Në pikëpyetje leverdia e projektit

08/05/2018 11:04 AM 0 komente

Projekti i gazsjellësit në tërësi vlerësohet pozitivisht për rolin e rëndësishëm që ka në gazifikimin e Malit të Zi, Shqipërisë dhe shtimit të një aksi veri-jug në BE dhe Kroaci për Korridorin e Jugut, kjo pasi diversifikon alternativat e furnizimit për në BE dhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Por, pikëpyetja lidhet me leverdinë ekonomike të projektit.

Konsorciumi i Gazit në Europën Juglindore, që ka bashkuar nën vete disa vende të Ballkanit, për ndërtimin e Gazsjellësit Jonian-Adriatik, ka publikuar pjesën e dytë të studimit të fiziblitetit, ku të dhënat kanë rezultuar jo dhe aq optimiste.

Projekti i gazsjellësit në tërësi vlerësohet pozitivisht për rolin e rëndësishëm që ka në gazifikimin e Malit të Zi, Shqipërisë dhe shtimit të një aksi veri-jug në BE dhe Kroaci për Korridorin e Jugut, kjo pasi diversifikon alternativat e furnizimit për në BE dhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Por, pikëpyetja lidhet me leverdinë ekonomike të projektit. Pavarësisht këtyre zhvillimeve, vlerësimi ynë është që projekti mbetet komercialisht marxhinal.

Në standardin tonë vendosur përmes skenarëve, tarifa e transmetimit do të ishte në nivelin e saj më të mirë 2.7 €c/cm (euro cent/centimetër kub), që është mbi pragun tonë të cilësuar kritik prej 1.9 €c/cm. “Megjithëse kjo tarifë do të jepte një kthim të rregullt prej 8% të aseteve, kthimi i brendshëm mbi investimit do të arrijë vetëm 4.7%”, thuhet në raport.

Në kushtet kur skenari bazë ka rezultuar me tarifa të larta, duke e bërë kështu projektin më pak atraktiv për investime, konsulenti ka dhënë disa alternativa mbi masat që mund të merren për të përmirësuar situatën. Ato lidhen me rritjen e volumeve të transmetimit në afatshkurtër dhe afatmesëm, duke bërë që xhiroja të jetë në nivele që të sigurojë një tarifë konkurruese. Të paktën gjashtë janë këto propozime që mund të mbahen në vëmendje.

Së pari, transmetimi ndërkombëtar i gazit luan rol kritik në arritjen e volumeve mes 0.8 dhe 1 bc³ (0.8-1 miliardë m³ gaz) ose më shumë. Sipas konsulentit, këto nivele janë kritike për të përmirësuar treguesit ekonomikë të IAP, pasi mund të mundësojnë një xhiro afatshkurtër që është jetësore për të rikuperuar kostot deri në momentin që Shqipëria dhe Mali i Zi avancojnë me përpjekjet e tyre të gazifikimit. IAP duhet që të zhvillohet në bashkëpunim me TAP, si pjesë e Korridorit Jugor dhe hapjes së një rruge të re furnizimi për në BE.

Së dyti, duhet të shihet kërkesa e importit e Kroacisë për gaz që është diku mes 40-50% e pritshme nga IAP. Kjo do të thotë një përdorim të ulët të terminalit të planifikuar për gazin (furnizuesit kroatë) dhe 85% të përdorimit të ndërlidhësit slloven.

Së treti, duhet pasur parasysh që gazifikimi i konsumatorëve të shpërndarjes në Shqipëri, Mal të Zi dhe Bosnjë të pritet brenda pesë viteve nga nisja e operimit të gazsjellësit.

Së katërti, përfshirja e gazit në sektorin energjetik që në Mal të Zi dhe Kroaci të arrijë një minimum shtese kapaciteti prej 1500 MW në pesë vitet e operimit të gazsjellësit.

Së pesti, të përfshihet një lidhje me Bosnjën që të sigurojë mënyrën kryesore të furnizimit për këtë vend. Duke u varur nga strategjia e gazifikimit në Bosnjë, kjo mund të përmirësonte fizibilitetin në mënyrë domethënëse. Gjithsesi, vetëm nëse lidhja do të ishte në gjurmën ekzistuese dhe që ju dërgon gaz termocentraleve për shembull si ai në Zenicë me kapacitet 390 MW, do të kishte ndikim domethënës tek IAP. Nëse lidhja me Zenicën nuk ndiqet, ndikimi do të jetë minimal.

Së fundmi, sistemi kroat i transmetimit duhet të zgjerohet dhe zhvillohet për të akomoduar edhe volumet ndërkombëtare të transmetimit në Slloveni.
Konsulenti propozon që për të përmirësuar leverdinë e projektit mund të merren edhe masa të tjera shtesë, siç mund të jetë financimi në një pjesë të tij me grante. Në skenarin më të mirë kjo do të reduktonte koston e ndërtimit, duke e çuar në 370 milionë euro në skenarin bazë. Ndërkohë mund të shihen alternativat e afrimit të furnizuesve nga Kaspiku dhe Lindja e Mesme që mund të ishin të aftë të shisnin gaz me çmime më konkurruese, kjo do të ndihmonte në ngritjen e pragut të nivelit kritik për tarifën e transmetimit.

