Në Kosovë pritet të ketë rritje të çmimit të karburanteve brenda kësaj jave. Këtë paralajmërim e ka bërë Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, por nuk është treguar se deri në çfarë shifre do të arrijnë çmimet.
Rritje e çmimit të derivateve pritet gjatë ditëve në vijim në Kosovë. Krejt kjo si pasojë e lëvizjeve të çmimeve Berzën Ndërkombëtare, ka thënë kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani.
“Brenda kësaj jave do të ketë rritje të lehtë të çmimeve, por nuk mund të flas për shifra sepse la lëvizje në Berza. Këto lëvizje janë duke ndodhur shkaku i luftës së Rusisë në Ukrainë”, deklaroi Bërjani.
Sipas tij, këtë të mërkurë çmimet e derivateve kanë qenë: Dizelli 1.65 cent kurse Benzina 1.66 cent.
Rritja e çmimeve të naftës dhe benzinës në Kosovë ka shënuar nivelin më të lartë në 20 vjetët e fundit, sipas Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.
Naftëtarët vazhdimisht kanë kërkuar që të rishikohet vendimi i Qeverisë së Kosovës që përcakton çmimet shitëse maksimale për shitjen me shumicë dhe pakicë të naftës dhe derivateve të naftës, duke paralajmëruar se nëse nuk ndodh kjo shumë pika karburanti në Kosovë mund të falimentojnë.
Çmimet e naftës dhe derivateve të saj, kanë arritur nivelin më të lartë që nga paslufta në Kosovë.
Qeveria e Kosovës më 1 mars kishte marr vendim që te shitësit me shumicë të vendoset marzha më e lartë tregtare deri në 4% të çmimit të shitjes, ndërsa te shitësit me pakicë vendoset marzha më e lartë tregtare deri në 6% të çmimit të shitjes.
Për shkak të lëvizjes së shpeshtë të çmimeve, ka pasur dyshime se naftëtarët po i kurdisin çmimet.
Kurdisja e çmimeve ose marrëveshja për nivelizimin e çmimeve, është e ndaluar me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës në Kosovë.
Për mbikëqyrjen e fenomeneve të tilla, institucion kompetent është Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, i cili ka rreth 11 muaj që nuk është funksional dhe kjo për shkak të mungesës së Komisionit Kosovar të Konkurrencës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.