Qytetarët e Kosovës shumë shpejt do të detyrohen të paguajnë kosto shtesë për sigurimin e veturave të tyre. Çmimet për të siguruar veturën është paralajmëruar se do të rritët për 30 për qind. Zyrtarisht ende nuk është konfirmuar rritja e këtyre çmimeve. Në Bankën Qendrore të Kosovës kanë thënë se për çdo vendim të ri do të njoftohet publiku. Kurse në Shoqatën e Sigurimeve thonë se ndryshimin e çmimit të sigurimeve për vetura është individual e secilës kompani të sigurimit.
Kompanitë e sigurimeve që operojnë në Kosovë kanë ndërmarrë iniciativën për t’i rritur çmimet e sigurimit të automjeteve.
Monitor ka mësuar nga burimet e veta se deri në muajin e ardhshëm çmimet për sigurim te veturave do të ndryshohen. Sipas këtyre burimeve rritja e tyre do të shkojë deri në 30 për qind.
“Nga fillimi i këtij muaji kanë nisur disa ndryshime në sistemin e sigurimit të veturave. Na është thënë se BQK është duke punuar në ndryshimin e çmimeve për policat e sigurimeve”, ka thënë një burim.
Ky burim ka treguar po ashtu se aktualisht edhe sistemi për lëshim të policave të sigurimit është duke u kontrolluar nga BQK.
Në Bankën Qendrore të Kosovës nuk e kanë mohuar faktin se çmimet mund të rriten, vetëm kanë thënë se për çdo ndryshim do të ketë njoftim zyrtar.
“Më lejoni të ju njoftoj se aktualisht nuk ka rritje të çmimeve të sigurimit të automjeteve. Ashtu siç ka bërë edhe në të kaluarën, për çdo vendim të ri Banka Qendrore e Republikës së Kosovës do ta njoftoj publikun”.
Kurse, në Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës kanë thënë se ndryshimin e çmimit të sigurimeve për vetura është çështje është individual e secilës kompani të sigurimit.
“Lidhur me ndryshimin e çmimit të sigurimeve për vetura, theksojmë se kjo çështje është individual e secilës kompani të sigurimit, e licencuar për të ofruar këtë lloj sigurimi. Sipas Ligjit Nr. 04/L-018 për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, respektivisht me Nenin 8 të këtij ligji, secili sigurues ka të drejtë të paraqesë kërkesë për aprovim/ndryshim të tarifave të sigurimit për të cilat, çdo përllogaritje e tyre duhet të jetë në harmoni të plotë me rregullat e përcaktuara nga Banka Qendrore e Kosovës”.
Sipas kësaj Shoqate këto rregulla përfshijnë përcaktimin e strukturës së primit, shumën minimale apo maksimale apo kufi tjetër brenda të cilit primi duhet të jetë, si dhe bazën teknike e cila duhet të përdoret nga siguruesit me rastin e llogaritjes së primit të sigurimit.
“ Në rast se kushtet e primit dhe bazat teknike nuk janë në përputhje me ligjin, atëherë BQK kërkon nga siguruesi që t’i ndryshojë ato”.
Kujtojmë se muaj më parë kompania e sigurimeve INSIG në Kosovë ka falimentuar. Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës ka marrë vendimin që kjo kompani të mos vazhdojë punën. Në vendimin e Bordit thuhet se Kompania e Sigurimit “INSIG” ka pasur vështirësi financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore të BQK-së për sa i përket mjaftueshmërisë së kapitalit dhe aftësisë paguese – Solvencës. (Lexo: https://www.monitor.al/falimenton-kompania-e-sigurimeve-insig-ne-kosove/)
“Bordi Ekzekutiv i BQK-se merr vendim për revokim të licencës së kompanisë së sigurimeve së SH.A. “Insig” Dega në Kosovë. Bazuar në kompetencat dhe përgjegjësitë e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, që rrjedhin nga neni 36 dhe 67 i Ligjit për BQK-në, si dhe në pajtim me nenin 16, nenin 99, nenin 100 dhe nenin 124 të Ligjit për Sigurimet, në takimin e mbajtur me datë 26 prill 2019, Bordi Ekzekutiv i BQK-së ka marrë Vendim që Kompanisë së Sigurimit “Insig” SH.A., Dega Kosovë, t’i revokohet Licenca Nr. 003 e datës 25 mars 2002, e lëshuar nga Autoriteti Bankar dhe i Pagesave të Kosovës (BPK), paraardhëse ligjore e BQK-së”, thuhet në vendimin e BQK.
Në tregun e sigurimeve, aktualisht të licencuara për të operuar në Republikën e Kosovës janë 12 kompani të sigurimeve, nga të cilat 10 merren me veprimtarinë e sigurimeve jo-jetë dhe dy kompani me sigurimet e jetës. Numri i të punësuarve varion ndër vite, mirëpo nga të dhënat statistikore të fundit, të angazhuar në industrinë e sigurimeve janë mbi 2 mijë të punësuar.
Sipas të dhënave zyrtare në Kosovë qarkullojnë mbi 315 mijë vetura të regjistruara, ku mesatarja e vjetërsisë së tyre që qarkullojnë në Kosovë është 18 vjet.
/ Fatos Shala për Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.