Në peshën e krizës

16/07/2014 3:17 PM 0 komente

Tregu i factoring-ut ka ngadalësuar rritjen, teksa po reflekton performancën e dobët të bizneseve, të cilat financohen nga ky shërbim. Në përpjekje për të tejkaluar krizën kompanitë kanë shtuar shërbimet dhe kanë zgjeruar financimet në sektorë të rinj. Problem për sektorin, ekonomia informale

Biznesi i factoring-ut, që financon faturat e bizneseve kryesisht të vogla dhe të mesme, nuk ka mundur të qëndrojë jashtë efekteve të krizës ekonomike. Të dhënat e fundit nga operatorët kryesorë në këtë treg konfirmojnë se sektori ka ngadalësuar ndjeshëm ritmet e rritjes.

“Gjatë 2013-s, ekonomia shqiptare u ngadalësua, ishte një vit i vështirë për sipërmarrjet shqiptare, por edhe për sektorin financiar, përfshirë edhe shoqërinë tonë, gjë e cila ka reflektuar edhe në performancë”, thotë Genci Kushta, drejtues i kompanisë së factoring-ut “OmniFactor”.

“Tregu i faktoringut ka pasur rënie gjatë vitit 2013 dhe kjo ka ardhur për arsye se ecuria e faktoringut është e lidhur ngushtë me performancën e bizneseve, të cilat financohen nga ky shërbim. Kryesisht bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat përbëjnë edhe portofolin kryesor të financimeve faktoring, kanë hasur vështirësi ekonomike për shkak edhe të krizës ekomonike/financiare, e cila preku shumë tregje të Ballkanit dhe Europës gjatë vitit të kaluar”, pohon zj. Ermira Bylyku menaxhere e riskut dhe e kreditimit në Albanian Factoring Services Sh.a.

Sidoqoftë, gjatë vitit 2013, kompanitë kryesore në treg forcuan bazën e tyre të teknikave dhe njohurive know-how si dhe potencialisht kapacitetet në metodat dhe praktikat e marketingut për të mundësuar zhvillim pozitiv në periudhën e ardhshme afatmesme.

“Sfidat që po përballet factoring-u si shërbim i ri, mungesa e kontratave midis furnizuesve dhe blerësve, na bëjnë ne më konservativë në financimin e këtyre sektorëve”, thotë z. Kushta.

Futja e factoring-ut në shumicën e vendeve të ngjashme me ne shpesh ka kërkuar shumë kohë dhe është ndeshur me një numër të konsiderueshëm sfidash.

E njëjta gjë ndodh edhe me Shqipërinë. Kultura e biznesit si ndërmjet ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ashtu dhe për disa kompani të mëdha është shpesh e lidhur me transaksione të kryera me para në dorë.

Megjithatë, vendi ynë renditet sot ndër të fundit në rajon për sa i përket zhvillimit të këtij sektori. Kjo ka ardhur jo si pasojë e mosnjohjes së këtij shërbimi, por edhe për shkak të informalitetit të lartë, pasi kompanitë duhet të deklarojnë çdo faturë nëse do të kërkojnë të përdorin factoring-un.

Praktikat e deritanishme në administrimin e taksave kanë “shtrënguar” shumë kompani që të operojnë në mënyrë të tillë që të minimizojnë kontrollin nga zyrat e taksave në vend. Si rrjedhim, përdorimi i faturave dhe krijimi i llogarive të arkëtueshme ka qenë i kufizuar në mënyrë që të minimizohej aksesi i autoriteteve fiskale në informacione të tilla, nga ku mund të kuptohej deklarimi jo i saktë i taksave.

Tregu potencial, 200 milionë euro

Sot tregu i faktorin qarkullon rreth 10 milionw euro nw vit, sipas aktorwve tw tregut. Por, ata llogarisin se bazuar në madhësinë e tregut të factoring-ut në vende të ngjashme për nga madhësia me Shqipërinë, përqindjen që zë factoring-u në PBB dhe situatën aktuale të zhvillimit ekonomik në vend, tregu potencial i factoring-ut në Shqipëri mund të vlerësohet të jetë në shifrat rreth 200 milionë euro.

