Samiti i Berlinit ka përfunduar mbrëmë pa ndonjë rezultat konkret. Nga kryeqendra gjermane nuk pati as sinjal për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës nga Bashkimi Evropian. E në pritje të liberalizimit të vizave, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të shpenzojnë me miliona euro nga xhepi i tyre çdo vit për viza Shengen. Vetëm gjatë vitit të kaluar kosovarët kanë shpenzuar rreth 3 milionë euro duke paguar në kërkim të një vize.
Kosova është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndaj të cilit Bashkimi Evropian (BE) aplikon regjimin e vizave.
Shtetasit e Kosovës për të udhëtuar në këto vende duhet të aplikojnë për viza në misionet diplomatike të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian të akredituara në Kosovë dhe në vendet e rajonit. E aplikimi për viza qytetarëve të Kosovës po u kushton goxha shumë.
Vetëm gjatë vitit të kaluar kosovarët kanë shpenzuar rreth 3 milionë euro duke paguar në kërkim të një vize. Një pjesë e këtyre parave kanë shkuar dëm, për shkak të refuzimit të vizave.
Sipas statistikave të publikuara nga VisaWorld.Guide, ambasadat evropiane në Kosovë pranuan 90,840 aplikime për viza Shengen në vitin 2018. 21.6% prej këtyre aplikimeve morën përgjigje negative, që është një përqindje shumë më e lartë sesa mesatarja prej 9.6% për të gjitha shtetet e botës.
https://visaguide.world/europe/kosovo-visa/
Për më tepër, edhe ata që u bënë me viza, një pjesë e madhe e tyre morri leje që të vizitojë vetëm një pjesë të Shengenit. Përderisa një vizë Shengen lejon një person të udhëtojë nëpër të 26-të shtetet e kësaj zone, vizat me vlefshmëri të kufizuar territorial e lejojnë udhëtarin të vizitojë vetëm një numër të kufizuar të këtyre shteteve.
Në vitin 2018, 63,424 kosovarë që rezultuan të suksesshëm me aplikimin e tyre për vizë, në fakt morën viza me vlefshmëri të limituar territorial. Për vite me radhë, shtetet e Shengenit u lëshojnë kosovarëve viza me vlefshmëri të limituar. Vitin e kaluar, më tepër se gjysma e këtij lloji vizash që u lëshuan nga këto vende ishin për kosovarët.
Përderisa edhe shtetet afrikane marrin shumë pak këso lloj vize Shengen, arsyeja kryesore pse ato iu lëshohen kosovarëve në numër të madh është për shkak të disa nga shteteve anëtare që ende nuk e kanë njohur Kosovën si të pavarur.
Megjithëse çmimi normal për një vizë Schengen është 60 euro, për shkak të marrëveshjeve me BE-në kosovarët paguajnë vetëm 35 euro për një aplikim për disa nga shtetet e Schengenit. Pagesa prej 60 eurosh bëhet vetëm për vizat që lëshohen nga Austria, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Franca, Islanda, Italia, Latvia, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Spanja dhe Zvicra.
Fëmijët nën moshën 6 vjeçe, dhe disa kategori të tjera janë të liruar nga kjo pagesë. Duke marrë parasysh këtë çmim, i bie se kosovarët kanë paguar të paktën 3 milionë euro vetëm në vitin 2018.
Lista e tarifave të shërbimit konsullor:
Tarifat për letërnjoftim – 40 €
Dokumenti i udhëtimit për kthim – 30 €
Kalimi i udhëtimit për të vdekurit – 20 €
Pasaportë për herë të parë mbi 18 vjeç – 100 €
Pasaporta e humbur / e dëmtuar / e ripërtërirë – 85 €
Pasaporta për fëmijë deri në 3 vjet – 60 €
Pasaporta për fëmijë nga 3-18 vjet – 70 €
Tarifat për shërbimet e regjistrit civil:
Regjistrimi i lindjes – 20 €
Regjistrimi i martesës – 20 €
Regjistrimi i vdekjes – 20 €
Përfundimi i martesës – 120 €
Tarifat për shtetësi:
Aplikimi për marrjen / heqjen e shtetësisë – 50 €
Vendimi për fitimin e shtetësisë – 180 €
Vendimi për fitimin e shtetësisë për të mitur 80 €
Vendimi për heqjen dorë nga shtetësia me lirim – 180 €
Vendimi për heqjen dorë nga shtetësia me lirim për të mitur – 80 €
Certifikata e çdo lloji – 20 €
Numri i kosovarëve që aplikuan për Vizë Shengen
Në vitin 2018, 90,840 kosovarë aplikuan për viza Shengen
Në vitin 2017, 90,475 kosovarë aplikuan për viza Shengen
Në vitin 2016, 77,796 kosovarë aplikuan për viza Shengen
Në vitin 2015, 80,173 kosovarë aplikuan për viza Shengen
Në vitin 2014, 74,285 kosovarë aplikuan për viza Shengen
Një hulumtim për shpenzimet për viza që bëjnë qytetarët e Kosovës, ishte bërë vite më parë nga Instituti për Hulumtime të Avancuara (GAP). Në këtë raport ishte theksuar se për mbi 200 mijë aplikime për viza që kishin bërë qytetarët e Kosovës për tri vjet kishin shpenzuar rreth 15 milionë euro.
“Vetëm për këto tri vite, shqiptarët e Kosovës kanë shpenzuar rreth 15 milionë euro, prej të cilave 9 milionë euro janë shpenzuar për pagesë direkte për vizat në ambasada, kurse së paku 5.8 milionë euro janë shpenzime tjera të ndërlidhura me kompletimin e dokumentacionit për vizë, shpenzimet bankare dhe ato të rrugës”, thuhet në raportin e GAP.
Sipas këtij raporti të GAP-it, më së shumti para ishin shpenzuar për sigurime shëndetësore dhe atë në afër 3.2 milionë euro.
Ndryshe, procesi i liberalizimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka filluar në vitin 2012, por që ende si proces nuk është finalizuar.
Çështja e liberalizmit të vizave për Kosovën tani ka mbetur te Ministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
/Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.