Ri që fillon me 25 janar, Weiji u shndërrua në një karantinë të madhe, duke bllokuar dhjetëra miliona kinezë në shtëpitë e tyre. Fushata për kontrollin e virusit është edhe ajo që bën kontrastin në fshatin e zymtë të Weijit, ku në rrugën kryesore pothuajse të zbrazur, në një baner të kuq të vendosur pikërisht në hyrje të tij, shkruhet: “Zbulojeni sa më parë! Trajtojeni sa më parë! Tarifat mjekësore të gjitha falas!”
Ai slogan inkurajues shoqërohet nga pas me një forcë të madhe në mënyrë të tillë që të zbatohet. Shefi i ri i Partisë Komuniste në këtë fshat, që gjithmonë shfaqet në publik i veshur me një pardesy të zezë, jep udhëzimet e tij nga lart. Makinat me targa Hubei nuk lejohen të futen brenda së bashku me të gjithë emigrantët që shkojnë për të punuar në atë krahinë dhe që duan të kthehen sërish në Weiji. Ata që arritën të kthehen në shtëpitë e tyre në Weiji përpara se të vendoseshin kontrollet më 20 janar, duhet t’u nënshtrohen kontrolleve të temperaturës dy herë në ditë dhe duhet të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, ku nuk lejohet hyrja e njerëzve të tjerë.
Ekspertët e huaj mund të debatojnë mbi efikasitetin mjekësor të karantinave në masë, por vendasit përshkruajnë një ndjenjë të ngushëllimit për të bërë diçka në luftën kundër atij që Presidenti Xi Jinping e quan një virus “djall”. Sipas një fermeri vendas, “kur qeveria nëpërmjet zyrtarëve të saj na njofton se ne duhet të rrimë në shtëpitë tona, atëherë ky është kontributi më i madh që gjithkush prej nesh mund të japë”, u shpreh ai.
Ndërsa një vendas tjetër u shpreh se kur qeveria i thotë popullit kinez të bëjë sakrifica për vendin, ata e dëgjojnë dhe i binden asaj. Këtu gjithçka funksionon shumë më ndryshe nga Perëndimi. Shumë fshatra janë izoluar nga bota e jashtme në mënyra të ndryshme, disa prej tyre duke përdorur barrikada në hyrje të tyre, ose duke ngritur mure betoni apo duke vendosur një traktor të parkuar për të ndaluar hyrjen e personave nga jashtë, siç është edhe rasti i fshatit Wangyoufang, në Henanin jugor.
Mao e kishte shumë më të lehtë
Përhapja e virusit, përveçse ka krijuar shqetësime të shumta dhe stres në sistemin shëndetësor publik, ajo ka nxjerrë në dritë edhe shumë problematika të tjera të infrastrukturës kineze: staf jo i mirëkualifikuar, me një mungesë të theksuar pajisjesh në spitale etj. Një situatë e tillë është gjithashtu një test gjigant për sistemin politik autoritar, me një parti, i krijuar në një Kinë më të thjeshtë, kur shumica e punëtorëve punonin për shtetin, kur nuk lëviznin shumë nga fshatrat për në qytete dhe mbështeteshin vetëm në informacionet që qeveria dhe partia u jepte. Sot trenat e shpejtësisë së lartë lëvizin në të gjithë shtetin kinez.
Urbanistët e pasur e përdorin vitin e ri hënor për të bërë sërish pushime. Edhe fshatarët në Weiji e pranojnë se kanë shprehur shpeshherë kritika për reagimin e qeverisë ndaj krizës në platforma të tilla si Weibo ose WeChat, megjithëse ato kanë të vendosur censorë që ende fshijnë çdo mesazh negativ ndaj z. Xi dhe udhëheqësve të tjerë kombëtarë. Ndërsa postimet që kritikojnë autoritetet e nivelit të ulët po lejohen më shpesh se zakonisht. Kur “Hubei Daily”, një gazetë partiake, paralajmëroi lexuesit të qëndrojnë larg thashethemeve dhe lajmeve të rreme, ajo shkaktoi një reagim tallës.