Për factoring në Shqipëri ka rritje të kërkesës për shkak të rritjes së vazhdueshme të sektorit privat që nga viti 1991 dhe rritjet natyrale pozitive të ekonomisë. Praktikat e huadhënies bankare në Shqipëri tradicionalisht janë fokusuar në nevojën për pasuri të paluajtshme si kolateral dhe përdorimi i formave të tjera të kolateralit ka qenë i kufizuar. Kjo praktikë, ndonëse jo e pazakontë në vendet në zhvillim, krijon një vakum likuiditeti për bizneset që kanë nevojë për kapital punues dhe që duan të përdorin format e tjera të kolateralit që nuk janë pasuri të paluajtshme.

Kërkesa është rritur edhe më tej në kushtet kur bankat kanë forcuar ndjeshëm kriteret për kreditim ndaj bizneseve që janë forcuar ndjeshëm. Sipërmarrësit e kanë pasur dhe e kanë gjithnjë e më të vështirë të gjejnë financime për aktivitetet e tyre, qoftë edhe për shpenzimet operative.

“Pra ka premisa që të ekzistojnë burime të ndryshme financimi që nxisin rritjen në të gjitha nivelet e bizneseve dhe në veçanti për SME-të, të cilat shpesh karakterizohen nga norma të larta rritjeje dhe vuajnë për likuiditete”, thotë Genci Kushta.

Është e vështirë të parashikohet niveli i kërkesës për produkte të reja si factoring-u edhe pas një analize të thellë të tregut sepse ka shumë variabla që ndikojnë. Një variabël i rëndësishëm është nevoja për të përcaktuar madhësinë e çmimit për shërbimet e factoring-ut.

Biznesi

Factoring, një nga shërbimet më të reja financiare jobankare në vend, nisi të operojë vetëm tre-pesë vite më parë. Deri në 2012-n kanë operuar dy kompani, por numri i tyre është rritur edhe më shumë gjatë 2013-2014.

Hyrja e operatorëve të rinj ndodh në një kohë kur tregu është rritur me shpejtësi si pasojë e shtimit të interesit dhe kërkesave nga bizneset.

Genci Kushta, drejtor ekzekutiv i “OmniFactor”, tregon se interesi i sipërmarrjeve ka ardhur në rritje të vazhdueshme. Shtyrja e afateve të pagesave, vështirësimi i kreditimit nga bankat kanë afruar edhe më shumë bizneset private drejt këtij shërbimi.

Kur një kompani do të shesë një produkt dhe pritet të paguhet më vonë, mund të zgjedhë shumë mirë factoring-un, duke shmangur marrjen e një kredie në bankë për të mos krijuar një tjetër borxh.

Ndryshe nga banka, factoring-u e mbështet funksionin te njohuritë dhe përvoja në natyrën e kontratës së shitjes dhe shikon flukset e shitjeve.

Në varësi të nevojave, një shoqëri factoring-u mund të ofrojë shërbimet: factoring i brendshëm me garanci, pa garanci, factoring për eksport-import, me sasi apo me agjent, arkëtim apo shlyerje faturash.

Ky shërbim financiar mund të ofrohet nga bankat, por edhe nga institucione të tjera financiare dhe nënkupton blerjen e llogarive të arkëtueshme të një kompanie dhe administrimin e ndjekjen e tyre.

Megjithatë, bankat vendase ende nuk janë përfshirë në këtë treg, por në kushtet kur kreditimi nuk po rritet, kreditë e këqija po ecim me ritme të larta, ofrimi i këtij shërbimi nuk duket i largët.

Përparësia e factoring-ut është se shitësit i bëhet pagesa në kohë. Në rastin kur janë përcaktuar mirë kushtet e shitjes, produkti dhe kushtet e pagesës, të tria palët janë të fituara. Shitësi paguhet menjëherë, faktori merr pjesën e tij të fitimit, duke arkëtuar të ardhurat në një kohë më të vonë, të përcaktuar në kontratë.

Sot shërbimi factoring po kërkohet gjithnjë e më shumë nga biznesi, që në 95% të rasteve nuk paguhet më cash. Periudhat e pagesave janë zgjatur në kohë, duke u luhatur nga 45-180 ditë dhe bizneset nga ana tjetër, kanë nevoja emergjente për para për të shlyer detyrimet mujore. Factoring-u financon pikërisht këtë periudhë.

