Në riformatim

24/04/2018 9:50 AM 0 komente

Sistemi bankar vijoi me rritjen modeste të aktiveve në vitin 2017, ndërsa ai shfaqi shenja të dukshme lehtësimi nga përmirësimi i fitimeve dhe ulja e huave me probleme. Kreditimi ishte sërish i dobët, sidomos në funksion të biznesit dhe në kahun tjetër, rritja e depozitave është ngadalësuar për herë të parë që pas viteve ‘90.
Por, sfidat aktuale të sistemit bankar mbeten procesi i konsolidimit, me shitblerjet e bankave që do të jenë në kulmin e tyre këtë vit, procesi i deeuroizimit dhe përshtatja me zhvillimet e shpejta të teknologjisë dhe, mbi të gjitha, rritja e kreditimit të ekonomisë

 

Nga Ornela Liperi

 

Bankat vijuan të rriten ngadalë dhe të kujdesshme gjatë vitit 2017, ndërsa kanë filluar të marrin frymë më lirshëm, si rrjedhojë e uljes së kredive me probleme dhe përmirësimit të treguesve të përfitueshmërisë.

Kredia vijoi të jetë e dobët, ndërsa depozitat shënuan rënie për herë të parë në historinë e tranzicionit, duke reflektuar politikën monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, që është shoqëruar me ulje të ndjeshme të normave të kthimit për kursimin, çka ka dekurajuar depozituesit.
2017-a shënoi fillimin e procesit të konsolidimit bankar, që pritej prej kohësh.

Në dhjetor, Veneto Banka u përthith nga Intesa SanPolo, si pjesë e të njëjtit proces të bankave mëma në Itali. Banka Kombëtare Greke (NBG) doli për shitje dhe duket se ka arritur ta mbyllë me sukses këtë transaksion, ku ABI Bank mësohet se ka paguar rreth 25-30 milionë euro ose rreth 0.5-0.6 të Vlerës Kontabël Neto (NBV) për të (ky transaksion pret ende autorizimet rregullatore për t’u finalizuar gjatë 2018-s.) Pas Emporiki, që u shit në vitin 2012 te francezët e Credit Agricole (që më pas dhe ata u larguan në 2015-n duke e shitur te grupi NCH Capital), NBG është banka e dytë greke që del nga tregu shqiptar.

Një tjetër, po me kapital grek, Tirana Bank, është tashmë në shitje dhe interesi për të nuk ka munguar. Procesi i konsolidimit bankar pritet të vazhdojë, pasi Societe Generale, e pesta më e madhe në vend, ka shprehur planet e saj, si pjesë të tërheqjes së bankës franceze nga i gjithë rajoni, ku nuk është në tre vendet e para. Banka Ndërkombëtare Malajziane (ICB) me aktivitet modest, diskutohet se është gjithashtu në shitje.

Bankierët, të intervistuar nga “Monitor”, e shohin pozitiv këtë proces, pasi do të rrisë eficencën e sistemit bankar, por, nga ana tjetër, kanë shprehur dhe shqetësimin për largimin e bankave me përvojë me kapital perëndimor dhe gjithashtu për aspekte të transparencës e të përvojës në fushën specifike të aktivitetit bankar të aktorëve të rinj që ky proces do të sillte në përbërjen e sistemit bankar në të ardhmen.
Bankierët presin që sistemi të vazhdojë rritjen e kujdesshme dhe të ngadaltë në 2018-n, teksa muajt e parë të këtij viti kanë treguar se bankat janë të “zëna” në procesin e shitblerjeve, duke lënë mënjanë huadhënien e ekonomisë. Por, në rezultante pritshmëritë e tyre mbeten pozitive, në linjë me përshpejtimin e ekonomisë (shiko intervistat në vijim).

 

 

Aktivet, paratë depozitohen jashtë

Totali i aktiveve të sistemit bankar në fund të vitit 2017 ishte 1.44 trilionë lekë, me një rritje prej 2.7% në raport me vitin e mëparshëm, duke ngadalësuar ritmet e zgjerimit.
Bankat kanë preferuar që paratë e depozituesve t’i vendosin si “Depozita në banka, institucione krediti dhe institucione të tjera financiare”, që ka ndikuar në 81% të rritjes së aktiveve.
Huaja dhënë sektorit privat dhe individëve ka ardhur në rënie, me gati 1% me bazë vjetore. Në tkurrje ishin dhe veprimet me letrat me vlerë.

 

 

Depozitat, për herë të parë me rënie

2017-a rezulton të ketë qenë viti më i keq në historinë e pas viteve ‘90 për sa u përket kursimeve të bizneseve e individëve, duke reflektuar kryesisht uljen e normave të interesit, por edhe vështirësitë që kanë familjet të kursejnë, si rrjedhojë e rritjes së kostos së jetesës me ritme më të shpejta sesa të ardhurat. Ndonëse është fenomen i ri dhe i shfaqur vetëm këtë vit në këtë kthim trendi, është për t’u parë se sa kjo mund të jetë edhe rezultat i ndikimit të përkeqësimit të treguesve demografikë në vend dhe po ashtu, i akselerimit të fenomenit të emigrimit në këto vitet e fundit.

