Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, sot në Ditën e Punëtorëve, thotë se punëtorët meritojnë kushte dinjitoze pune, respektim të të drejtave të tyre, siguri e shëndet në vendin e punës.
“Jo vetëm sot, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, por çdo ditë pa reshtur ne duhet së bashku të angazhohemi për të drejtat e tyre. Me qëllim të avancimit të të drejtave të punëtorëve, ne në MPMS vitin e kaluar i kemi hyrë reformës së thellë të marrëdhënies së punës, që punëtori ynë të gëzojë të drejta të avancuara dhe ato të drejta të respektohen në plotni”.
Minsitri thotë gjithashtu se “Nuk do të ndalemi së angazhuari në përmbushjen e obligimeve tona ligjore e morale ndaj punëtorëve tanë. Urime 1 Maji, Dita e Punëtorëve!”.
Kurse, sot me rastin e Ditë së Punëtorëve, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë prej orës 11:00 do të mbahet protestë e organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) me kërkesat për Marrëveshjen Kolektive, për rritje të pagës minimale, për skema pensionale si dhe për sigurime shëndetësore.
Në këtë protestë kanë konfirmuar se do të marrin pjesë edhe punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), por me kërkesa të veçanta, që punëtorët e KEK-ut mos të janë të përfshirë në ligjin për paga, të aprovohet Marrëveshja Kolektive, njohja e përvojës së punës gjatë viteve 90-99 dhe njohja e sëmundjes profesionale më ligj që merren në vend të punës.
Po ashtu për Ditën Ndërkombëtare të Punës, protestë do të mbahet edhe në Han të Elezit nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve dhe Shoqërisë Aksionare të katër fabrikave aksionare të Kombinatit “Sharri”.
Kryetari i BSPK-së Avni Ajdini thotë se në protestën e 1 Majit, do të adresohen dhe kërkesat për sigurinë dhe shëndetin në punë, ngaqë në vazhdimësi është duke u rritur numri i viktimave në vendin e punës. Ajdini thotë se sektori privat është një problem serioz dhe qeveria me inspektoratin e saj duhet të angazhohen me seriozitet të lartë rreth kësaj çështje.
Kryetari i BSPK-së ka kërkuar nga punëtorët që të marrin pjesë në protestën njëorëshe dhe pastaj të festojnë në Gërmi dhe në vendet bregdetare.
Po ashtu më 1 Maj në ditën e punëtorëve Kuvendi i Këshillit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve dhe Shoqërisë Aksionare të Kombinatit “Sharri”, ka paralajmëruar protestë duke filluar prej orës 12:00 para portës së çimentores në Han të Elezit, me qëllim që të kundërshtohet forma e privatizimit ilegal që i është bërë kësaj ndërmarrje.
Përfaqësuesi më i lartë i katër kompanive “Çimento”, “Salloniti”, “Lepenci” dhe “Silcapori”, Xheladin Laçi iu ka bërë thirrje të gjithë punëtorëve të kombinatit “Sharri” që masovikisht t’i përgjigjen kësaj proteste.
Sipas tij, ish AKM-ja, tani AKP-ja dhe Agjencioni i Lartë i Likuidimi po i mbanë peng këto katër njësi të kombinatit “Sharri”.
Nënkryetari i Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës (SR-KEK), Nexhat Llumnica thotë se kërkesë kryesore e tyre është që Korporata Energjetike e Kosovës përkatësisht punëtorët e KEK-ut mos të janë në ligjin për paga, të aprovohet Marrëveshja Kolektive, njohja e përvojës së punës 90-99 dhe Njohja e sëmundjes profesionale më ligj që merren në vend të punës.
Ndryshe, punëtorët e sektorit të ndërtimtarisë janë më të rrezikuarit. Gjatë vitit të kaluar 22 persona kanë humbur jetën në vendin e punës, ndërkohë që lëndime të rënda kanë pësuar 104 persona. Kjo dukuri është në rritje edhe në vitin 2019.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.