Në këtë aspekt, kriza po ndihmon në rritjen e shpejtë të sektorit të factoring, por nga ana tjetër, ka rritur vigjilencën e kompanive që ofrojnë këtë shërbim.

Sfidat

Aktualisht, në tregun shqiptar ofrohen shërbimet e factoring-ut pa garanci, çka nënkupton se në rastin më të keq, detyrimi bie mbi kompaninë shitëse e jo te kompania e factoring-ut.

Sfidë e rëndësishme gjatë vitit 2013 ishte ajo e futjes në fazën e rritjes dhe të zgjerimit nëpërmjet rritjes së burimeve me kapital dhe me linja kreditimi, si dhe krijimi i sinergjive në rajon me partnerë strategjikë sidomos ndërkombëtarë, të cilët do të krijojnë mundësi për operimin të shoqërive factoring në sektorin e eksport-importit.

“Lidhur me këtë, ‘OmniFactor’ do të hyjë në bashkëpunim me kapital, dhe financim të quajtur ‘back to back’, IT dhe marketing rajonal me një fond investimi ndërkombëtar dhe që operon në tregjet në zhvillim në shumë vende të botës”, thotë drejtuesi i “OmniFactor”.

Klientët

SME-të janë vazhdimisht bizneset që synohen. Sektori industrial që përdor më shumë factoring-un edhe në botë është ai i tekstileve. Tekstilet përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të aktivitetit të factoring-ut edhe në tregjet e maturuara. Tekstilet dhe këpucët përbëjnë pjesën kryesore të eksportit shqiptar, duke zënë rreth dy të tretat e eksportit total të Shqipërisë.

Vendet e rajonit përbënin më pak se 5% të eksporteve të Shqipërisë. Përmirësimi i situatës ekonomike në rajon, nëse është i qëndrueshëm, do të jetë pozitiv për të ardhmen e biznesit të eksportit dhe atij vendas.

Bujqësia dhe shërbimet përbëjnë rreth dy të tretat e aktivitetit vendas. Megjithëse sektori i shërbimit është një nga sektorët ku factoring-u përdoret shumë në Europë, sektori i prodhimit është targeti kryesor, meqenëse Shqipëria është një vend në zhvillim.

Prodhuesit kanë mjete të prekshme, që të paktën në fillim, u japin kompanive të factoring-ut mbështetje më të madhe në kolateral sesa ç’mund të ofronte një kompani shërbimi.

“Bujqësia, bizneset e paguara me metodën e përqindjes së përfunduar, industria e ndërtimit, industria e nxjerrjes së mineraleve dhe tregu i komoditeteve në përgjithësi janë faktorë “të papërshtatshëm” për factoring-un, kështu që nuk do të jenë target për “OmniFactor”. Ka disa arsye për këtë, por më e rëndësishmja është se kolaterali është shumë i ndjeshëm ndaj mospagesave, si pasojë e mosmarrëveshjeve”, thotë Kushta.

Një sektor që nuk është “prekur” është ndërtimi dhe aktivitetet që lidhen me ndërtimin, ku sistemi i kleringut po e gërryen atë, duke i mbajtur larg dhe kompanitë e factoring.

Gjithsesi dy sektorët më të financuar kanë qenë tregtia me pakicë dhe shërbimet, duke ndihmuar kryesisht prodhuesit të cilët furnizojnë kompanitë e retail-it në vend.

————–

INTERVISTA

Flet Ermira Bylyku menaxhere e riskut dhe e kreditimit në Albanian Factoring Services Sh.a.

Potenciali te eksporti

Si ka qenë ecuria e kompanisë tuaj për këtë vit (xhiro, ritmet e rritjes, niveli i financimeve problematike etj)?

Ecuria e shoqërisë ka shënuar rënie të fluksit të financimeve dhe rritje të klientëve problematikë. Gjithashtu janë hasur vështirësi në gjetjen e klientëve të rinj për shoqërinë, kryesisht edhe për shkak të faktit se bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat përbëjnë edhe portofolin kryesor të financimeve faktoring, kanë hasur vështirësi ekonomike si rrjedhojë e krizës ekomonike/financiare.

Cilat janë problemet dhe potencialet e këtij tregu?