Statistikat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i depozitave në fund të vitit 2017 ishte 1 triliard lekë, apo rreth 7.5 miliardë euro. Rënia në 2017-n ka ardhur tërësisht si rrjedhojë e uljes së kursimeve në lekë, të cilat u reduktuan me 14 miliardë lekë, ose gati 3%. Kjo është hera e parë që depozitat shënojnë rënie në historinë shqiptare të pas tranzicionit.
Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto të pritshëm për 2017-n, depozitat janë rreth 67%, duke iu larguar nivelit prej 70% e PBB-së të arritur vitet e kaluara.

Me bazë vjetore, ndryshimi i depozitave ka qenë më i ulëti historik, që prej vitit 1992, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat dhe kur vendi nisi rrugën e ekonomisë së tregut.
Ecuria negative e depozitave lidhet tërësisht me individët. Këta të fundit kanë tërhequr vitin e fundit rreth 29 miliardë lekë, apo rreth 214 milionë euro nga kursimet me afat në lekë, si rrjedhojë e interesave të pafavorshme. Pas uljes së vazhdueshme të normës bazë nga Banka e Shqipërisë, që prej shtatorit të vitit 2011, edhe kthimi vjetor që merret nga kursimet ka rënë vazhdimisht për të arritur në rreth 1% aktualisht për kursimet 12-mujore.

Kjo ka bërë që individët të kërkojnë për alternativa kursimi më fitimprurëse, si investime afatgjata (mbi 2 vjet), blerjen e letrave me vlerë të qeverisë, blerjen e pasurive të paluajtshme etj. Në krahasim me fundin e vitit 2011, kursimet me afat të rezidentëve kanë rënë me 104 miliardë lekë, ose gati 780 milionë euro. Depozitat e individëve me afat në lekë përbënin 26% të totalit në fund të 2017-s, nga 40.5% që ishte kjo peshë në 2011-n.

Ndryshe nga individët, bizneset kanë rritur depozitat në banka, një tregues i formalizimit, por dhe faktit që sipërmarrjet po mendohen mirë përpara se të investojnë. Vetëm gjatë vitit të fundit, depozitat e korporatave të tjera financiare në total (euro e lekë) janë rritur me 4.1%.
Deri në fund të vitit 2017, kursimet në valutë arritën një nivel rekord. Depozitat në valutë, pjesa më e madhe e të cilave janë në euro, ishin 527 miliardë lekë, ose gati 4 miliardë euro, me një rritje të lehtë prej 0.3% me bazë vjetore.
Në vitin 2015, për herë të parë, kursimet në valutë i kaluan ato në lekë, ndërsa në fund të 2017-s, pesha e tyre arriti në 53% të totalit, me rritje një pikë përqindje në raport me një vit më parë.

Më se 10 vjet më parë, në 2006-n, kursimet në valutë të shqiptarëve përbënin vetëm 36% të totalit të depozitave në sistemin bankar në vend. Rritja e shpejtë e tyre vitet e fundit, në një kohë që kursimet në lekë erdhën në rënie për shkak të uljes së interesave të depozitave (sot ato janë më pak se 1% për kursimet 12-mujore) ishin arsyet kryesore që çuan në këtë tendencë.

Emigrantët kanë qenë historikisht burimi kryesor i prurjes së valutës në Shqipëri. Gjithnjë në gusht dhe në dhjetor-janar ka një rritje të depozitave në euro, kohë që përkon me kthimin e emigrantëve në vendin mëmë.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, pjesën më të madhe të kursimeve në valutë e zotërojnë individët, me 82% të totalit, ose 430 miliardë lekë, (rreth 3.2 miliardë euro).

Por, në muajt e parë të 2018-s, sidomos në shkurt, depozitat në valutë kanë shënuar rënie, si rrjedhojë e nismës së deeuroizimit, që u njoftua nga Banka e Shqipërisë në muajin shkurt. Në shkurt, stoku i depozitave në valutë ka shënuar rënien më të fortë mujore që nga maji i vitit 2013. Stoku i depozitave në valutë zbriti në 527 miliardë lekë në muajin e dytë të 2018-s, me një rënie prej 1.2% në krahasim me janarin.

 

 

 

Kredia në ngërç, ulet pesha e valutës

Huaja për ekonominë në 2017-n shënoi gjallërim të lehtë, duke arritur në 550 miliardë lekë, me një rritje prej 0.5% me bazë vjetore, performancë më e mirë në tre vitet e fundit, e ndikuar nga huadhënia në monedhën vendase, që u zgjerua me 5.1%, ndërsa ajo në valutë ra me 3.7%, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë. Në një zhvillim pozitiv, për herë të parë, pesha e kredisë në lekë pothuajse u barazua me atë në valutë, teksa bankat kanë orientuar prej vitesh kredidhënien në monedhën vendase.