 

Potenciali i shfrytëzimit në Shqipëri

Konsulenti ka bërë një vlerësim më vete të potencialit të shfrytëzimit të gazit që ka secili prej vendeve pjesëmarrëse në projekt. Për Shqipërinë, industria dhe përdorimi në energji konsiderohen si ato që mund të kenë edhe konsumin më të madh, ndërkohë që transporti dhe bujqësia konsiderohen si me potencial të ulët.

Ashtu sikurse është lakuar edhe më herët në masterplanin e gazit, janë të paktën tre termocentrale që parashikohen të funksionojnë përmes gazit. Së pari, Termocentrali i Vlorës që nuk është vënë asnjëherë në punë, për shkak të kostos së lartë të prodhimit të energjisë.

Aktualisht po zhvillohet një studim fizibiliteti për të parë leverdinë e prodhimit të energjisë nga ky TEC përmes gazit. Me shumë gjasa, sipas masterplanit, diçka e tillë mund të ndodhë në vitin 2020. Ndërkohë që në tryezë është edhe një termocentral në Korçë, projekt i cili është bërë tashmë publik dhe ka fituar statusin e investimit strategjik me një vlerë të parashikuar investimi prej 350 milionë eurosh. Sipas masterplanit, TEC-i i Korçës mund të jetë në funksion rreth vitit 2030. I treti është një TEC në Kuçovë që, sipas parashikimeve, mund të finalizohet rreth vitit 2040, por që ende nuk ka një projekt konkret.

“Për të tre këto projekte parashikohet një konsum 437 milionë/m³ gaz natyror deri në vitin 2040, por asnjëri prej tyre nuk ndodhet në zonën që mund të ‘ushqehet’ nga gazsjellësi Jonian-Adriatik. Të gjithë do të marrin direkt nga TAP” – thuhet në dokumentin e konsulentit çka bën të qartë se përfitueshmëria ekonomike e IAP në këtë pjesë është zero.

“Për skenarët tanë të kërkesës ne supozojmë nivele të ndryshme të zbatimit të projekteve të termocentraleve. Në rastin më të mirë, ne marrim të mirëqenë se do të ndërtohen të gjithë këto termocentrale. Në rastin e mirë, ne llogarisim që në 2020 janë 200 MW të instaluara. Skenari bazë (që zakonisht është skenari që ka më shumë gjasa të ndodhë) merr parasysh që deri në 2030, nuk është ndërtuar ende termocentrali i parë i ndjekur më pas nga i dyti në 2040. Skenari i keq supozon që termocentrali i Vlorës nuk konvertohet dot në prodhim me gaz dhe kemi vetëm një termocentral të ndërtuar deri në vitin 2030. Të gjithë këta skenarë i korrespondojnë një niveli të ndryshëm konkurrueshmërie të gjenerimit të gazit në rajon, nivelit të vullnetit politik për të gazifikuar Shqipërinë dhe mundësinë për të financuar projekte të tilla”, thuhet në dokument.

Industria shihet si një sektor që mund të jetë potenciali direkt në konsumin e gazit dhe ato që janë vënë në fokus të debateve janë katër konsumatorë jo të lidhur me energjinë, por mjaft të rëndësishëm. Si të tillë klasifikohen rafineria e Ballshit, ajo e Fierit, Bankers Petroleum dhe Kurumi në Elbasan. “Ne supozojmë që këta konsumatorë potencialë mund të gazifikohen brenda dy viteve nga nisja e operimit të IAP. Gjithsesi Kurumi është i vetmi nga këta konsumatorë që mund të lidhej me linjën ushqyese të IAP. Supozojmë se Kurumi vërtet do të gazifikohet brenda dy vitesh nga nisja e operimit të gazsjellësit të ri, por totali i konsumit të tij si një subjekt i vetëm do të jetë 28 milionë m³”, nënvizohet në dokument.

 

Projekti i gazsjellësit IAP

Gazsjellësi Jonian-Adriatik është një projekt i propozuar në Europën Juglindore që do të shtrihet nga Shqipëria nëpërmjet Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës duke përfunduar në Kroaci. Ai do të lidhet me Gazsjellësin Trans Adriatik (TAP) duke mundësuar transmetimin e gazit që vjen nga fushat e Shah Deniz në Azerbajxhan për disa vende të Europës Juglindore.

Projekti nis nga Fieri, Shqipëri, dhe shkon në drejtim të veriut, duke arritur në Tiranë, më pas vazhdon në drejtim të kufirit me Malin e Zi afër Shkodrës. Në kufi, tubacioni kalon lumin Buna dhe parashikohet në drejtim të Tivarit (Bar). Së fundi, nga Plloçe në Kroaci, rruga vazhdon në drejtim të veriperëndimit, duke arritur Dugopolje pranë qytetit të Splitit (Kroaci).

Kostoja fillestare e projektit llogaritet të jetë 618 milionë euro dhe sipas gjurmës së projektit, gjatësia e gazsjellësit parashikohet të jetë 511 kilometra, ku vetëm në Shqipëri dhe Mal të Zi, kjo gjatësi do të jetë 162 kilometra, me kosto 288 milionë euro.
Ky projekt transmetimi për furnizim me gaz natyror parashikohet që të ketë kapacitet vjetor në rreth 5 miliardë m³ gaz (ose 5 bcm). Llogaritet 1 bcm për Shqipërinë, 0,5 bcm për Malin e Zi, 1 bcm për Bosnjë dhe Hercegovinën dhe 2,5 bcm për Kroacinë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of