Me GLE Coupé, e pritur në konçesionarë në korrik, marka e Yllit me tre cepa futet në kategorinë e modeleve SUV-coupé, e inauguruar shtatë vite më parë nga BMW. Temperamenti i makinës së re është sportiv. Provat për këtë i morëm nga një test ekskluziv në Nevada
Një kthesë e madhe drejt sportivitetit. Kjo është përshtypja e parë që merret duke drejtuar modelin e ri GLE Coupé. Është sikur, papritmas, edhe kompania e Yllit të ketë vendosur të rrezikojë në këtë drejtim (sigurisht po flasim për modelet Mercedes-Benz, jo për versionet Mercedes-AMG). Pas “shkundjes” që i bëri stilit designer-i Gorden Wagener me modelin A-Class, edhe ekipi përgjegjës për zhvillimin e modeleve të reja, drejtuar nga Thomas Weber, duket se ka punuar shumë.
KONTAKTI I PARË PËR DISA
Takimi me modelin e ri sport utility të Mercedes, i cili thyen traditën e kompanisë, realizohet në shkretëtirën e shtetit të Nevadas, me rastin e një testi ekskluziv dinamik, i cili i paraprin prezantimit zyrtar në Sallonin e Detroit, që u bë tani në janar.
GLE Coupé (për nomenklaturën e re të modeleve Mercedes shihni përmbledhjen në faqen tjetër) është e bija e martesës së fuoristradës ML (tani GLE) me një coupé luksi me katër dyer, por shpalos karakteristika dinamike tepër të ndryshme nga ato me të cilat na kanë mësuar veturat tepër të kulturuara nga Shtutgarti.
Nga kushërira ML, modeli GLE Coupé trashëgon njësitë motorike, fuqia e të cilëve dominohet me hijeshi fuqia nga një kambio automatike me nëntë raporte, ndërsa traksioni integral 4Matic shpërndan momentin përdredhës ndërmjet dy akseve në raportin 50:50. Fakti që këtu, ndryshe nga paraardhësja e saj me paketën Offroad, nuk gjendet asnjë diferencial qendror i bllokueshëm, tregon vullnetin e kompanisë për ta prezantuar si një veturë rrugore. Në këtë mënyrë interpretohen edhe xhami i parë prej 2.4° më i përkulur, karroceria 3 centimetra më e ulët dhe pozicioni i drejtimit 1.5 cm më e ulët. Në të njëjtën linjë me filozofinë e kompanisë gjermane, modeli GLE Coupé është më i thjeshtë se gjigantja dhe jashtëtokësorja BMW X6, nga e cila sigurisht dëshiron të marrë ndonjë klient. Këtë gjë po mendojnë të bëjnë edhe Audi apo Porsche.
EGËRSOHET NË SPORT PLUS
Pavarësisht një peshe boshe që i tejkalon dy tonelatat (2.120 kg), temperamenti është çuditërisht i gjallëruar, duke marrë parasysh se po flasim për një model Mercedes. Megjithatë, makina i qëndron ende besnike vlerave të vetë emrit që mban, siç janë komforti, siguria dhe ekuilibri i përgjithshëm. Por krahas këtyre vlerave, duke zgjedhur Sport+ midis pesë modaliteteve të disponueshme të udhëtimit (një më tepër se ML), motori dhe sistemi i drejtimit japin përgjigje më të shpejta, suspensionet ngurtësohen dhe ndërrimet e raporteve bëhen të rrufeshme, ndërsa makina nxjerr një tingull që të sjell ndërmend një AMG.
Poshtë parafangove të zgjeruar të rrotave gjenden amortizatorët me komandim elektronik (edhe për aksin e parë, në dallim nga X6) dhe gomat 315/50R21 përpara dhe 325/35R22 prapa. Krahasuar me ML, karrexhata është 16 mm më e gjerë.
