Transportimi dhe tregtimi i gazit në Shqipëri, si dhe krijimi i standardeve të përdorimit të tyre në biznese, vijojnë të mbeten problematike.
Çfarë kontrollesh merren nga Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial dhe a mjaftojnë masat administrative si ‘ndëshkim’ për subjektet problematike dhe pa standard? Flet Juliana Gaxha, Përgjegjëse e Sektorit Juridik pranë ISHTI
Dy arsye pakujdesie dhe gabimi njerëzor me bombolat e gazit në një biznes privat në zemër të Bllokut në kryeqytet u bënë shkak për lëndimin fizik të katër personave dhe psikologjik të së gjithë zonës përreth.Ngjarje të tilla nuk janë të pakta në Shqipëri, në shumë raste edhe jo të raportuara, ndonëse me ndryshimet që pësoi ligji “Për përpunimin, transportin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre” dhe rritjen e kontrollit të Inspektoratit Shtetëror, Teknik dhe Industrial, situata nisi të ndryshojë. Juliana Gaxha, përgjegjëse e Sektorit Juridik pranë ISHTI, thotë për “Monitor” se inspektimet në shoqëritë e tregtimit me shumicë dhe stacionet e shitjes të nënprodukteve të naftës dhe lëndëve djegëse janë shtuar dy vitet e fundit dhe po ashtu, masat administrative ndaj bizneseve që nuk sigurojnë kushtet.
Sipas saj, vetëm në 2018 janë dhënë 50 milionë lekë gjoba dhe janë marrë e masa për mbylljen e shumë subjekteve, të cilët kryenin aktivitet jashtë standardit.
“Problematika më të theksuara ndër vite kemi hasur në sektorin e tregtimit dhe transportimit të gazit. Por nuk mungojnë edhe problematika si mungesa e pajisjes me dëshmi aftësie të punonjësve që shfrytëzojnë enë nën presion, në veçanti në bizneset në zonat turistike”, -thotë znj. Gaxha.
Karburante, rafineri dhe restorante, ISHTI gjobiti 87 subjekte në vitin 2018
Të dhënat zyrtare nga Inspektorati Shtetëror, Teknik dhe Industrial për vitin 2018, tregojnë se në total janë marrë masa ndaj 87 subjekteve. Bëhet fjalë për ato subjekte që janë penalizuar me masa administrative, siç është gjoba dhe totali i tyre arriti 49.35 milionë lekë. Nga publikimi periodik i të dhënave lidhur me kontrollet rutinë dhe masat ndaj subjekteve në shkelje, ka larmishmëri të llojit të aktivitetit që ushtrojnë këto të fundit, duke nisur nga ato më tipiket, siç janë pikat e karburantit për të arritur te kompani që ushtrojnë aktivitet në agropërpunim apo në sektorin e shërbimeve.
E ndërsa gjatë verës, fokusi duket se ka qenë kryesisht te kontrolli i dokumentacionit, por edhe instalimeve të gazit të bëra nga ana e restoranteve apo hoteleve, duket se në muajt e fundit në vëmendje kanë qenë instalimet elektrike, si dhe ruajta e distancave të sigurisë.
Po kështu, ISHTI ka gjobitur subjekte që në inspektimet e mëparshme u ishte lënë detyrë realizimi i një sërë masave, ndërkohë që duket se kompanitë nuk kanë plotësuar këto kërkesa. Inspektorati ka gjobitur, gjatë vitit 2018, në masën 1.5 milionë lekë subjekte të cilat janë konstatuar se tregtonin karburant jashtë normave të lejuara, ndërkohë që për raste të tjera, kur është konstatuar mungesë dokumentacioni, për pajisjet nën presion, si dhe mungesë e projektit teknologjik, gjobat kanë variuar deri në 500 mijë lekë.
Në disa raste janë vërejtur mungesa të dokumentacionit tekniko-ligjor dhe masa e gjobës, sipas parashikimeve ligjore, është luhatur në nivele deri në 500 mijë lekë.
Nga bilanci 12-mujor, rekordin e gjobave dhe vlerës e mban marsi, kur fokusi ka qenë edhe te subjektet që përpunonin vajra, kompani në sektorin e agropërpunimit, për shkak të mungesës së dokumentit të sigurisë së përgjegjësisë civile, apo mungesë të projekteve teknike për pajisjet nën presion, apo mënyra sesi kryhen instalimet elektrike. Muaji me më pak gjoba rezulton të jetë korriku, me vetëm 2 të tilla dhe me vlerë të akumuluar prej 0.55 milionë lekë.
Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial është institucioni që ka tagrin të kontrollojë subjekte që operojnë në sektorë të ndryshëm dhe që preken nga disa ligje dhe akte nënligjore, si ai për “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, ligji nr.32/2016 datë 24.03.2016 “Për garantimin e sigurisë së punës së pajisjeve/instalimeve nën presion” si dhe VKM nr.212, datë 16.03.2016 “Për përcaktimin e kushteve dhe të rregullave teknike për përpunimin e bombolave të mbushura me gaz të lëngshëm të naftës (GLN)” dhe ligji nr. 8734, datë 01.02.2001 “Për garantimin e sigurisë së punës të pajisjeve dhe instalimeve elektrike”, i ndryshuar.
Subjektet që raportohen si problematike:
– Mbushja e bombolave me gaz në autogaze, veprim i cili është i ndaluar dhe dënohet me ligj
– Ndalimi i vendosjes së autogazeve në zonat urbane me dendësi të lartë banimi
– Mungesa e trupave të certifikuar për montimin e bombolave në familje
– Mungesa e detektorëve në familje dhe biznese
– Mungesa e miratimit të standardit të gazit me VKM si rregull teknik, gjë që pritet të hyjë në fuqi në muajin korrik, në zbatim të direktivës 802/2016.
– Tregtimi i GLN-së për qëllime rezidenciale me odorant sipas standardit (etil merkaptan)
– Mungesa e pajisjes me dëshmi aftësie të punonjësve që shfrytëzojnë enë nën presion, në veçanti në bizneset në zonat turistike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.