Në kërkim të tregjeve të ftohta

22/05/2014 10:59 AM 0 komente

Përpunuesve të perimeve të konservuara u duhet të ndjekin rrugën e “pinguinit” për të gjetur vendet e ftohta ku mund të shesin prodhimet. Në Shqipëri, kërkesa ka rënë dhe disa punishte janë mbyllur. Frenohet sektori i ri i perimeve të ngrira

Nëse keni në plan të investoni, një sektor që duhet të shmangni është ai i prodhimit të konservave të perimeve, përjashtuar rastet kur keni siguruar kontrata të mëdha shitjesh.

Fushat e mbushura me prodhime bujqësore në sezonin e verës mund t’ju duken një mundësi e mirë për të siguruar lëndën e parë për prodhimin e turshive, por ky zhvillim që mund të lexohet si një avantazh, është pikërisht në dëm të atyre që kanë investuar në impiantet e konservimit të perimeve, apo të atyre që duan të investojnë.

Si prodhuesit, edhe konsumatorët, nuk po e favorizojnë industrinë e përpunimit të konservave. Një qasje më e fortë mes dy palëve, po e bën industrinë e konservave të dalë “jashtë loje”.

Përfaqësues të këtij sektori shpjegojnë se gjithçka lidhet me rritjen e temperaturave. Koha e ngrohtë ka bërë që fushat të sigurojnë perimet e freskëta edhe jashtë sezonit. Ato janë të destinuara më së shumti në tregjet e hapura, ku çmimi është disa herë më i lartë se ai me të cilin e blejnë agropërpunuesit. Përfaqësues të shoqatave fermere, pranojnë se çmimi i shitjes për tregtarët është 5-9 herë më i lartë se ai që ofrojnë agropërpunuesit. “Kërkesa nuk mungon në dimër, dhe ne po arrijmë të sjellim produkte më të lira në këtë sezon krahasuar me katër apo pesë vite më parë”, – thotë Josif Gorea, përfaqësues i kooperativës “Divjaka” në Lushnjë.

Nga ana tjetër, vetë konsumatorët vlerësohet të zgjedhin më shumë produktet e freskëta në vend të konservave turshi. E në këtë rast, nuk duket se ndikon shumë çmimi, por mundësia më e madhe për të blerë perime vendi.

Agropërpunuesit e pranojnë se, ndërsa deri pak vite më parë, kërkonin të rritej prodhimi bujqësor, sot që është rritur, e madje është shtrirë në kohë, nuk janë lehtësuar, përkundrazi.

“Mundësia e furnizimit në vend edhe në pikun e prodhimit është përgjysmuar krahasuar me pesë vite më parë”, – pohon një prej përpunuesve më të mëdhenj në periferi të kryeqytetit.

Sipas tij, industria po përballet njëkohësisht me disa probleme duke filluar nga ulja e kërkesës për konsum për shkak të efekteve të krizës financiare e rritjes së kostos së jetesës, deri te “shpërfillja” që u ofrojnë fermerët, të cilët duket se kanë zgjedhur alternativa më të mira.

Sipas agropërpunuesve, “sasitë që mund të blejmë me çmimin e favorshëm për përpunim janë më pak se gjysma e kapacitetit tonë të përpunimit”. Për më tepër, një pjesë të mirë të vitit, punishteve u fiken motorët. Industria që punon vetëm në pikun e prodhimit (pasi vetëm atëherë mund të gjejë prodhime me çmim deri në 10 lekë/kg perime), vlerësohet të ketë nivelin më të ulët të shfrytëzimit të kapacitetit përpunues. Sipas Shoqatës së Agropërpunuesve, ky nivel nuk i kalon 20%. Kujtojmë se Banka e Shqipërisë po e vë në dukje në mënyrë të përsëritur nivelin e ulët të shfrytëzimit të kapaciteteve përpunuese në vend. E me këto nivele përpunimi, disa punishte vlerësohet të mos u kenë rezistuar më uljeve vjetore të shitjeve prej mbi 20%.

Ndërsa mungojnë statistikat zyrtare, përfaqësuesit e Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH), pohojnë se janë mbyllur disa punishte konservimi në zonën Durrës-Kavajë e Lushnjë.

Enver Ferizaj, president i KASH, pohon se punishtet e mbyllura janë kryesisht ato që punonin vetëm në sezonin e pikut të prodhimit.

Shpëtimi, “vendet e larta të ftohta”

Ndërsa me mbylljen e punishteve të vogla kemi kosto të investimeve të shkuara dëm, është e vështirë të mendohet mbyllja e fabrikave, ku janë investuar me qindra mijë euro e kanë dhjetëra të punësuar.

