Në një realitet ku shërbimi i konsulencës është gjithmonë e më tepër një faktor, edhe në realitetin shqiptar, shpesh drejtuesit e kompanive hasin problemin e gjetjes së konsulentit të duhur për një çështje të caktuar.
Edhe në vendin tonë, në një kohë kur të bërit biznes nuk është më aq i thjeshtë sa më parë, domosdoshmëria dhe kërkesa për konsulentë është rritur ndjeshëm.
Në një situatë të tillë, konsulentë vendas janë mbledhur rreth një shoqate, Rrjeti i Konsulentëve Shqiptarë (ACN) me qëllim për t’u promovuar, mbështetur dhe për të marrë trajnime. Rrjeti i Konsulentëve Shqiptarë (ACN) është krijuar në vitin 2013 dhe është shoqatë që mbledh rreth 30 konsulentë profesionistë nga fusha të ndryshme.
Javën e kaluar, në një aktivitet të veçantë u mblodhën së bashku firma profesionale të konsulencës dhe sipërmarrës të interesuar për shërbimet e konsulencës, për të diskutuar mbi përfitimet nga përdorimi i shërbimeve të konsulencës. Me mbështetjen edhe të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) u realiza trajnimi i konsulentëve.
Trajnimi “Bazat e konsulencës menaxheriale” ofroi metodologjinë për një konsulencë efektive, duke mundësuar që pjesëmarrësit në trajnim të përshkonin ciklin e plotë të një projekti konsulence dhe përmirësoi aftësitë e tyre diagnostikuese, analitike dhe komunikimin. Ky trajnim është pjesë e një serie të gjerë trajnimesh të ofruara nga BERZH, me financim në Shqipëri nga Qeveria e Luksemburgut.
“Konsulenca është profesion i ri në Shqipëri dhe specialistët në këtë fushë duan të mbrojnë interesat e tyre dhe të përfaqësohen sa më mirë te biznesi dhe qeveria. ACN mundëson përfaqësimin, trajnimet cilësore, lobimin, si dhe bashkëpunim me shoqata të ngjashme në të gjithë rajonin”, thotë z. Arben Memo, drejtues i bordit i ACN.
Sipas tij, konsulenca shqiptare është rritur në cilësi dhe bizneset, institucionet private e publike nuk kanë pse ta “huazojnë” nga jashtë.
Shoqata, e cila ka dyfishuar numrin e anëtarëve të saj, është fokusuar shumë te trajnimet.
Trajnimet kanë të bëjnë me mënyrën sesi ofrohet shërbimi i konsulencës. Janë disa standarde ndërkombëtare që e orientojnë konsulentin tek etika, sesi ndërvepron me klientin dhe këto ofrohen në kurset e menaxhimit të konsulencës.
Z. Fabio Serri, drejtor i zyrës së BERZH-it në Tiranë, theksoi mbështetjen që banka i jep sektorit privat në Shqipëri. Shërbimet këshillimore të BERZH-it luajnë rol kyç në promovimin e profesionalizmit për konsulentët lokalë, si nëpërmjet trajnimeve specifike ashtu dhe duke nxitur angazhimin direkt të tyre për të asistuar SME-të, shpjegoi ai.
Edhe znj. Brunilda Paskali, zëvendësministre e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes theksoi nevojën për të mbështetur profesionalizmin dhe rritjen e kapaciteteve në tregun e konsulencës.
“Konsulentët profesionalë të biznesit ofrojnë një mundësi të madhe për
bizneset shqiptare të rrisin në tërësi performancën menaxheriale dhe të bëhen me konkurrues në tregjet e brendshëm dhe ato europiane”, tha ajo.
Rrjeti Konsulentëve Shqiptarë (ACN) ka luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e tregut të konsulencës në Shqipëri.
Sipas drejtorit të bordit të ACN-së, z. Arben Memo, organizata ka punuar për të bashkuar konsulentët profesionistë për inkurajimin, promovimin dhe zhvillimin e shërbimeve të konsulencës në Shqipëri sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.
Si duhet zgjedhur një konsulent
Literatura sugjeron se për të qenë një konsulent i suksesshëm duhet më së paku të tregosh pavarësi dhe paanësi, kualifikim të vazhdueshëm, profesionalizëm gjatë dhënies së shërbimit, përkushtim dhe korrektesë intelektuale ndaj klientit. Standardi EN ISO 16114:2012 është një alternativë shumë e mirë për CEO-t për të vlerësuar konsulentin dhe të gjithë procesin e negocimit me të, përpara se ai ta përzgjedhë atë. Standardi EN 16114 është një iniciativë e organizmave më prestigjioze të konsulencës profesionale: ICMCI (International Council of Management Consulting Institutes) dhe FEACO (European Federation of Management Consultancies Associations) nën drejtimin e CEN (European Committee for Standartization) i publikuar për herë të parë në shtator 2011.
EN 16114 është një standard i shkruar si një udhëzues, i cili mbron interesat dhe fokusohet mbi të gjithë ofruesit e shërbimit të konsulencës në menaxhim. EN 16114 thekson rëndësinë e të kuptuarit të nevojave të klientit. Ky dokument, në fakt, është i aplikueshëm për çdo konsulent, kategori konsulence dhe për çdo lloj klienti. Qëllimi i standardit është të ndihmojë në arritjen e rezultateve më të larta nga ana e konsulencës nëpërmjet përmirësimit të transparencës, reduktimit të riskut, rritjes së efektivitetit, reduktimit të barrierave në rastin e konsulencave ndërkombëtare, ku procedurat e ndryshme dhe qasjet kulturore mund të pengojnë realizimin e tij në mënyrë adekuate. EN 16114 jep udhëzime për shpërndarjen efektive të shërbimeve të konsulencës në menaxhim dhe siguron rekomandime për të përmirësuar specifikimet, zbatimet dhe përfundimin e shërbimeve të konsulencës.
ACN inkurajon CEO-t që ta përdorin atë si guidë gjatë përzgjedhjes së konsulentëve. Një përzgjedhje sa më e mirë e konsulentit do t’i ndihmojë ata në arritjen e vlerës së shtuar të kërkuar nga shërbimi i konsulencës dhe do t’u kursejë kohë e mjete financiare.
Në rastin e përzgjedhjes së një konsulenti të papërshtatshëm, drejtuesit e kompanisë kanë humbur, sepse produkti që ata kanë marrë nuk ka qenë ai që ata kanë kërkuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.