Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, ka njoftuar se të dielën (10 maj) janë konfirmuar 14 raste të reja me COVID-19. Që nga data 8 shkurt deri më 10 maj, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë ka arritur në 884.
Të dielën, sipas njoftimit të Institutit, janë shëruar edhe dy persona duke e çuar numrin e të shëruarve në 655. Deri më tani 28 pacientë kanë vdekur.
14 raste të reja janë shënuar sot me koronavirus në Kosovë, ndërkaq dy persona janë shëruar.
Këtë e ka konfirmuar IKSHPK përmes një njoftimi.
Sipas njoftimit, sot Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 200 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.
“Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Gjilanit 9 raste (sipas vendbanimit: 8 raste Gjilan dhe 1 rast Livoç i epërm), komuna e Prizrenit 2 raste (sipas vendbanimit: 2 raste Prizren) dhe me 1 rast vendbanimet: Pejë, Studime e epërme-Vushtrri dhe Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq IKSHPK njofton se sot më 10 maj 2020, janë shëruar edhe 2 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 655 raste.
IKSHPK njofton tutje se nga data 08 shkurt deri më 10 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 9.934 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 884 raste, me gjithsej 28 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
“Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome”, thuhet tutje në njoftim.
Pas plot një jave, rastet e reja me Covid-19 në Kosovë kaluan numrin dyshifror. Po ashtu, pas më shumë se 10 ditëve ka më shumë raste të reja se sa të shëruar.
IKSHPK ka thënë në komunikatën e saj që qytetarët të shtojnë kujdesin përkundër lehtësimit të masave.
‘’Virusi akoma gjendet në mesin tonë. Vazhdoni të mbani distancën fizike dhe mbajtjen e maskave! Lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë.’’, thuhet në komunikatë.
‘’Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm. Sakrificën tonë për të ruajtur shëndetin ta konsiderojmë si vlerë sublime duke vazhduar me mbajtjen e distancës fizike dhe mbajtjen e maskave nē vendet publike. Ju lutemi për kujdes të shtuar deri në shuarjen e plotë të COVID-19. Ju lutemi të keni kujdes sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve. Virusi nuk ka këmbë, andaj mos ia jepni këmbët e juaja sepse do të rrezikoni të gjithë e më së shumti të afërmit tuaj! Luten institucionet për mbajtjen e rendit dhe inspektoratet për angazhim të shtuar gjatë ditëve në vijim”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.