Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani ka shpërndarë Legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës dhe i ka caktuar zgjedhjet parlamentare të parakohshme për 14 shkurt.
“Duke u bazuar në përgjegjësitë kushtetuese dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese Nr. KO-95/20, si dhe pas diskutimit me partitë parlamentare dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, u.d. Presidentja, Vjosa Osmani, ka marrë vendim të shpallë zgjedhjet dhe të caktojë 14 shkurtin 2021 datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme”, thuhet në njoftim.
Më këtë vendim KQZ-ja është udhëzuar t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës. U.d. Presidentja po ashtu ka nxjerrë Dekret për shpërndarjen e Legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Shpallja e datës së zgjedhjeve pason publikimin e aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, që konstatoi se zgjedhja e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti ishte bërë në mënyrë jokushtetuse.
Kjo për shkak se për Qeverinë Hoti kishte votuar Etem Arifi, ndaj të cilit kishte një dënim të formës së prerë, për veprën penale “mashtrim me subvencione” me dënim prej më shumë se një viti./ Fatos Shala
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.