Bojkotet e konsumatorëve paralajmërojnë probleme për firmat perëndimore në Kinë. Konfliktet e mëparshme janë venitur, por ndarja mbi Xinjiang është edhe më e vështirë, shkruan The Economist
Bojkotet e markave të huaja janë aq të zakonshme në Kinë, saqë menaxherët kanë një strategji të planifikuar sa herë që përfshihen në një stuhi zemërimi nacionalist. Strategjia nis me kërkimin e faljes.
Më pas, kompania qëndron e heshtur, duke shprehur ndoshta respekt për kulturën kineze dhe së fundmi pret që zemërimi të qetësohet. Së fundmi, lista e kompanive të cilave u është dashur të përdorin këtë strategji, është rritur. Konsumatorët kinezë, të nxitur nga Partia Komuniste në pushtet, u zotuan të bojkotojnë disa nga kompanitë më të mëdha të veshjeve në botë, nga Adidas tek Zara.
Bojkotuesit janë zemëruar për shkak se disa firma të huaja kanë deklaruar shqetësimin e tyre në lidhje me pretendimet se industria e pambukut të Kinës përfshin punën e detyruar të ujgurëve, një pakicë etnike kryesisht myslimane në rajonin veriperëndimor të Xinjiang. Shefat e kompanive shpresojnë se polemika do të shuhet me kalimin e kohës. Por ata dhe drejtuesit e tjerë perëndimorë në Kinë, druhen se kësaj here është ndryshe. Operacionet e tyre fitimprurëse në Kinë po rrezikojnë të fundosen në humnerën politike që është hapur midis Perëndimit dhe Kinës.
Shitësi me pakicë i veshjeve, H&M, po përballet me probleme më të ngutshme. Që nga 30 marsi, një javë pasi marka u kritikua në internet, veshjet e saj ishin ende të padisponueshme në aplikacionet më të njohura të tregtisë elektronike në Kinë. Dyqanet e saj janë zhdukur nga hartat e celularëve smartphone. Pronarët në disa qendra tregtare kanë pezulluar qiradhëniet. Biznesi kinez i kompanisë, me vlerë 1 miliard dollarë në të ardhura dhe që përfaqëson 5% të shitjeve të saj globale, është tashmë në rrezik.
Për kompanitë e tjera, zemërimi për Xinjiang nuk ka qenë aq shkatërrues. Edhe teksa personat e famshëm në Kinë anuluan marrëveshjet me Nike, rreth 350,000 kinezë u regjistruan për blerjen online të një palë këpucëve me seri të kufizuar, që marka i ofroi për shitje më 26 mars. Turma e zemëruar e rrjeteve sociale është pakësuar, ndoshta një shenjë se censorët qeveritarë po e frenojnë atë, për të ulur gjaknxehtësinë. Çmimet e aksioneve të firmave të huaja të ngatërruara në bojkotime kanë rifituar shumicën e humbjeve të tyre fillestare.
Megjithatë, drejtuesit e huaj mbeten të alarmuar. Çështja që lidhet me problemet e tyre aktuale – shkeljet e të drejtave të njeriut në Xinjiang dhe gatishmëria e re e Perëndimit për t’i ndëshkuar ato – është një çështje për të cilën strategjia e zakonshme e markave nuk është e përshtatshme. Kjo dukuri mund të përhapet edhe më gjerë, duke depërtuar në shumë anë të tjera të marrëdhënieve të tyre të biznesit me ekonominë e dytë më të madhe në botë.
Nisja e bojkoteve
Duket se bojkotet nisën për shkak të njoftimeve të koordinuara nga Amerika, Britania, Kanadaja dhe Bashkimi Europian më 22 mars, mbi ndërmarrjen e sanksioneve kundër zyrtarëve kinezë për abuzimet në Xinjiang. Kina u kundërpërgjigj me sanksionet e saj. Më pas, partia Lidhja e Rinisë Komuniste, nxori në dritë një deklaratë të vjetër të H&M, ku kompania shprehte shqetësimin në lidhje me raportet mbi punën e detyruar në Ujgur. Hua Chunying, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme, e bëri të qartë mesazhin. “Populli kinez nuk do të lejojë që disa kompani të huaja të hanë ushqim kinez dhe të shkatërrojnë kupat kineze ku kanë ngrënë”, tha ajo.
Ky konflikt i ndezur ilustron vështirësinë e shkëputjes ekonomike midis Kinës dhe Perëndimit. Industria e pambukut në Kinë vlen rreth 12 miliardë dollarë në vit, më pak se 0,1% e PBB-së. Rreth 90% e pambukut të Kinës vjen nga Xinjiang, dhe qeveria thotë se 70% e kësaj sasie është korrur mekanikisht. Në teori, duhet të jetë e mundur që kompanitë të heqin fijet e përzgjedhura me dorë nga zinxhirët e tyre të furnizimit.
Por në praktikë, kjo do të kërkonte auditime në lidhje me procesin e prodhimit të pambukut. Kina nuk lejon as udhëtime falas në Xinjiang, e aq më pak biseda të pamonitoruara me punëtorët ujgurë. Vjet, grupet amerikane të industrisë së veshjeve e përshkruan gjendjen si “një situatë e një shkalle, shtrirjeje dhe kompleksiteti të paparë gjatë epokës moderne të zinxhirëve globalë të furnizimit”.