Policia ka dënuar përhapësit e lajmeve të rreme, të tilla si një njeri që u arrestua në Kinën juglindore, pasi për tre ditë me radhë u dërgoi mesazhe të rreme miqve të tij, të cilët i njoftonte se një person i infektuar lëvizte lirshëm në rrugët e fshatit të tij. Në të kundërt, tetë persona të tjerë, të cilët ishin mjekë, u ndëshkuan nga policia e Wuhanit sepse nuk kishin lajmëruar mbi frikërat e tyre në lidhje me një virus të ri të çuditshëm që mund të përhapej shumë shpejt, por e diskutuan këtë vetëm me njëri-tjetrin në grupin e tyre në aplikacionin WeChat. Gjykata Supreme Popullore, e cila shumë rrallë ndërhyn në raste të tilla, u shpreh nëpërmjet një postimi më 28 janar, se të gjithë ne tani jemi duke vuajtur heshtjen e atyre mjekëve.
Të indoktrinuar nga ideja se qytetarët kinezë jetojnë në një gjendje mbikëqyrjeje të vazhdueshme, ata reaguan me habi pas përhapjes së lajmit të koronavirusit. Faqet online të disa prej gazetave më të rëndësishme në vend, botuan listat e më shumë se 100 fluturimeve dhe trenave, të cilët kanë pasur në bordet e tyre njerëz të infektuar, duke u bërë thirrje njerëzve të tjerë që t’u nënshtrohen kontrolleve mjekësore. Por si ka mundësi që autoritetet të mos gjejnë pasagjerët e infektuar, pyeti një përdorues i Weibo, duke shtuar se “A nuk jemi ne profesionistë të teknologjisë së lartë, të të dhënave të rëndësishme të 2020-s?
Përgjigja e Kinës ndaj virusit ka qenë pa dyshim autoritare, duke përfshirë mbylljen e qyteteve të Hubeit dhe duke dhënë urdhra të detyrueshëm për të qëndruar në shtëpi për dy javë për të gjithë ata që largohen nga Hubei dhe shkojnë në qendra të tilla si Shangai. Por nuk është totalitare. Në dallim nga epoka e Maos, kur u kërkua besnikëri e verbër nga ana e qytetarëve, partia herë pas here i është përgjigjur zemërimit publik me një aluzion mirëkuptimi. Në një intervistë shumë të diskutuar në televizionin shtetëror, kryetari i komunës së Wuhanit, Zhou Xianwang, u shpreh se ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen nëse publiku do të dëshironte një gjë të tillë.
Duke pranuar që qyteti kishte mbajtur të fshehura informacione rreth shpërthimit të virusit, z. Zhou vuri në dukje se ai kishte nevojë për lejen e eprorëve për të publikuar lajme të tilla si ai i përhapjes së një sëmundjeje infektive. Parimi i karantinës rrallë herë sfidohet, madje edhe në Wuhan. Banorët e kontaktuar nëpërmjet telefonit përshkruajnë një situatë ku dyqanet me ushqime ofrojnë produkte falas për mjekët, një këndim masiv të himnit kombëtar që dëgjohet nga dritaret e shumë apartamenteve, si dhe disa thashetheme në lidhje me vendimet lokale konfuze dhe drakoniane.
Në një qytet me 9 milionë njerëz (kryetari i bashkisë thotë se mbeten edhe 5 milionë të tjerë, pak para se të vendoset karantina, për shkak të festës dhe virusit), taksitë tani janë mjeti i vetëm i transportit publik. Ato nuk mund të qëndrojnë më të parkuara rrugëve të qytetit dhe as të kontaktohen nëpërmjet një aplikacioni. Ato komandohen nga qyteti.
