Në Kosovë nis faza e dytë e lehtësimit të masave, çfarë duhet të dinë qytetarët

18/05/2020 9:58 AM 0 komente

 Sot në Kosovë ka hyrë në fuqi faza e dytë e lehtësimit të masave të izolimit, të cilat ishin vendosur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri që e shkakton sëmundjen COVID-19. Në këtë fazë parashihet të rihapen floktarët dhe sallonet e ondulimit, stomatologët dhe fizioterapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër, gastronomia, pra varianti ‘merre me vete’, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndërurban me leje të veçanta, qendrat e thirrjeve telefonike me lista të stafit esencial, si dhe galeritë dhe muzetë.

 

Ministria e Shëndetësisë ka publikuar orarin e ri të qarkullimit për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe tani ka një rritje të kohës për të dalë jashtë.

Tani qytetarët, ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, do të kenë të drejtë dalje dy herë nga dy orë në të njëjtën ditë.

Lehtësimi gradual i masave do të vazhdojë edhe me hapjen e disa bizneseve dhe ndërmarrjeve afariste.

Masat do të jenë në fuqi prej datës 18 maj deri më 1 qershor.

Qarkullimi i qytetarëve sipas shifrës së parafundit të numrit personal, është i ndarë në dy pjesë – 120 minuta mund të lëvizni paradite dhe 120 minuta pasdite dhe nuk do të ketë rotacion.

Në fazën e dytë fillojnë;

Tregtia me pakicë (plotësisht),

Dentistët dhe Fizioterapeutët,

Floktarët dhe Sallonet e ondulimit,

Tregu i Gjelbër,

Gastronomia (merre me vete),

Transporti Hekurudhor,

Transporti urban dhe ndër-urban (me leje të veçanta),

Qendrat e thirrjeve (me listat e stafit esencial),

Hapja e Muzeve dhe Galerive.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë ky vendim është marrë pas rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë.

“Nga dita e hënë, 18 maj 2020, do të hyjmë në Fazën 2 të lirimit të masave. Kjo do të thotë hapje më të madhe të ekonomisë dhe rrjedhimisht edhe lëvizje të shtuar të qytetarëve”.

Kurti ka treguar se do të lejohet dalja dy herë në ditë nga dy orë, sipas shifrës së parafundit në numrin personal të letërnjoftimit.

“Dy javët e fundit janë shumë të mira sa i përket luftimit të pandemisë COVID-19, por jo edhe katër ditët e fundit: sonte janë 10 të infektuar e vetëm një i shëruar, dje kanë qenë 18 të infektuar e 19 të shëruar, pardje 8 të infektuar e asnjë i shëruar, kurse para tri ditëve 24 të infektuar e 14 të shëruar”.

Kryeministri në detyrë ka thënë që duhet të vazhdohet të ketë kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve.

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë duke u trajtuar 10 raste me Covid-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi.

“7 raste janë në gjendje stabile, 3 raste janë në gjendje më të rënduar në trajtim me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, 2 prej tyre janë duke u trajtuar në Mjekimin Intensiv të kësaj klinike, kurse nga klinika do të lirohen 5 raste”, thuhet në një njoftim të QKUK-së.

Deri më tani janë konfirmuar 985 raste të të infektuarve me koronavirusin e ri, nga të cilët 736 janë shëruar.

Në Kosovë rastet e para me koronavirusin e ri u shfaqën më 13 mars.

Për të frenuar përhapjen e mëtejmë të virusit, autoritetet kanë shpallur gjendje emergjente të shëndetit publik.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of