Holanda është bërë vendi i fundit që pezullon përdorimin e vaksinës së koronavirusit, të zhvilluar nga Oxford-AstraZeneca, pas shqetësimeve në lidhje me efektet anësore të mundshme.
Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) thonë se nuk ka asnjë tregues në lidhje midis vaksinës dhe raporteve të mpiksjes së gjakut.
Shtatë vende deri më tani kanë pezulluar plotësisht vaksinimet me AstraZeneca.
Rreth 17 milionë njerëz në BE dhe Mbretërinë e Bashkuar kanë marrë një dozë të vaksinës, me më pak se 40 raste të mpiksjes së gjakut të raportuar që nga java e kaluar, tha AstraZeneca.
Qeveria holandeze tha se pezullimi, i cili do të zgjasë të paktën deri më 29 mars, është një masë paraprake.
Republika irlandeze gjithashtu ndërmori veprim të ngjashëm një ditë më parë, në lidhje me raportet e mpiksjes së gjakut në Norvegji.
Danimarka, Norvegjia, Bullgaria, Islanda dhe Republika Demokratike e Kongos kanë pezulluar të gjitha vaksinimet.
Disa vende europiane, përfshirë Italinë dhe Austrinë, kanë pezulluar përdorimin e vaksinës në grupe të caktuara si një masë paraprake.
Tajlanda, pas një pezullimi, njoftoi se do të rifillonte të përdorte vaksinën të martën.
EMA – e cila aktualisht po kryen një rishikim të incidenteve të mpiksjes së gjakut, tha se vaksina mund të vazhdojë të administrohet.
Rregullatori i barnave në Mbretërinë e Bashkuar gjithashtu tha se provat “nuk sugjerojnë” se doza e vaksinës shkakton mpiksje, ndërsa u bëri thirrje njerëzve të marrin vaksinën kur u kërkohet ta bëjnë këtë.
Profesori Andrew Pollard, drejtori i grupit të vaksinave të Oksfordit i cili zhvilloi dozën Oxford-AstraZeneca, tha për BBC se kishte “siguruar shumë prova se nuk ka rritje të një fenomeni të mpiksjes së gjakut në Mbretërinë e Bashkuar, ku shumica e dozave në Europa janë dhënë deri më tani “.
Finlanda ka bërë gjithashtu një “studim shumë të kujdesshëm” dhe nuk gjeti një rrezik në rritje, shtoi ai.