Edhe pse inxhinierët shprehen vetëm me gjysmë zëri për performancat, qarkullojnë zëra se, në pistën e Nordschleife, GLE Coupé e pajisur me motor V6 prej 3.5 litrash ka lënë prapa makina të pajisura me motorë V8. Motori V6 i sipërpërmendur tek ML arrinte një fuqi maksimale prej 306 kf, por tek dy modelet GLE 350 të disponueshme për testet, duhet të kishte të paktën 30 kf më tepër. Megjithatë, pyetjeve mbi detajet teknike dhe në veçanti fuqisë, përgjegjësi i ekipit Andreas Zygan, i përgjigjet me një heshtjeje të palëkundur. Të njëjtë gjë bën edhe për motorin V8 biturbo dhe për motorët diesel BlueTec. Me pak vështirësi arrihet të mësohet se klientët të cilët janë më pak të interesuar për karakteristikat dinamike të modelit të ri Mercedes, por të ndjeshëm ndaj hijeshisë së hapësirave të mëdha të ajrimit në pjesën ballore, të tavanit të gjatë dhe të pjerrët dhe të “forcës fizike” që shprehet nga fundshpina e lartë e makinës, do të mund të porosisin GLE Coupé në një version me pajim më pak të rafinuar. Suspensione standarde, disqe prej 20″ apo 21″, katër modalitete drejtimi dhe asnjë pajisje për stabilizimin aktiv kundër rrokullisjes. Ende nuk dihet nëse për këtë version më të kujdesshëm ndaj formës sesa substancës, do të ofrohet apo jo si opsion shtesë marmita sportive.
Me këtë “bagazh të madh lëvizës”, siç e quajti një kalimtar vendas makinën e re, kompania Mercedes propozon një produkt që synon të ngjallë interes mbi të gjitha në Amerikën e Veriut, në Lindjen e Mesme dhe Kinë. Një makinë në gjendje të shndërrohet në një “status symbol”, pavarësisht ndonjë defekti të vogël funksional, siç mund të jenë edhe shkallët e aksesit shumë të larta.
Ajo që ka rëndësi është të mund të ulesh në timonin e një makine gjysmë coupé e gjysmë SUV e cila, falë elektronikës së gjeneratës së fundit, është e aftë të shpalosë një sjellje në rrugë tepër agresive. Për Mercedes hapet mundësia e një pozicionimi të ri të produktit për sa i përket sportivitetit, të cilat mund t’i shohim edhe në risi të tjera.
Diçitura:
Dy GLE Coupé 350 u përdorën në shkretëtirën e Nevadas në testet e fundit të lodhjes. Një rast unik për të verifikuar karakterin e makinës mbi asfalt dhe jashtë tij.
Krahasuar me ML, GLE Coupé shton një modalitet të pestë lëvizjeje përveç katër ekzistuesve Individual, Sport, Comfort dhe Snow: po flasim për Sport+, i cili parashikon rregullimin e vazhdueshëm të suspensioneve pneumatike, stabilizim aktiv kundër rrokullisjes dhe kohë të reagimit të kontrolleve elektronike prej 15 të qindtat e sekondës
Një shirit asfalti, një kornizë e veçantë për një automjet që i nënshtrohet për herë të parë testimit të gazetarëve. GLE Coupé ka shpalosur një sportivitet të pazakontë për një Mercedes (sigurisht, duke përjashtuar modelet e AMG)
Në rrugët e shtetit të Nevadas modelet GLE Coupé ishin mjaft të kamufluara. Majtas, foto reale e modelit të ri, që debutoi në janar në Sallonin e Detroit. Djathtas, gazetarët e paktë të lejuar në test dhe ekipi i zhvillimit të modelit
LAMTUMIRË ML…
NUK BËHET FJALË për daljen nga tregu të modelit SUV gjerman. Në mënyrë më pak dramatike, ajo që eliminohet është emërtimi i vjetër. Sigurisht, në një situatë ku oferta në treg zgjerohet lirisht, duhej vendosur një farë rregulli me emërtimet. Duke filluar pikërisht nga segmenti dinamik i modeleve SUV, në emrin e të cilave prej këtij viti do të jenë të pranishme pa asnjë përjashtim shkronjat GL. Do të jetë zanorja e tretë (apo bashkëtingëllore) që do të përcaktojë familjen në të cilën bën pjesë secili model. Në këtë mënyrë, GLA mbetet e njëjtë, ndërsa GLK bëhet GLC, ML do të quhet GLE (GLE Coupé është varianti protagonist në këto faqe) dhe modelet GL do të riemërtohen GLS. Në mënyrë të lavdishme ruan emërtimin e pandryshuar vetëm modeli G Class. I njëjti sistem do të aplikohet tek modelet coupé me katër dyer, të gjitha me CL, me shkronjat A apo S që të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për një model bazë apo një model Premium. Duke qëndruar në temë: versionet më luksoze të gamës do të bashkohen në familjen Mercedes-Maybach dhe ato supersportive nën etiketën Mercedes-AMG. Mercedes-Benz do të mbetet për të emërtuar gjithë të tjerat.