Detyrat e tyre përfshijnë ”transportin urgjent”, si dërgimin e të sëmurëve në spitale, shprehet Wang Jie, një taksist në pension. Udhëtimet janë falas. Qyteti tani i paguan shoferët me 600 juanë (86 dollarë) në ditë, më shumë se dyfishi i asaj që ata paguhen zakonisht. Megjithatë, shumë kanë frikë se mos infektohen, thotë z.Wang. Shumica duhet të blejnë maska mbrojtëse, syze dhe doreza.
Qindra emigrantë u larguan nga Wuhani në aeroplanët që erdhën në këtë qytet javëve të fundit. Philippe Klein, një mjek francez që shërben për komunitetin e emigrantëve të qytetit (Wuhan është gjithashtu qyteti i fabrikave të mëdha franceze të makinave), nuk po largohet. Dr Klein, klinika e të cilit është ngjitur me spitalin “Union”, përshkruan mjekët e rraskapitur vendas, të cilët po ndihen më të lehtësuar pas ndihmës së dhënë nga mjekët vullnetarë nga provincat e tjera. Numri i pacientëve të rinj që kërkonin të kontrolloheshin rritej nga dita në ditë, por tani është stabilizuar disi, shprehet ai.
Nëse parandalimi i sëmundjes filloi në mënyrë të ngadaltë, një arsye ishte kostoja e testimit, si pasojë e së cilës shumë vendas u larguan. Tani shteti do të paguajë pasojat. Ai ka ndërtuar spitale në terren për të strehuar ata që rezultojnë të infektuar. “Në përgjithësi, unë jam optimist”, thotë më tej Dr. Klein. Lu Xiaoyu, një akademik që punon në Australi por që erdhi në Wuhan për të festuar Vitin e Ri Hënor, thotë se përgjegjësia dhe pozitiviteti po rriten.
Moti i mirë i 28 janarit bëri që shumë banorë kinezë të dilnin jashtë shtëpive të tyre. Dyqanet me ushqime në lagje të ndryshme janë rihapur, duke u kursyer njerëzve jo vetëm kohë, por edhe stresin e radhëve të gjata në supermarkete. Një shqetësim i vazhdueshëm përfshin diskriminimin ndaj banorëve të Wuhanit, si brenda, ashtu edhe jashtë Kinës.
“Ne na duket vetja si refugjatë” citon ai dhe fatkeqësisht shqetësime të tilla nuk janë të pabazuara.
Më 27 janar, disa dhjetëra njerëz nga Shanghai refuzuan të hipnin në një aeroplan në Japoni kur kuptuan se një kontingjent i vogël nga Wuhani ishte në bord. Incidenti u bë viral në mediat sociale të Kinës, ku të shumtë ishin ata që mbështetën personat nga Shangai.
Virusi i ka dhënë energji të re ndjenjës lokale, brenda lëvizjes protestuese në Hong-Kong, ku paragjykimet antikontinentale zbehen së bashku me një dëshirë për një liri më të madhe politike. Për shkak të presionit të publikut, qeveria e Hong-Kongut ka ndaluar lëvizjen e banorëve në Hubei si për të dalë prej saj, ashtu edhe për të hyrë në të. Udhëheqësit kinezë këmbëngulin se sundimi i një partie të vetme është thelbësor për stabilitetin dhe përparimin. Bota do të jetë ajo që do të gjykojë nëse autoritarizmi i tyre ndihmoi për të ndaluar një pandemi apo ishte ai që e la koronavirusin të përhapet dhe të dalë jashtë kontrollit.
Tashmë, kriza po hedh dritë mbi një shtet i cili propagandon shumë mbi një unitet dhe një ndjenjë të lartë atdhedashurie, por që në fakt mund të përçahet shumë lehtësisht dhe që ka një nivel shumë të ulët besimi në popull. Kjo është një sëmundje për të cilën drejtuesit e partisë duket se nuk e kanë gjetur akoma kurën.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.