Në janar, Donald Trump e injoroi fare kompleksitetin e situatës duke urdhëruar ndalimin e plotë të importeve të pambukut nga Xinjiang. Pasardhësi i tij si president, Joe Biden, i cili është më pak i prirë ndaj ngacmimeve me Kinën, por më i angazhuar në të drejtat e njeriut, nuk e ka kthyer mbrapsht urdhrin.
Problemi është se filli i pambukut nga Xinjiang shpërndahet nëpër fabrikat në të gjithë Kinë, duke e bërë të vështirë ndalimin e përhapjes së kësaj njolle të zezë në të gjitha produktet kineze të pambukut, të cilat përbëjnë një pjesë të mirë të furnizimit global. Kina përbën rreth 40% të eksporteve të tekstilit në botë. “Nuk mund të sigurohemi se zinxhiri i plotë i furnizimit është i pastër”, vëren një konsulent me seli në Shanghai.
Mei Xinyu, një studiues në Ministrinë e Tregtisë, ka shkruar se pambuku është “pika e hyrjes” e strategjisë amerikane për të përdorur Xinjiang me qëllimin për të shtypur Kinën, e cila i ka mohuar akuzat se po ndodh një punë e detyruar.
Zgjedhja e vetme e Kinës, thotë ai, është të luftojë me forcë. Partia Komuniste është e sigurt në aftësitë e saj për ta bërë këtë, falë asaj që ajo e quan “fusha e fuqishme gravitacionale” e tregut kinez. Firmat e listuara në Amerikë, të cilat raportojnë rregullisht të ardhurat e tyre nga Kina ose Azia, kanë pasur rezultate më të mira financiare sesa firmat që nuk kanë lidhje biznesi me Kinën (shih grafikun).
Megjithatë, edhe graviteti ka kufijtë e tij. Kërkimi i faljes, hapi i parë në rregullimin e marrëdhënieve, nuk ka vlerë në këtë rast. Shumë njerëz brenda kompanive të huaja “e njohin peshën morale të asaj që po ndodh në Xinjiang”, thotë Scott Nova nga Konsorciumi për të Drejtat e Punëtorëve, një organizatë për monitorimin e punës. Edhe ata që nuk e pranojnë atë, gjithsesi duhet t’i nënshtrohen ndalimit të importit të pambukut nga SHBA-ja nëse mallrat transportohen në Amerikë. Sidoqoftë, Kina nuk i sheh me sy të mirë. Firmat e huaja e kanë pasur praktikisht të pamundur që t’u shpjegojnë zyrtarëve kinezë detyrimet e tyre ligjore në Amerikë, thotë një ekspert i marrëdhënieve qeveritare.
Këto detyrime së shpejti mund të shumëfishohen. Akti i Parandalimit të Punës së Detyruar të Ujgurëve, po përparon aktualisht në Kongres me mbështetje dypartiake, dhe supozon se të gjitha produktet Xinjiang kryhen me punë të detyruar. Kompanitë duhet të provojnë të kundërtën nëse duan të eksportojnë në Amerikë. “Kjo është si të përpiqesh të provosh një negativ”, psherëtin një përfaqësues i industrisë amerikane. Pasojat mund të jenë dramatike. Pothuajse gjysma e polisilikonit në panelet diellore globalisht vjen nga Xinjiang. Prodhuesi më i madh i turbinave me erë të Kinës, Goldwind, është i vendosur atje. Në Xinjiang ndodhen dhe fabrika të shumta të energjisë së naftës dhe gazit.
Deri tani, Europa është treguar e përmbajtur në ndalimin e produkteve nga Xinjiang. Vendimi i Kinës për të përqendruar zemërimin e saj në firmën suedeze H&M dhe jo në një firmë amerikane, mund të jetë një paralajmërim për zyrtarët e BE-së. Por agresioni paraqet rrezik.
Në dhjetor, BE-ja dhe Kina nënshkruan një marrëveshje investimi e cila do t’u jepte firmave europiane industriale dhe financiare, një qasje më të madhe në tregun kinez. Parlamenti Europian tani mund të ketë dyshime në ratifikimin e saj. “Pas shtatë vitesh negociata, ne shpresonim se do të vinin shtatë vjet mirëqenie. Tani duket sikur mund të jenë vetëm shtatë vjet thatësirë”, thotë Joerg Wuttke, president i Dhomës së Tregtisë së BE-së në Kinë.
Kina ende dëshiron që disa firma të huaja të ndihen të mirëpritura. Më 26 mars, kryeministri Li Keqiang, vizitoi një fabrikë në pronësi të BASF, një gjigant gjerman i kimikateve. Një sjellje e tillë me siguri do të bëhet më e rrallë teksa autoritetet promovojnë biznesin vendas, nga prodhimi i çipave tek automjetet elektrike.
Plani më i ri pesëvjeçar i Kinës, i bërë publik në mars, është përqendruar në arritjen e vetëmjaftueshmërisë përballë një “mjedisi të jashtëm armiqësor”, siç e përshkruajnë udhëheqësit e partive. Shefat e kompanive perëndimore kishin shpresuar që përçarjet midis Kinës dhe Perëndimit do të fillonin të mbylleshin nën administratën e zotit Biden. Por ato po bëhen gjithnjë e më të mëdha.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.