NJË TJETËR IDE PËR COUPÉ
Modeli G-Code është një koncept midis futurizmit dhe fantashkencës, ideuar duke menduar për stërnipërit e klientëve aziatikë të ditëve të sotme
Tek Mercedes kanë filluar të ambientohen me idenë e zgjerimit të gamës së modeleve SUV-coupé, për të cilat kanë shpikur emërtimin SUC (Sport utility coupé, për të qenë të saktë). Ndërkohë që në Nevada GLE me tavanin e pjerrët i nënshtrohet testeve përfundimtare, në Pekin, me rastin e inaugurimit të qendrës së inxhinierisë lokale, zbulohet koncepti G-Code, prototip i cili nuk i paraprin ndonjë modeli, por limitohet në dizenjimin e së ardhmes jo shumë të afërt, sigurisht për anën tjetër të botës. Kjo sepse modeli i ardhshëm 2+2 – i gjatë 4 metra e 10 centimetra, i gjerë 1 e 90 dhe më i ulët se një e gjysmë, pavarësisht disqeve gjigante prej 21 inç – ka në mendje gjeneratat e ardhshme të klientelës aziatike, të ngjeshur në trafikun e metropoleve gjithmonë e më të mëdha dhe dëshirës për emocione, mbi asfalt dhe jashtë tij.
Modeli G-Code kërkon mbi të gjitha të mahnitë, duke filluar nga dizajni muskuloz dhe i tejmbushur me zgjidhje më tepër se hi-tech. Një motor turbo i ushqyer me hidrogjen vepron në rrotat e para, ndërsa një motor elektrik vë në lëvizje aksin e pasmë, duke garantuar në rast nevoje, edhe traksionin integral. Karikimi realizohet përmes rigjenerimit ose përmes rrjetit elektrik, por edhe falë ngjyrosjes “argjend multivoltaike”, praktikisht një panel i madh diellor. Edhe në brendësi nuk mund të mos ishte e pranishme fryma fantastiko-shkencore: ndezje përmes telefonit, kroskoti dhe pedalet që zgjaten në mënyrë praktike për të mirëpritur drejtuesin, timoni si i aeroplanëve që i shpalos automatikisht dy “krahët” e tij, ndenjëse që vlerësojnë gjendjen psikofizike të pasagjerëve për t’i ngrohur, freskuar dhe deri në masazhimin automatik…
Diçitura:
Në panelin e G-Code gjejmë të integruara komanda analoge dhe dixhitale. E bardha me të zezën që alternohen në kabinë kërkojnë të përçojnë, respektivisht, komfort dhe mirëqenie, stabilitet dhe funksionalitet
G-Code është një hibride që “flet” nëpërmjet maskerinës: ngjyra e ndriçimit tregon edhe modalitetin e funksionimit. Dy kamera të fshehura zëvendësojnë pasqyrat anësore për shikimin prapa
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.