Në Kosovë, shitja e policave të sigurimit ka rënë për 33,3%

31/07/2020 2:00 PM 0 komente

Sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës gjatë periudhës pesë mujore shitja e policave të sigurimit ka rënë për 33,3 % krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti ka thënë se sektori i sigurimeve është më i godituri në vend në raport me institucionet tjera financiare nga pandemia COVID-19.

Pandemia COVID-19 u ka shkaktuar humbje milionëshe kompanive të sigurimit që operojnë në Kosovë, sidomos gjatë muajve mars dhe prill të këtij viti.

Gjatë këtyre dy muajve shitja e policave të sigurimit ka rënë në minimumin e mundshëm si asnjëherë më parë, pasi që për dy muaj me vendin të institucioneve të shtetit Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve nuk kanë funksionuar fare.

Mos inkasimi i primit dhe rritja e dëmeve edhe më shumë kanë goditur industrinë e sigurimeve në Kosovë.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti ka thënë se sektori i sigurimeve është më i godituri në vend nga pandemia COVID-19 në raport me institucionet tjera financiare.

Ai madje ka thënë se do të shikohet mundësia që të ndihmohet ky sektor.

“Guvernatori Mehmeti ka shprehur gatishmërinë e BQK-së për përkrahje të sektorit të sigurimeve dhe ndërmarrjen e të gjithë masave të nevojshme, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit të këtij sektori. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik dhe Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës falënderuan Guvernatorin Mehmeti për angazhimin e pakursyer në mënyrë që sektori i sigurimeve të vazhdojë të performojë në mënyrë pozitive”, thuhej në një njoftim të BQK-së.

Në anën tjetër Sami Mazreku, drejtor në Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës thotë se pasojat nga pandemia COVID-19 janë të mëdha. Sipas tij, edhe në këtë kohë kompanitë janë duke u dëmtuarsepse numri i automjeteve të pa regjistruara është rritur në mase enorme.

“Ka në qarkullim shumë automjete të pa regjistruara e të cilat janë duke shkaktuar dëme të mëdha, të cilat edhe më shumë e rëndësojnë gjendjen e kompanive në këtë situatë. Institucionet duhet të ndihmojnë kompanitë e sigurimeve si të gjitha bizneset tjera private në vend, pasi që sektori sigurimeve është prekur më së shumti në sektorin financiar nga COVID-19” ka thënë ai.

Sipas tij, gjatë gjithë kohës kompanitë e sigurimeve i kanë paguar pagat e punëtoreve të plota, si dhe asnjë punëtorë nuk e ka humbur vendin e punës.

“Shteti humb miliona euro nga mos pagesa e taksave të parapara në momentin e regjistrimit të automjeteve, derisa kompanitë humbin mjete pasi që sipas ligjit duhet të kompensojnë çdo qytetar të cilit i shkaktohet aksident nga automjeti i pa siguruar, e ku më pastaj kompanitë përmes procedurave gjyqësore këto mjete i rimbursojnë nga shkaktari i aksidentit”.

Mbi 150 mijë polica më pak

Referuar të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës shihet se gjatë pesë mujorit të parë të këtij viti shitja e policave ka rënë prej hiç më pak se 33,3% në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, apo rreth 150 mijë euro më pak.

Gjatë periudhës janar-maj 2020 të gjitha kompanitë e sigurimeve në vend kanë shitur 267256 polica, ku nga ky numër 127,569 janë polica Përgjegjësi ndaj Palës së Tretë (TPL), 44195 janë polica kufitare, derisa pjesa tjetër prej 95,492 janë polica vullnetare. Ndërsa gjatë periudhës së njëjtë të vitit paraprak, pra 2019 kompanitë e sigurimeve në vend kanë arritur të shesin 401,278 polica të sigurimit, ku nga ky numër 169,861 janë polica Përgjegjësi ndaj Palës së Tretë (TPL), 94,915 janë polica kufitare dhe pjesa tjetër prej 136,502 janë polica vullnetare.

33,3 % ka rënë shitja totale e policave gjatë periudhës janar-maj 2020, krahasuar me periudhën janar-maj 2019

267,256 polica sigurimi janë shitur gjatë periudhës janar-maj 2020

401,278 polica sigurimi janë shitur gjatë periudhës janar-maj 2019

127,569 polica Përgjegjësi ndaj Palës së Tretë (TPL), janë shitur gjatë periudhës janar-maj 2020

169,861 polica Përgjegjësi ndaj Palës së Tretë (TPL), janë shitur gjatë periudhës janar-maj 2019

95,492 polica vullnetare të sigurimeve janë shitur gjatë periudhës janar-maj 2020

136,502 janë polica vullnetare të sigurimeve të cilat janë shitur gjatë periudhës janar-maj 2019.

Sa dëme kanë paguar kompanitë deri tani  

Më shumë se 17,2 milionë euro dëme janë paguar nga kompanitë e sigurimeve të cilat operojnë në Kosovë  gjatë 5 muajve të parë të këtij viti. Bazuar në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se shuma e dëmeve të paguara në pesë mujorin e parë të këtij viti pothuajse është e përafërt me pesë mujorin e parë të vitit paraprak.

Sipas të dhënave të BQK shihet se gjatë muajit maj të këtij viti në emër të dëmeve kompanitë e sigurimeve kanë paguar 1,4 milionë euro, në muajin prill janë paguar 3,1 milionë euro, në muajin mars 3,1 milionë euro, në muajin shkurt 4,1 milionë euro, si dhe në muajin janar shuma e dëmeve të paguara nga kompanitë e sigurimeve ishte 5,5 milionë euro, apo gati 100 % më e lartë se sa ishte në muajin e njëjtë në vitin paraprak.

Sami  Mazreku nga Shoqata e Sigurimeve më tutje ka treguar se edhe në muajt vijues kompanitë kanë vazhduar me intensitet të njëjte të pagesës së dëmeve. Ai më tutje tregon se shumën e dëmeve të paguara dukshëm janë duke e rritur edhe automjetet e pa siguruara, që sipas tij  po rriten nga dita në ditë.

“Nga muaji mars, por edhe në këto momente kompanitë ballafaqohen me probleme të shumta nga pandemia, por përkundër kësaj pagesa e dëmeve vazhdon më ritëm të njëjtë, sikurse në muajt paraprak”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of