Për familjet që sigurojnë të ardhurat me grumbullimin e bimëve mjekësore, ky është një vit i vështirë. Banorët në zonën e Tepelenës tregojnë se sasitë e grumbulluara këtë sezon janë sa gjysma e një viti më parë dhe për këtë fajësojnë thatësirën. Të ardhurat nga ky aktivitet janë të vogla për vetë sezonalitetin e punës (3-4 muaj), por vlerësohet me rëndësi, pasi përfshin një numër të madh grumbulluesish. Ata llogariten në më shumë se 22 mijë në të gjithë vendin dhe për më tepër banojnë në zona ku nuk ka alternativa të tjera për të siguruar të ardhurat.
Grumbullimi i pakët, pothuajse te të gjitha llojet e bimëve, duket në magazina dhe përpunuesit e eksportuesit e tyre konfirmojnë tkurrjen e tregut.
Xhavit Hysenaj, përpunues i bimëve eterovajore dhe kryetari i Shoqatës EPCA, tregon se, “sasitë e bimëve të grumbulluara këtë sezon janë rreth 40% më pak se në sezonin e kaluar. Rënia erdhi si nga thatësirat e mëdha, edhe nga zjarret e shumta që u përhapën nëpër male”.
Efektet negative pritet të ndalen vetëm në një hallkë të këtij sektori: atë të grumbullimit të prodhimit në kushte natyrale.
Sipërmarrësit që merren me përpunimin e tregtinë bimëve e kanë gjetur zgjidhjen për të ruajtur ritmet e rritjes. Kultivimi i filluar pak vite më parë dhe shumë më vonë se në vendet e tjera të rajonit të Ballkanit, këtë vit është zgjeruar së tepërmi. Mjafton të përmendim që vetëm në zonën e Koplikut janë rreth 12 mijë hektarë tokë e mbjellë me tri lloje bimësh të kërkuara nga industritë e përpunimit, në të cilat kryeson sherebela. Sipërfaqja e kultivuar është zgjeruar mbi dy herë krahasuar me një vit më parë, kur kultivoheshin jo më shumë se 600 hektarë tokë.
Përfaqësuesit e Shoqatës së Grumbulluesve e Përpunuesve të këtyre bimëve tregojnë se toka ku po mbillen bimët mjekësore e aromatike po zgjerohet me ritme të shpejta edhe në zonën e Gjirokastrës (20 hektarë) dhe Elbasanit.
Pritshmëritë e eksporteve
Për shkak të shtimit të kultivimit, por edhe të proceseve të përpunimit të bimëve, grumbullimi i varfër i këtij viti nuk pritet të japë ndikim negativ në eksporte.
Përfaqësuesit e Shoqatës së Bimëve parashikojnë në rastin më të keq të ruajnë po ato vlera eksportesh të realizuara këtë vit. “Sasitë e eksportit mund të jenë më të ulëta, por vlera e tyre e shtuar me përpunim do të na ndihmojë të sigurojmë të paktën të njëjtin nivel të ardhurash të realizuar këtë vit”, thotë z. Hysenaj. Grumbullimi e përpunimi i çdo sezoni e jep efektin në eksporte në tremujorin e parë të vitit pasardhës. Këtë vit, eksportuesit tregojnë se rritja pritet të jetë 10% krahasuar me eksportet e 2011-s dhe presin ritme edhe më të larta rritje për vitin e ardhshëm (të paktën 15%). Erëzat e çajet po paketohen për tregje përfundimtare, supermarkete e dyqane ose tregtohen si lëndë e parë për industrinë ushqimore. Ndërkohë, bimët eterovajore dalin nga tregu ynë në formën e esencave vajore. Përpunuesit tregojnë se për të arritur deri këtu u është dashur të shpenzojnë shumë dhe që të justifikohej investimi, eksportet e këtyre kompanive duhet të rriten me 20-25% të paktën pesë vitet e para.
Në fakt, dy vite më parë rritja ishte e kënaqshme, pas “goditjes” që pësuan eksportet në 2009-n, kur vlera vjetore e rritjes ishte mbi 20%. Në vitin 2009, eksportuesit tregojnë se u përballën me rënie të theksuar të kërkesës dhe e vetmja mënyrë për të mbijetuar ishte “lëvizja” në treg, siç e quajnë ata. Lëvizja nënkuptonte rritjen e shkallës së përpunimit dhe gjetjen e klientëve të rinj.
Vitin e kaluar u eksportuan rreth 8.78 mijë tonë bimë dhe erëza, me vlerë 2.27 miliardë lekë. Krahasuar me 2010-n, eksportet u rritën mbi 23%, si në vlerë edhe në sasi.
Sot, sipërmarrësit shqiptarë duket se i kanë kaluar vështirësitë më të mëdha dhe u duhet të mendojnë për të siguruar sa më shumë prodhim, pasi kërkesa nga jashtë është e lartë. Kryetari i Shoqatës së Bimëve Mjekësore e Eterovajore tregon se ka kërkesë të lartë nga tregu europian për çajet dhe bimët e gatshme.
Më afër Francës
Franca është bërë një destinacion i rëndësishëm për eksportet e bimëve gjatë këtij viti. Sipërmarrësit e kompanive eksportuese tregojnë se nga Franca ka shumë kërkesë për bimët e përpunuara, të gatshme për tregun konsumator, apo si lëndë e parë për industritë e kremrave dhe atë farmaceutike. Sipas tyre, këtë vit pritet të përfundojnë në tregun francez mbi 10% e bimëve mjekësore që do të eksportojmë.
Vitin e kaluar, pesha e këtij tregu në eksportet tona u rrit lehtësisht, duke kaluar edhe tregun e largët amerikan, i cili është bërë tradicional për eksportin e bimëve, veçanërisht për erëzat.
Por, ndonëse eksportuesit shqiptarë po përpiqen t’u afrohen sa më shumë stabilimenteve të prodhimit të kremrave e produkteve farmaceutike në tregun francez, ato mbeten shumë larg raporteve që kanë krijuar me tregtarët e mëdhenj gjermanë. Eksportet në tregun me një hallkë më tepër zënë rreth 46% të totalit të bimëve të eksportuara dhe pesha e tyre u rrit krahasuar me një vit më parë. Bimët e dërguara gjatë 2011-s në tregun gjerman kishin një vlerë prej 4 miliardë lekësh.
Bimët, 19% të eksporteve agroushqimore
Prej vitesh, bimët mjekësore janë një zë i rëndësishëm në eksportet agroushqimore. Por, ritmet e rritjes nuk kanë qenë më të larta se ato të eksporteve agrare e ushqimore në total. Vitin e kaluar, me një vlerë prej 2.27 miliardë lekësh, ato zunë vetëm 19% të këtyre eksporteve, ose një pikë përqindje më pak se në vitin 2010.
Shqipëria eksportohen rreth 160 lloj bimësh mjekësore, nga 11 kompani eksportuese. Në vitet e para të ekonomisë së tregut të lirë në vend, eksportoheshin rreth 50 lloj bimësh.
Në tregtinë e bimëve mjekësore, kryesisht në grumbullim, vlerësohet të angazhohen me punë gati 22 mijë persona në zona të ndryshme (qoftë edhe vetëm për një sezon grumbullimi. Mbi dhjetë kompani të përpunimit (pastrim, prerje) të bimëve kanë krijuar tashmë rrjetin në të gjithë vendin. Bimët mjekësore në botë përdoren në 13 industri të ndryshme, nga industria ushqimore deri tek ajo e prodhimit të gomave për ndryshimin e
aromës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.