Në Kosovë mbi 20 mijë biznese u mbyllën për fundjavë, dëmet deri në 15 milionë euro

07/11/2020 5:35 PM 0 komente

Mbyllja e veprimtarive të bizneseve për dy ditë në Kosovë, si masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, ekonomisë së vendit i kushton nga 10 deri 15 milionë euro në ditë. Kosovës të shtunën i janë shtuar 491 raste të reja me koronavirus dhe janë regjistruar 12 viktima.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në një konference për media ka thënë se masat kufizuese që ka ndërmarrë Qeveria, kanë shkaktuara dëme të mëdha të bizneset.
Rukiqi po ashtu ka thënë se masat e fundit të ndërmarra nga Qeveria, kanë qenë të pakoordinuara me komunitetin e bizneseve.
“Sot janë mbyllur mbi 20 mijë biznese në gjithë vendin, nga këto masa janë prekur këto biznese që nuk do të punojnë gjatë fundjavës. Dëmet për këto biznese mund të arrijnë deri në 10 milionë apo 15 milionë euro brenda një dite. Ajo çfarë është më e keqja është se këto mjete që nuk shpenzohen në Kosovë do të shpenzohen në vendet e rajonit”, tha ai para mediave.
Rukiqi shtoi më tej se problem i dytë i këtyre masave është lajmërimi me vonesë, dhe se po ashtu kanë pasur problem të shumta ta definojnë se cili është market i vogël.
“Gjatë gjithë ditës nuk kemi arritur të definojmë se çka është market i vogël, dhe si pasojë e kësaj kemi mijëra euro gjobë që janë shqiptuar. Qeveria duhet urgjentisht të miratojë edhe një përkrahje financiare për këto biznese që janë vazhdimisht të prekura nga pandemia”, theksoi ai.
Edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përmes një komunikate për media ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me masat e ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës me vendimin e ditës së djeshme për ndalimin e veprimtarive afariste pa konsultim paraprak me organizatat që përfaqësojnë interesat e sektorit privat.
“Duke mirëkuptuar nevojën e mbrojtjes së shëndetit publik përmes ndërmarrjes së masave të duhura për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID19, Oda Ekonomike Amerikane kërkon që në të njëjtën kohë të merren në konsideratë edhe dëmet që kufizimi i veprimtarive afariste ka për ndërmarrjet e sektorit privat dhe mbijetesën e tyre”, thuhet në komunikatë.
Për më tepër, sipas Odës Amerikane, vendimi i djeshëm lë hapësirë për interpretim të dyanshëm për shkak të mosdefinimit eksplicit të termave të përfshirë në vendim, i cili po rezulton në ndëshkimin e ndërmarrjeve private, siç është rasti me termin “marketet e vogla” pa sqaruar se cilat elementet e përcaktojnë madhësinë e një ndërmarrjeje të shitjes me pakicë.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që në fundjavë të u ndalohet veprimtaria e të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermarketeve, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë (restorantet, kafiteritë dhe të ngjashme) në tërë territorin e Republikës së Kosovës, prej orës 20:00, më 06/11/2020 (e Premte) deri më 09/11/2020 (e Hëne) në orën 05:00.
Po ashtu, Qeveria ka vendosur që të fut në karantinë shtatë komuna: Prishtinën, Fushë Kosovën, Gjilanin, Obiliqin, Gjakovën, Podujevën dhe Shtimen.
Pjesëtarët e Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës kanë protestuar të shtunën në shenjë pakënaqësie ndaj masave të marra nga Qeveria e Kosovës, me qëllim të frenimit të coronavirusit.
Ata kanë zhvilluar një aktivitet simbolik para lokaleve të tyre, duke krijuar zhurmë me tenxhere dhe lugë.
Para mediave ka folur kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, duke e konsideruar të papranueshme marrjen e masave të reja.
“Nuk jemi kundër shtetit ose qeverisë. Presim një pako të veçantë për sektorin e gastronomisë. Nga ndihmat e qeverisë kanë përfituar edhe barnatoret, të cilat kanë punuar, kurse ne kemi qenë tërësisht të mbyllur”, tha Kllokoqi.
Sipas tij, nëse Qeveria e Kosovës nuk do të ndihmojë sektorin e gastronomisë, të hënën do të ketë protestë edhe më të madhe para qeverisë.
Sektori i hotelerisë dhe turizmit, paralajmërojnë protesta
Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës po e konsideron të ngutshëm vendimin për mbylljen e bizneseve hoteliere dhe të gastronomisë në vikend.
Nëse situata vazhdon me ritëm të tillë OHTK-ja nuk përjashton edhe protestat.
Kjo Odë po konsideron se vendimin për mbyllje Qeveria e ka marr pa u konsultuar fare me bizneset, pavarësisht se gjatë takimeve me zyrtarët e ministrive përkatëse me theks të veçantë takimin me zv kryeministrin Tahiri ishin dakorduar se për çdo masë të re do të konsultoheshin së bashku.
“OHTK-ja gjithashtu e cilëson jo profesional komunikatën për media të krerëve qeveritarë ku paralajmërimi për mbyllje, u komunikua vetëm 7 orë para hyrjes në fuqi të masave të reja, ku shkaktoi panik dhe frikë jo vetëm për hotelierët dhe gastronomët po edhe te të gjithë qytetarët në përgjithësi. Vendimet e tilla pa ndonjë analizë të terenit, jo vetëm që po shkaktojnë frikë dhe ankth te qytetarët, por për sektorin e hotelierisë dhe gastronomisë po sjell frikë dhe pasiguri duke u cilësuar si sektori më i diskriminuar dhe më pak i ndihmuari nga Qeveria që nga marsi kur edhe u krijua situata e pandemisë nga virusi COVID 19 dhe posa po alarmohet situata të parët që po atakohen janë hotelierët dhe gastronomet”, thuhet në komunikatën e OKTK-së.
OHTK-ja apelon te Qeveria që gjatë kësaj kohe sa është rritur numri i të infektuarve, shqetësim që e kuptojmë të gjithë, të analizojë mirë situatën në teren, duke u bazuar në shumë faktorë e jo vetëm në numra statistikorë, gjithashtu duke pasur edhe një plan konkret që pavarësisht mbylljes bizneset hoteliere dhe të gastronomisë do të ndihmohen të rimëkëmben posa situata të stabilizohet e jo të detyrohen ta kalojnë krizën me forcat e veta tash më të dobësuara si dhe duke i lënë të funksionojnë pa ndonjë strategji dhe plan të së ardhmes se çka do të ndodhë me bizneset e tyre ditëve në vijim.
“OHTK-ja ka dorëzuar manualin e përdorimit në Qeveri, ka dhënë sugjerim që të formohet një TASK forcë e përbashkët qeveri – biznese, ka bërë reagime të shumta dhe do të vazhdojë të reagojë por siç po shihet kjo nuk po merret parasysh, andaj nëse situata vazhdon me ritëm të tillë OHTK-ja nuk përjashton edhe protestat”.
Të premten Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të mbyllë shumicën e bizneseve nga e premtja deri mëngjesin e të hënës, me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Në këtë vendim janë përfshirë edhe bizneset e gastronomisë.
Bizneset në Kosovë janë ndihmuar me 60 milionë euro në kuadër të Fondit për Rimëkëmbje Ekonomike përgjatë valës së parë të pandemisë së koronavirusit. Fatos Shala

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of