Ndryshe nga 2017-a, që u shfaqën shenja të lehta rigjallërimi, kredia për ekonominë në dy muajt e parë të 2018-s ka qenë e dobët, në një sinjal që investimet e brendshme në ekonomi nuk po gjallërohen por, në kahun tjetër, edhe bankat nuk e kanë lëshuar dorën. Në shkurt, stoku i huasë për ekonomi arriti në 549.9 miliardë lekë, me një rënie të lehtë prej 0.15% në krahasim me muajin e mëparshëm.

Në janar filloi zbatimin dhe një nismë e përbashkët e Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave, sipas së cilës, nga 1 janari 2018, bankat nuk do të kreditonin më bizneset me dy bilance.

Bankierët kishin paralajmëruar se nëse për të gjitha bizneset do të kërkohet të fillohet menjëherë zbatimi i kësaj nisme, mund të kemi efekte të padëshirueshme në kreditim. Shoqata e Bankave kërkoi në janar që të shtyhet me dy vjet aplikimi i nismës që bankat të pranojnë vetëm bilancin zyrtar të Tatimeve, pasi zbatimi po bëhet i vështirë në praktikë.

Nga ana tjetër, edhe situata në tregun bankar është e ngrirë, për shkak se ai është i përfshirë për momentin në një proces të gjerë të shitjeve dhe blerjeve.
Tkurrja në shkurt ka ardhur nga euro, ndërkohë që dhe huaja në monedhën vendase ka mbetur në vend.

 

 

Kreditë me probleme ulen,… për t’u rritur sërish

Sistemi bankar ka pasur ecuri shumë pozitive në vitin 2017 në drejtim të kthimit të kredive me probleme. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, huatë me afat në dhjetor arritën në 13.23% të totalit të kredisë, me një rënie të dukshme me 5 pikë përqindje në krahasim me dhjetorin 2016, kur ishin 18%.

Ky është niveli më i ulët i huave problematike që nga dhjetori 2010. Më pas, teksa kriza ekonomike trokiti dhe në Shqipëri pasi nisi në botë, bizneset filluan të ndienin pasojat dhe të mos i shlyenin kreditë. Në 2013-n, u shënua dhe niveli rekord, ku gati një e katërta e huave ishin në vonesë më shumë se tre muaj. Një tjetër faktor që ndikoi në përkeqësimin e portofolit të bankave ishte dhe përqendrimi i huave në pak kompani të mëdha, ku 35 sipërmarrje kishin mbi 60% të totalit të huave me probleme.

Më pas, Banka e Shqipërisë filloi një proces ristrukturimi të huasë me probleme, një kombinim i fshirjes nga bilanci të kredive që kishin më shumë se tre vjet që nuk ktheheshin, por edhe ristrukturimit të kompanive. Sipas burimeve të Bankës së Shqipërisë, pothuajse gjysma e 35 kompanive kanë ristrukturuar huatë dhe po i kthejnë gradualisht. Rreth 7 kompani vlerësohet se janë të falimentuara dhe nuk ka mundësi rikuperimi. Bankat, nga ana e tyre, kanë bërë dhe shkurtim të kredive për disa biznese (fshirje e një pjese, kur kthehet një përqindje e caktuar).
Përgjithësisht, muajt e fundit të vitit karakterizohen nga një rënie e treguesit të huasë problematike, pasi bankat fshijnë nga bilancet kreditë që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen.

Në vlerë absolute, në muajin shkurt, huatë që nuk kthehen në afat në banka prej më shumë se tre muajsh, ishin në total rreth 75 miliardë lekë (rreth 560 milionë euro), me një rritje prej 17 milionë eurosh në krahasim me fundin e 2017-s. Negativisht në përkeqësimin e treguesit të huasë me probleme ka ndikuar edhe fakti që stoku i kredisë nuk shënoi rritje në muajin shkurt.

 

 

Fitimi arrin rekord

Fitimi i sistemit bankar arriti në një nivel rekord prej 22 miliardë lekësh në 2017-n, sipas statistikës së publikuar nga Banka e Shqipërisë, e cila i raporton të dhënat e sistemit sipas standardeve lokale. Në raport me vitin e mëparshëm, fitimi neto i sistemit u rrit me 138%.
Përmirësimi i rezultatit neto të sistemit erdhi si rezultat i rimarrjes së shpenzimeve për provigjione (shpenzimet që bankat vënë mënjanë për kreditë me probleme).

Por, ky fitim duket se ka qenë vetëm në letra, pasi tatimfitimi i paguar nga sistemi bankar ishte 2 miliardë lekë, apo 13% më i ulët se një vit më parë. Bankat e paguajnë tatimfitimin në bazë të standardeve ndërkombëtare IFRS, ndërsa provigjionimet, sipas standardeve lokale, janë më të rrepta sesa sipas standardeve ndërkombëtare, duke bërë që pas rimarrjes së tyre, sistemi të rezultojë me një fitim të lartë.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of