Në Kosovë të gjithë kundër Mini Shengen

14/11/2019 10:21 AM 0 komente

Më 10 nëntor gjatë një takimi në Ohër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, pa pjesëmarrjen e Kosovës kanë miratuar një deklaratë me një listë të përparësive dhe masave me të cilat synojnë të përmirësojnë bashkëpunimin rajonal. Sipas marrëveshjes e cila u quajt “Mini Shengeni ballkanik”, tri nga nëntë pikat kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë të mallrave, transferin e kapitalit financiar dhe unifikimin doganor. 

 

Bashkëpunimi për Mini-Shengenin Ballkanik, iniciativë e nisur nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, pritet të finalizohet më 21 dhjetor në takimin e Durrësit.

Por, një iniciativë e tillë po kritikohet ashpër në Kosovë. Kundër kësaj ideje kanë dalë bizneset, opozita dhe përfaqësues të Odave Ekonomike. 

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arianit Zeka ka thënë se shtetet e Ballkanit së pari duhet të zbatojnë marrëveshjen e CEFTA-së, dhe më pas të shikojnë mundësitë e tjera të bashkëpunimit.

Ai thotë se pa u implementuar në mënyrë të plotë marrëveshja e CEFTA-s nuk duhet të krijohet një platformë e tillë bashkëpunimi.

“Ajo çfarë duhet të thuhet është që ekzistojnë barriera të shumta për sa i përket zbatimit të duhur edhe të plotë të marrëveshjes së CEFTA-s, shpeshherë shtetet e Ballkanit që janë nënshkruese dhe pjesëmarrëse të marrëveshjes së CEFTA-s i kanë vënë barriera të ndryshme tarifore dhe jo tarifore njëra tjetrës. Pa u eliminuar të gjitha këto barriera pa u implementuar në mënyrë të plotë marrëveshja CEFTA unë besoj që është herët të flitet për krijimin e ndonjë platforme të re të bashkëpunimit siç është edhe kjo për ‘Mini-shengen’ të ri.  

Kurse, kryetari i Bordit të Odës Afariste të Kosovës, Skënder Krasniqi, thotë se vendi ynë nuk duhet të merr pjesë në këtë nismë, sipas tij, marrëveshjet paraprake e kanë dëmtuar ekonominë e Kosovës.

“Ne besojmë se Kosova në aspektin ekonomik nuk duhet të merr pjesë, sepse nuk ka një strategji të vetën të ecjes së zhvillimit ekonomik. Mungesa e kësaj strategji e bënë të pamundur që ta nënshkruaj një strategji të re dhe ta zbatojë atë. Kosova ka nevojë që t’i rishikoj të gjitha këto marrëveshje para se të vjen te marrëveshja e re, në mënyrë që të jetë më e fuqishme në rast se e hap tregun e rajonit se sa që e ka tani”.

Ai tregon se Marrëveshjen për Tregti të Lirë me vendet e Evropës Qendrore (CEFTA) dhe ajo e Stabilizim-Asociimit (MSA) e kanë dëmtuar Kosovën pasi janë nënshkruar pa koordinim me biznesin.

“Takime si këto në aspektin e përgjithshëm nuk janë të këqija, në qoftë se shikohet për Kosovën, por forma se si vendi ynë i ka nënshkruar këto marrëveshje, si CEFTA dhe MSA, kanë qenë forma që e kanë dëmtuar Kosovën, të cilat janë nënshkruar pa ndonjë koordinim me biznesit”. 

“Mini-Shengeni” ballkanik është një modalitet tjetër i Unionit Doganor Ballkanik”

 

Për kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, asnjë iniciativë ekonomike rajonale nuk do të ketë sukses pa zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai në një shkrim në Facebook, ka reaguar duke thënë se ky “Mini Shengen” ballkanik duhet të përmbajë argumente kredibile ekonomike.

“Problemi fondamental në raportet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor është marrëdhënia aktuale Kosovë-Serbi. Nuk do të ketë sukses asnjë iniciative e re, asnjë reformë në procesin e zgjerimit, asnjë iniciativë ekonomike dhe financiare për rajonin, pa zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë. Integrimi politik dhe ekonomik në rajon është i pamundshëm në rrethanat kur vendet që synojnë integrimin nuk e njohin njëra-tjetrën”, ka shkruar Rukiqi.

Kurse, Avdullah Hoti nga LDK ka thënë se “Mini-Shengeni” ballkanik është një modalitet tjetër i Unionit Doganor Ballkanik i cili ka qenë refuzuar në vitin 2016.

Hoti përmes Facebook ka dhënë arsyet që sipas tij ky projekt nuk është në interesin e Kosovës dhe të shumicës së vendeve në regjion.