Potencialet e këtij tregu lidhen më tepër me produktet e reja që ne po zhvillojmë, si Supply Chain Finance apo Invoice Discounting. Këto lloj produktesh mund të përshtaten kryesisht për kompani të mëdha, të cilat kanë një numër të madh furnitorësh dhe klientësh. Gjithashtu potencial të madh për tregun e faktoringut përbën edhe eksporti. Gjatë vitit 2013 e në vazhdim kemi punuar shumë edhe me tregun fason, i cili përbën një pjesë të rëndësishme të eksporteve dhe negociatat me ta janë të vazhdueshme. Pjesa më problematike në këto negociata ka qenë cilësia e blerësve të tyre në shtetet përkatëse. Duke qenë se faktoringu i eksportit kërkon edhe bashkëpunimin e një shoqërie faktoring në vendin e blerësit, e cila duhet të garantojë cilësinë e blerësit dhe kryerjen e pagesës në datën e maturimit, kompanitë me të cilat ne kemi bashkëpunuar kanë qenë optimiste për të filluar punën edhe në tregun shqiptar, por pas vlerësimeve të blerësve të kryera nga ana e tyre, blerësit e kompanive fason nuk janë kualifikuar për financim, pasi janë konsideruar me risk të lartë.

Cilët janë sektorët që vlerësoni me risk më të ulët për të financiar dhe ata me risk të lartë?

Sektorët me risk më të ulët mbeten gjithmonë shërbimet dhe gjithashtu ndiqen nga industria fason në rastet kur blerësit e tyre vlerësohen si të pranueshëm nga kompanitë e faktoringut ndërkombetar. Ndërsa sektorët me risk më të lartë janë ndërtimi dhe punimet civile.

RAPORTI

Jo-bankat, të qëndrueshme

Institucionet Financiare Jo-banka (IFJB) rezultuan me fitim dhe nivel kapitalizimi në rritje, sipas Bankës së Shqipërisë. Megjithatë, cilësia e aktiveve për këto institucione vijon të shënojë rënie. Shoqëritë e kursim-kreditit (SHKK) shënuan rritje të aktivitetit, por e thelluan humbjen financiare. Shoqëritë e sigurimit paraqitën ngadalësim të aktivitetit si rezultat i rënies së numrit të kontratave të lidhura dhe primeve të shkruara bruto. Ecuri pozitive paraqet tregu i pensioneve private suplementare dhe i fondeve të investimeve, aktivet e të cilave u rritën.

Aktiviteti i IFJB-ve shënoi rënie të lehtë, në terma vjetorë, me 0.9%. Në dhjetor 2013, aktivet e tyre rezultuan 35 miliardë lekë – në rënie me rreth 318 milionë lekë referuar fundit të vitit 2012. Aktiviteti kreditues u tkurr, në terma vjetorë, me rreth 2%, ndërkohë që niveli i kapitalizimit – i matur si raport i llogarisë së kapitalit me totalin e aktiveve – u përmirësua në 40.9%, nga 38.9% një vit më parë. Rreziku i kredisë mbetet rreziku kryesor në aktivitetin e IFJB-ve, reflektuar në rritjen e raportit “hua me probleme/totali i huasë” në nivelin 13.2%, nga 8.4% i llogaritur një vit më parë. IFJB-të e rritën rezultatin financiar, me fitim neto prej 1.5 miliardë lekësh kundrejt 1.2 miliardë lekëve, në fund të vitit të kaluar. Kontributin kryesor e dha rritja e të ardhurave nga komisionet me rreth 12.2%, ndërkohë që peshën kryesore vijon ta zënë të ardhurat nga interesi me rreth 43.2%.

Industritë tipike që kualifikohen për factoring:

• Prodhimi dhe tregtimi i vajit

• Shoqëritë e rekrutimit

• Prodhuesit e vegjël

• Shpërndarësit

• Tregtia me shumicë

• Shoqëritë e transportit

• Shoqëritë e shërbimeve

Pse

• Për të siguruar burime për kapital qarkullues

• Për të marrë më tepër porosi

• Program fleksibël financimi që shtohet me rritjen e shitjeve

• Aftësi për të përfituar nga zbritjet e furnitorëve

• Për të pasur fonde për të paguar pagat dhe tatimet

• Zgjatje të periudhës së kreditimit për klientë dhe porosi të mëdha

• Për të blerë pajisje dhe inventar në llogari

• Financim i rritjes së biznesit

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of