Biznesi ka edhe pak kohë në dispozicion për të raportuar në rrugë elektronike listëpagesat e punonjësve. Duke filluar nga data 1 korrik 2012, të gjitha deklarimet për punësimet e reja dhe për të larguarit nga puna duhet të bëhen online. Për të bërë këtë, duhet që listëpagesa të jetë e përditësuar me të gjitha ndryshimet, që kanë ndodhur për periudhën 6-mujore (janar – qershor 2012). Sipas burimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, data e dorëzimit të listëpagesës në këto gjashtë muaj do të merret data që vjen më pas, pra cilido qoftë njëri nga raportimet. Drejtoria e Shërbimit ndaj Tatimpaguesit thotë se biznesi duhet të njihet me udhëzuesin e dalë për këtë qëllim nga DPT-ja, por dhe VKM-në që përcakton klasifikimin e profesioneve dhe së treti, numrin e sigurimeve shoqërore. Ky numër gjendet edhe në kartën e identitetit, një fotokopje e së cilës duhet të disponohet gjithmonë nga financa e kompanisë.
Formulari i deklarimeve ka 10 grupime të mëdha dhe vetëm njëri duhet të plotësohet. Drejtoria e Shërbimit ndaj Tatimpaguesit bën të ditur se në rastin e kompanive të mëdha, shërbimi i IT-së do t’i pajisë me më shumë se një përdorues. Tatimet sqarojnë se në rast se te listëpagesa duhet të bëhen ndryshime, atëherë të dhënat duhet të hidhen në program eksel dhe pasi të jenë përpunuar, të hidhen online. Natyra e ndryshme e biznesit, specifikat e tjera si raportet e lindjes, shëndetësore, bonuset apo shërblimet e bëjnë të pamundur standardizimin e formularit të raportimit të listëpagesës. Në rastin e punonjësve të huaj, Drejtoria e Shërbimit ndaj Tatimpaguesit, sqaron se te formularët duhet të shënohet numri i sigurimit të vendit nga vjen personi e në rast mungese, atëherë punonjësi duhet të pajiset me një numër provizor. Të gjitha procedurat e tjera janë të njëjta si për punonjësit vendas. Tatimet bëjnë të ditur se në rast se bizneset kanë paqartësi për përmbushjen e këtij detyrimi duhet t’i drejtohen zyrave të shërbimit ndaj tatimpaguesit, të cilat kanë në përbërje staf që mund të trajnojë financierët e kompanive. Tatimet thonë se është shumë e rëndësishme që të kuptohet qartë ky detyrim dhe të zbatohen afatet, pasi në të kundërt, do të ketë penalitete, sipas ligjit në fuqi.
Rezultati vjetor, ku duhet të kenë kujdes bizneset
Biznesi duhet të tregohet i kujdesshëm në përmbushjen e disa kërkesave që lindin nga ligji nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, për depozitimin e vendimit për miratimin e rezultatit vjetor dhe destinimin e fitimit.
Konsulenti fiskal “UHY Elite” sqaron se shoqëritë tregtare, sipas ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, pas pagimit të tatimit mbi fitimin, sipas dispozitave të kreut III të këtij ligji, brenda një afati prej 6 muajsh nga data e mbylljes së vitit financiar (30.06.2012), duhet të miratojnë në asamblenë e ortakëve apo organin kompetent vendimmarrës të shoqërisë rezultatet financiare të vitit paraardhës dhe ta destinojnë fitimin pas tatimit, duke përcaktuar shumën e rezervave ligjore, pjesën që do të përdoret për investime ose për shtesë kapitali dhe pjesën që do të shpërndahet në formë dividendi.
Gjithashtu, shoqëritë tregtare dhe personat fizikë, sipas pikës 1 të këtij neni, duhet të depozitojnë pranë organeve tatimore, jo më vonë se data 31 korrik e vitit kalendarik, vendimin origjinal të organit përgjegjës/vendimin e personit fizik. Për paraqitjen me vonesë të këtij vendimi zbatohet një gjobë prej 10,000 lekë për çdo muaj vonesë.
Në rast deklarimi divident, personi juridik duhet të derdhë për llogari të organit tatimor tatimin mbi dividendin e pagueshëm, sipas pikës 1 të këtij neni, jo më vonë se data 31 korrik e vitit kur bëhet miratimi i rezultateve, pavarësisht nëse është bërë ose jo shpërndarja e dividendit.
Vendimi i asamblesë së ortakëve, i organit kompetent të shoqërisë/vendimi i personit fizik, sipas këtij neni, për miratimin e rezultatit dhe destinimin e fitimit pas tatimit, duhet të paraqitet në organin tatimor (origjinal), në përputhje me afatin e përcaktuar në pikën 2 të këtij neni, edhe nëse rezultati për vitin ushtrimor ka qenë me humbje apo zero. Për mosdepozitimin e vendimit zbatohen penalitete, sipas pikës 2 të këtij neni.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.