“1. Ia pamundëson Kosovës të vendosë kontrolle (tarifa, apo reciprocitet të plotë) për mallra që e çrregullojnë tregun e Kosovës, në radhë të parë ndaj Serbisë dhe Bosnjës si dy vende që nuk e njohin Kosovën dhe e pengojnë në çdo formë. Mundëson lëvizje të papenguar për zyrtarë serbë që vijnë në Kosovë për fushatë politike kundër shtetit të Kosovës, pa pasur mundësi të ndalen në kufi për shkak të “lëvizjes së lirë” pa leje paraprake që mundëson minishengeni.E de-faktorizon Kosovën politikisht dhe ekonomikisht në kontekst të marrëdhënieve rajonale, pasi marrëveshja nënkupton delegimin e fuqisë shtetërore në minishengen.Favorizon ekonomikisht shtetet e Ballkanit që kufizohen me shtete anëtare të BE-së përmes politikës së taksave, ndërkaq Kosova nuk ka asnjë kufi me BE-në.

Krijon mundësi për invazion të mallrave nga Rusia dhe vendet e zonës ekonomike ruse për shkak se Serbia ka marrëveshje të tregtisë së lirë me Rusinë. Si vendi me popullsinë dhe me ekonominë më të madhe në rajon, Serbia përmes kësaj ideje tenton ta mbajë sa më gjatë regjionin e Ballkanit jashtë Bashkimit Evropian, në pritje të krijimit të balanceve të tjera gjeopolitike me rol të shtuar të Rusisë”.

Nisma për “Mini Shengenin” ballkanik është përshëndetur nga i dërguari posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Mattheë Palmer.

Ai në takimin e Forumit Ekonomik Botëror, që u mbajtur të premten e kaluar në Davos të Zvicrës, është shprehur se në këtë projekt ka vend edhe për Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjën e Hercegovinën.

“Angazhimi i Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të promovojnë bashkëpunimin përmes së ashtu-quajturës nisma e Shengenit ballkanik është shpresëdhënës, është një tregues që liderët në rajon po marrin përgjegjësi për fatin e tyre, po marrin në dorë të ardhmen e vet. Arkitektura e kësaj nisme ka një skaj të hapur, ka vend për Malin e Zi, Bosnjën e Hercegovinën dhe Kosovën. Nisma është premtuese, ka mbështetjen tonë dhe angazhimin tonë për të bashkëpunuar me liderët e Ballkanit Perëndimor për ta çuar përpara”, ishte shprehur Palmer.

Kudër “Mini-Shengenit” edhe Thaçi, Kurti e Mustafa

Ndryshe, takimi i fundit i liderëve të Ballkanit Perëndimor është mbajtur të dielën në Ohër të Maqedonisë së Veriut, si vazhdimësi e takimit të Novi Sadit për krijimin e një “Mini-Shengeni” mes Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë. Pjesëmarrjen në këtë takim e ka refuzuar Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ngase siç ka thënë ai, Kosova ishte anashkaluar në takimin e parë në Novi Sad të Serbisë.

Kjo iniciativë rajonale, sipas presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Kandidati kryesor për mandatarin e ardhshëm të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se takimi në Ohër s’është dashur të mbahet.

“Vala e dytë e këtyre iniciativave rajonale nuk është dashur të mbahet. U mbajt takimi i parë në Novi Sad, u tha që në Ohër do të vijnë të gjithë dhe së pari aty nuk shkoi Kosova, së dyti Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina patën përfaqësim simbolik dhe besoj që në kohën kur spostohet edhe Samiti i Parisit nuk ka pse të mos spostohet për një datë tjetër edhe ky i Ohrit”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, është e gabueshme dhe pashpjegueshme ngutia që medoemos, tani, të mbahet takimi në Ohër në kohën kur dihej që Kosova nuk do të marrë pjesë.

Krijimin e një “Mini-Shengeni” e ka kundërshtuar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Sipas tij, kjo çon në krijimin e një “Mini-Jugosllavie”.

“Politikat e Mini-shengenit i largojnë vendet e Ballkanit Perëndimor nga rruga e integrimeve evropiane dhe i qon në strofullën euroaziatike të dominuar nga Rusia.

Janë këto manovrime të Serbisë për të bishtëruar detyrimet ndaj Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën dhe për njohje të pavarësisë së Kosovës. Ndoshta kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Maqedonisë Veriore e kanë të qartë se ku janë interesat e vendeve të tyre por Kosova asesi”.

Nisma për “Mini-Shengenin” ballkanik është përshëndetur nga i dërguari posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Mattheë Palmer.

Në takimin e Forumit Ekonomik Botëror, Palmer tha se kjo nismë “tregon vendosmërinë e liderëve nga rajoni për të marrë përgjegjësi për fatin dhe të ardhmen e tyre”. Ai është shprehur se në këtë projekt ka vend edhe për Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën dhe Kosovën.

Takimi i radhës së liderëve të Ballkanit Perëndimor do të mbahet në Durrës më 21 dhjetor, ku pritet të jetë sërish e ftuar edhe Republika e Kosovës./Monitor.al/. 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of