Autoriteti Kosovar i Konkurrencës(AKK) ka mbajtur një konferencë për media lidhur me hetimin për çmimin e derivateve të naftës. Kryetari i AKK-së, Valon Prestreshi, ka thënë se kanë hulumtuar 14 ndërmarrje në Kosovë. Sipas tij fitimi i ndërmarrjeve ka shkuar deri 135 për qind.
Autoriteti i Konkurrencës në Kosovë, për dhjetë muaj ka nisur një hetim për tregun e derivateve të naftës pas lajmeve dhe reagimeve se ndërmarrjet që operojnë në treg nuk kanë reflektuar në krahasim me çmimet e berzës.
Kryetari i AKK-së Valon Prestreshi ka treguar se janë hetuar 14 ndërmarrje.
“I kemi hetuar 14 ndërmarrje. Kemi konstatuar për muajin janar dhe tetor ndërmarrjet kanë pas një përqindje të fitimit 9 % dhe nëntor e dhjetor një rritje 60% dhe 124 % në dhjetor, ndërsa për benzinë kanë pas mesatare të fitimit në 11 % dhe për nëntor 108% dhe 135 %. Këtë analizë, për vitin 2017 sepse kemi pas një lëvizje ku ka pas rënie drastike të çmimit në berza ndërkomberare dhe këto që i kemi hetuar e kanë shfrytëzuar”.
Prestreshi tha se ata duhet t’i argumentojnë pretendimet.
“Për benzinë ka pas një lëvizje akoma më të madhe, në nëntor ka qenë 108 % ndërsa dhjetor 135 % . 563 milionë litra naftë dhe 760 milionë benzinë”.
Shefi i AKK-së ka shtuar gjithashtu se i përgjigjen vetëm Kuvendit.
“Ne i përgjigjemi vetëm Kuvendit të Republikës së Kosovë të gjitha format. Hulumtimi i 10 muajve për çmimin e derivateve të naftës, duke u bazuar se kemi pas një reagim të madh qytetar e mediatik, AKK është i obliguar të filloj procedurën e hetimit”.
E sipas tij sanksioni i AKK-së, është marrja e 10% të fitimit vjetor.
“Këto nuk janë të gjeturat përfundimtare, vendimi përfundimtar do të merret pasi një muaji e më pas do të thërrasim ndërmarrjet që të japin sqarimin e tyre. Sanksioni i AKK është vendosja e gjobës prej 10% të fitimit vjetor”.
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës konstaton se në bazë të fakteve të gjetura gjatë procedurës hetimore, ndërmarrjet që operojnë me shitjen me pakicë të naftës nuk kanë reflektuar në mënyrë individuale për çmimin e shitjes dhe fitimit bruto për muajt nëntor dhe dhjetor të vitit 2018.
Javë më parë Monitor ka raportuar se si nafta që futet në Kosovë nuk është cilësore. (Lexo: https://www.monitor.al/raporti-zyrtar-cfare-nafte-po-futet-ne-kosove/)
Raporti i Auditimit të Performancës “Sistemi i kontrollit dhe monitorimit të cilësisë së derivateve të naftës” kishte gjetur se mangësitë e identifikuara në këtë sistem, që në import menaxhohet nga Dogana e Kosovës dhe në tregun e brendshëm nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e vejnë në pikëpyetje kompetencën dhe besueshmërinë e marrjes së mostrave dhe testimit të tyre, prandaj si i tillë ky sistem nuk është në gjendje të sigurojë cilësi të derivateve të naftës për qytetarët e Kosovës./Monitor.al.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.