Për këta, këshilla është e thjeshtë dhe e qartë, ndërsa realizimi i saj kërkon një rrugë të gjatë. “Konservuesit e perimeve duhet të gjejnë tregje të ftohta, ku kërkesa për konserva është e lartë”, -thotë z. Ferizaj. Të tilla janë Norvegjia, Gjermania, por pse jo edhe Polonia, apo Rusia. Tashmë këto nuk janë terrene tërësisht të pashkelura nga prodhuesit tanë. Sejega ka regjistruar eksporte në Gjermani, kur në vite të ndryshme mbërrinte edhe 30% e prodhimit të kësaj kompanie. Por ekspertët sugjerojnë të kërkohen tregje të tjera. Tregu polak po provohet për perimet e freskëta të verës dhe të dimrit dhe drejtuesit e kompanisë eksportuese “Agro-Koni” thonë se nuk mungojnë mundësitë e kontratave për konservat e tyre.

Orientimi i filluar natyrshëm këto vite tregon se rruga drejt tregjeve të huaja e atyre të ftohta është hapur. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në dy vitet e fundit, eksporti i këtyre produkteve është rritur gati 20%, duke arritur vitin e kaluar në 2.1 mijë tonë.

Sipas këtyre të dhënave, rreth gjysma e prodhimit ka ikur në Gjermani e Slloveni. Ndërsa edhe në tregjet fqinje vlerësohet të jemi konkurrues.

monitor 626.indd

monitor 626.indd

 

Më afër gatimit

Nuk themi që shqiptarët nuk do të jenë pjesë të antipastave të tyre tradicionale edhe perimet e konservuara, por kultura ushqimore vlerësohet të ketë pësuar ndryshime. E këtu nuk flasim vetëm për ndryshimet e diktuara nga koha e përshtatshme për të prodhuar perime të freskëta, por edhe efekti krizë, që po na largon gjithnjë e më shumë nga produktet e përpunuara. Akoma pa u larguar mirë nga kuzhina, amvisat shqiptare janë të detyruara t’i kthehen sërish asaj. Tkurrja e shpenzimeve të konsumit ka stepur një prirje të re të konsumatorëve shqiptarë të vërejtur këto vitet e fundit: blerjen e produkteve ushqimore, pothuajse të gatshme.

Rritja e këtij segmenti të tregut nuk mund të mos ndodhte në vitet e kaluara sipas ekspertëve të tregtisë, për faktin se familjet shqiptare (kryesisht familjet e reja në zonat urbane) po i kushtonin më pak kohë gatimit.

Sipas përfaqësuesve të marketingut të rrjetit të shitjes me pakicë, pesha e produkteve të konservuara ka rënë 20% në shitjet e një shporte mesatare familjare krahasuar me vetëm një vit më parë.

Perimet e ngrira ishin një tendencë e filluar vetëm në dhjetëvjeçarin e fundit në tregun tonë. Por, hapësirat e tyre në supermarkete nuk kanë arritur të zgjerohen, përkundrazi janë tkurrur në cepat frigoriferikë të tyre. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në vitin 2009, sasia e importit vetëm për perimet e përgatitura, ishte rreth 898 tonë, ose 25% më shumë se një vit më parë. Ndërsa në vitin 2012, importi i tyre ishte vetëm 500 tonë. Ekspertët e tregtisë, vlerësojnë se një segment, edhe pse i ri i tregut, si ai i produkteve të gatshme, nuk mund të mos prekej nga efektet e krizës.

Tregtarët-importues të ushqimeve thonë se kërkesat në treg ka rënë dukshëm.

Në muajt e parë të këtij viti, ata raportojnë se kërkesa për këtë grup produktesh ka rënë më shumë se 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas tyre, ulja më e madhe e kërkesës vërehet te perimet e ngrira, supat apo sallatat.

Sipas tregtarëve, çmimi i këtyre produkteve është shumë më i lartë se ai i perimeve të freskëta edhe gjatë stinës së dimrit (kur këto të fundit tregtohen më shtrenjtë). Ndërsa një kilogram karota apo patate tregtohet me 70 lekë, një pako me 750 gramë perime të ngrira është 4-5 herë më shtrenjtë, 320-350 lekë. Një çmim që hidhet poshtë nga blerësit, por i justifikuar për koston e lartë të ruajtjes dhe importit nga tregjet e huaja.

Produktet e ngrira ushqimore, vijnë nga importi, pasi prodhuesit as nuk e mendojnë ta nisin këtë “valle” për të gjitha arsyet e një tregu që nuk ecën mirë.

Ndërsa do t’u interesonte të shtonin gamën e prodhimeve, sipërmarrësit e kompanisë së produkteve të konservuara thonë se nevojiten investimet në teknologji dhe kjo do të ishte me interes për një treg më të madh se ai vendas.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of