Intervistë me Gazmir Abazi, Chief Dealer në Departamentin e Thesarit, Union Bank
Gazmir Abazi, përgjegjës për këmbimet valutore (chief dealer) në Union Bank, thotë në një intervistë për revistën “Monitor”, se mungesa e kërkesës për valutë ishte faktori kryesor që nuk lejoi një mbiçmim të euros në kursin e këmbimit me lekun vitin e kaluar.
Z. Abazi veçon edhe anulimin e ankandeve për blerje valute nga Banka e Shqipërisë, si një faktor tjetër që e uli kërkesën për monedhën europiane në tregun valutor. Së fundmi, ai evidenton edhe një prurje të lartë të paundit britanik në treg. Në kushte normale, sipas tij, kursi i euros duhet të rritet gjatë këtij viti, megjithatë thekson se prurjet informale mbeten një faktor me rëndësi të konsiderueshme në kursin e këmbimit të euros.
Si e vlerësoni ecurinë e kursit të këmbimit Euro-Lek vitin e kaluar?
Në vitin 2020, Euro kundrejt Lekut është luhatur në bandën 121.60-133.00. Në një vështrim të parë, kjo luhatje duket e lartë, por duhet thënë që ecuria e Eur/Lek mund të konsiderohet relativisht e qëndrueshme, në kufijtë 122-124 lekë. Siç mund të kuptohet edhe nga grafiku, ka qenë vetëm një episod kur tregtimi i Eur/Lek ka kaluar bandën 122.00-124.00, që përkon me javën e fundit të muajit mars, kur Eur/Lek u tregtua në nivelin e 133.00 Lek.
Arsyeja kryesore e kësaj luhatjeje ishte paniku që kapi tregun, pasi për shkak të izolimit dhe pamundësisë së lëvizjes fizike, sistemi bankar nuk arriti dot të furnizohej nga rrethet jashtë Tiranës me valutë, në mënyrë që të përmbushte kërkesën ndaj saj. Në këto kushte, vlerësimi i valutës ishte i pashmangshëm, gjë që e detyroi Bankën e Shqipërisë të ndërhynte në treg dhe të shiste përafërsisht 15 milionë euro, veprim ky i cili e qetësoi tregun.
Pse, në gjykimin tuaj, kriza nuk solli nënçmim të monedhës vendase në kursin e këmbimit me euron? Cilët ishin faktorët që amortizuan efektin e krizës në kursin e këmbimit valutor?
Arsyeja kryesore është mungesa e kërkesës për valutë. Fakti që karantinimi arriti të bllokojë dhe të godasë kryesisht biznesin importues, i cili është dhe zëri kryesor në bilancin tonë tregtar, solli rënie të kërkesës për valutë. Për më tepër, Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2020, hoqi dorë nga programi i saj i përmuajshëm i blerjes së valutës, me qëllim rritjen e rezervës valutore, program nga i cili Banka e Shqipërisë mendohej të blinte rreth 130 milionë euro gjatë vitit.
Në muajin dhjetor, euro ra në nivele edhe më të ulëta se në sezonin veror, në kursin e këmbimit me lekun. Cilat ishin shkaqet?
Mendoj se rihapja e aktiviteteve në fund të muajit maj, solli kthimin në një normalitet të cunguar të jetës në vend, duke bërë të mundur hapjen e bizneseve në aktivitetin e tyre të përditshëm, ku kërkesa për valutë është më e madhe se oferta. Referuar grafikut, Eur me Lek në muajin qershor, ka shënuar rritje deri në 124.40 Lek, ndërkohë ardhja e pushuesve në muajin gusht rriti ofertën për valutë dhe rrjedhimisht solli forcimin e Lekut.
Leku është mbiçmuar ndjeshëm në muajt e fundit të vitit të kaluar në kursin e këmbimit me Dollarin Amerikan. Pse ka ndodhur kjo?
Rënia e Dollarit Amerikan nuk është e lidhur me kushtet mikro apo të brendshme. Arsyeja kryesore është dobësimi i Dollarit Amerikan në tregjet ndërkombëtare, për shkak të krizës politike që Amerika po kalon, gjë që i bën tregjet më skeptike për të mbajtur USD.
Si e parashikoni ecurinë e kursit të këmbimit të Lekut me Euron dhe valutat kryesore të huaja në vitin 2021?
Është disi e vështirë të bëhen parashikime në lidhje me ecurinë e kurseve të këmbimit, pasi ka shumë faktorë të lidhur me të, si të brendshëm ashtu dhe ndërkombëtarë, për më tepër s’duhet harruar edhe ndikimi i pandemisë. Teorikisht, ne jemi një vend me bilanc tregtar negativ, ku importet janë më të mëdha në volume se eksportet.
E thënë më thjeshtë, kërkesa për valutë duhet të jetë e madhe, ç’ka do të sillte zhvlerësim të lekut. Kjo do të ishte situatë në kushte optimale tregu, ndërkohë, në realitet, nuk ndodh kështu. Sigurisht, që informaliteti në ekonominë tonë ka një zë të veçantë edhe në këtë pjesë.
Ajo që vihet re së fundmi është një prurje e madhe e monedhës GBP e cila e zbut kërkesën për valutë dhe bën që kursi i këmbimit të jetë në këto nivele. Nëse jeta i rikthehet normalitetit gjatë vitit 2021, duhet të shohim një rritje të kursit të këmbimit Eur/Lek bazuar në faktorët e mësipërm. Një tjetër element që ndikon në këtë krah është edhe fakti që Banka e Shqipërisë rishtazi publikoi planin për rritjen e rezervës së saj valutore në vitin 2021, me përafërsisht 130 milionë euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.