Në Kosovë gjatë vitit 2018 janë kurorëzuar 16 mijë e 871 çifte-bashkëshortore, ndërsa në Prizren numri i kurorëzimeve ishte 1 mijë e 589 raste, pastaj Prishtina me 1 mijë e 285 kurorëzime dhe Ferizaj ishin 1.067 kurorëzime. Mosha mesatare sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës e të martuarve ishte 30 vjeç. Prej tyre mosha mesatare e meshkujve ishte 31 vjeç, ndërsa mosha mesatare e femrave ishte 28 vjeçe.
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Kurorëzimeve në Kosovë 2018”. Të dhënat në këtë publikim si bazë kanë të dhënat administrative të marra nga zyrat e gjendjes civile në Kosovë.
Në vitin 2018, thuhet në komunikatë, janë grumbulluar gjithsej 18.332 fleta statistikore për kurorëzime DEM-3.
“Këto të dhëna tregojnë se në Kosovë në vitin 2018 janë kurorëzuar 16.871 çifte-bashkëshortore”, thuhet në komunikatë.
Nga gjinia femërore, me përkatësi etnike shqiptare janë 94.0%, kurse 95.8% janë meshkuj të përkatësisë etnike shqiptare.
“Femra me përkatësi etnike serbe janë 1.1% dhe meshkuj 1.1%; femra të përkatësisë etnike turke janë 0.4%, kurse meshkuj janë 0.5%; femra me përkatësi etnike boshnjake janë 1.1%, kurse meshkuj janë 1.0%; femra me përkatësi etnike rome, ashkali dhe egjiptiane janë 1.2%, kurse meshkuj janë 1.3%; femra me përkatësi tjetër etnike janë 2.3%, kurse meshkuj 0.4%”.
Sa beqarë dhe beqare u martuan në vitin e kaluar?
Mosha mesatare e të martuarve ishte 30 vjeç. Prej tyre mosha mesatare e meshkujve ishte 31 vjeç, ndërsa mosha mesatare e femrave ishte 28 vjeçe.
“Në kurorëzimet sipas grup-moshave, dominojnë femrat e moshës 20-24 vjeçare me 5.398, ose 32.0%, ndërsa te meshkujt dominon mosha 25-29 vjeçare me 5.341, ose 31.7%. Më së shumti kurorëzime ishin në komunën e Prizrenit, 1.589 raste, ose 8.7%, pastaj vjen Prishtina me 1.285 kurorëzime, ose 7.0%, ndërsa në Ferizaj ishin 1.067 kurorëzime, ose 5.8% etj”, thuhet tutje.
Sipas përgatitjes shkollore, dominojnë femrat dhe meshkujt me shkollë të mesme. Numri i femrave të kësaj kategorie ishte 10.602, ose 62.8%, kurse e meshkujve ishte 11.701, ose 69.4%.
“Numri i meshkujve me shkollë të mesme është 69.4 % ndërsa e femrave është 62.8%. Frekuenca e martesave ishte më shume e shprehur në muajin Gusht me 12.6% të rasteve të kurorëzuarave ndërsa muaji me më pak kurorëzime ishte muaji Qershor me 6.1%.
Meshkujt beqar të cilët janë kurorëzuar gjatë vitit 2018 ishin 91.5 përqind ndërsa femrat beqare ishin 96.0 përqind pra 91.5 përqind e meshkujve nuk kanë qenë asnjëherë të martuar më parë po ashtu 96.0 përqind e femrave nuk kanë qenë asnjëherë te martuara. /Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.