Pse emigrojnë njerëzit nga Serbia? Cilat janë ndjenjat, dëshirat dhe perceptimet që qëndrojnë pas një vendimi të tillë? Një studim thellohet mbi këto pyetje, shkruan Francesca Rolandi për Osservatorio Balcani
Në hulumtimin tuaj, ju keni trajtuar një temë komplekse, siç është emigrimi nga Serbia. Sidoqoftë, në vend të shifrave, jeni marrë më tepër me ndjenjat dhe qëndrimet që nxisin dëshirat dhe vendimet për të emigruar. Cilët janë shtytësit kryesorë, sipas hulumtimit tuaj?
Nuk do të thoja domosdoshmërisht se ekziston një “shtytës kryesor”, por mendoj se është e rëndësishme të kuptojmë se mënyra se si ne procesojmë kolektivisht një emigrim masiv të punëtorëve të rinj, është një aspekt kryesor i këtij fenomeni dhe trajektores së tij afatgjatë.
Ndjenjat sociale, qëndrimet dhe mënyrat e të diskutuarit mbi temat e ndryshme të kësaj fushe, zakonisht funksionojnë si një lloj informacioni prapaveprues. Ato na ofrojnë një tablo për të diskutuar një temë, madje edhe atë çka është e pranueshme dhe e papranueshme për të thënë, e cila nga ana tjetër ndikon në veprimet tona. Nëse vëmë re komentet e lexuesve në artikujt e shumtë të lajmeve mbi emigrimin nga Serbia, një numër i madh fillojnë me një deklaratë si “njerëzit nuk po largohen vetëm për shkak të pagave”.
Në një deklaratë të tillë, vëmë re sigurisht se pagat janë një faktor, por jo faktori i vetëm. Për shumë punëtorë të rinj, pra ata që kanë nisur punën në moshë të rritur pas vitit 2000, emigracioni është i lidhur me një ligjërim që e quaj “e ardhmja e bllokuar”. Ky ligjërim përfshin ndjenjat e zhgënjimit nga ajo që tranzicioni duhej të ofronte dhe çfarë arriti në të vërtetë; pritja në dukje e pafund që përfshin tranzicioni, qoftë për hyrjen në BE, për politikanë jo të korruptuar, ose sigurinë e punës dhe stabilitetin ekonomik; dhe ndjenjat e paparashikueshmërisë dhe paaftësisë për të jetuar “normalisht”, gjë që përfshin planifikimin e jetës me pritshmërinë që këto plane do të realizohen pa ndonjë ndryshim tjetër në sistemin shoqëror.
Mendoj se është gjithashtu e rëndësishme të thuash se deklarimi i një qëllimi për të emigruar nuk do të thotë në të vërtetë se një person do të emigrojë në një të ardhme të afërt, por një deklaratë e tillë është një kritikë e status quo-së dhe e bën dikë të ndihet sikur ka një zgjedhje në dorë, në një kohë kur të gjitha aspektet e tjera të jetës duken sikur nuk varen nga vetë personi.
Problemi me ndjenja të tilla në masë, është se ato mund të nguliten thellë në ndërgjegjen e njerëzve, saqë edhe nëse ndodhin ndryshime strukturore që e bëjnë jetën më të parashikueshme dhe të kënaqshme për të rinjtë, mund të jetë tepër vonë për të ndryshuar një ndjenjë masive që njerëzit duhet të largohen nga vendi.
Si perceptohet Serbia dhe destinacionet e emigracionit nga personat që dëshirojnë të emigrojnë? Si ka ndryshuar perceptimi midis atyre që janë larguar nga vendi?
Ekziston një ndjenjë e përhapur se jeta shoqërore në Serbi është më e pasur se në “Perëndim”, njerëzit janë më bujarë me njëri-tjetrin, ata investojnë shumë në miqësitë e tyre, por ky aspekt zvogëlohet nga paparashikueshmëria që përmenda më lart. Arsyeja më e zakonshme midis njerëzve që intervistova ishte se vendet e tjera “të organizuara” ofrojnë rrugë të qarta për të lëvizur në jetën e përditshme, edhe nëse nuk kanë sisteme ideale. Kam vënë re se kjo diskutohet më shpesh në përshkrimet e ndërveprimeve të zakonshme burokratike, si pagesa e taksave ose marrja e një dokumenti.
Midis atyre që janë ende në Serbi dhe atyre që janë larguar, shpjegimi shpesh është i tillë: ka radhë të gjata për pothuajse gjithçka që e ke të nevojshme dhe ka të bëjë me shtetin, rrallë dihet se cilat dokumente do të duhen para se të paraqitesh në një zyrë burokratike, e cila më pas të kërkon të shkosh nga njëra zyrë në tjetrën, duke humbur orë pune, dhe për më tepër, shpesh ka njerëz të tjerë që dalin përpara në krye të radhës, sepse njohin dikë që punon atje, apo ndoshta përmes një lidhjeje politike, çka e bën përvojën e pritjes më të gjatë dhe më zhgënjyese.
Ndërsa burokracitë priren të jenë ndërveprimi ynë kryesor drejtpërdrejt me “shtetin”, këto lloj rrëfimesh shërbejnë si metafora për ndjenjat e padrejtësisë, mungesës së kujdesit nga ana e shtetit ndaj njerëzve të zakonshëm, korrupsionit të institucionalizuar, dhe sensit të përgjithshëm të paparashikueshmërisë së asaj që mund të ndodhë në të ardhmen.
Në të kundërt, të anketuarit e mi në Gjermani i përshkruajnë zyrat burokratike si transparente, edhe për ata që nuk flasin gjermanisht dhe ndihen të respektuar nga shteti. Kam pasur edhe kolegë gjermanë që më kanë thënë se burokracitë gjermane mund të jenë po aq të tmerrshme – mbase ngaqë burokracitë nuk shihen në mënyrë të favorshme në pothuajse asnjë shtet – por çështja nuk është nëse burokracitë gjermane janë apo jo më të lehta për t’u kapërcyer. Fakti që njerëzit e ndiejnë këtë ndryshim dhe e tregojnë si arsye pse nuk duan të kthehen në Serbi, mund të jetë i mjaftueshëm për të mbështetur një emigrim dhe për të konfirmuar dyshimet e atyre që synojnë të emigrojnë në të ashtuquajturat “vende të organizuara”.
Siç vëzhgoi Dana Johnson, emigrimet bashkëkohore nga Serbia janë shumë më të ekspozuara në përvojat reale jashtë vendit sesa në dekadat e kaluara, dhe kështu që këto ndryshime të pritshmërive dhe realitetit nuk janë aq të ashpra sa mund të kenë qenë në të kaluarën.
Sidoqoftë, mendoj se është e rëndësishme të theksohet gjithashtu se ndërsa parashikueshmëria e ofruar nga disa vende të tjera është shumë e mirëpritur nga të anketuarit e mi, ata gjithashtu paralajmërojnë se kjo nuk do të thotë që jeta nuk është e vështirë – ata duhet të përballen me leje vizash, jetën si emigrant dhe i sapoardhur, kosto më të larta jetese dhe rrjete më të vogla mbështetjeje. Mendoj se këtu duhet të na shqetësojë nganjëherë supozimi se parashikueshmëria do të thotë një jetë e lehtë, pasi njerëzit që emigrojnë nuk marrin shumë dhembshuri nga miqtë dhe familja e tyre në Ballkan, për betejat e navigimit në një sistem krejt të ri.