Në shkretëtirë apo në det. Ndoshta do të jenë në mes të një pylli. Apo në një ishull koralor në mes të oqeanit.
Një gjë është e sigurt, qytetet e së ardhmes (smart city) do të jenë të pastra, të qëndrueshme dhe do të furnizohen me energji të ripërtërishme, e vetëmjaftueshme dhe me ndikim zero.
Ky nuk është një film fantashkencor, as diçka utopike në të ardhmen, por, në shumë raste, tashmë është realitet. Janë të shumta projektet, në kantier, për të krijuar qytete ose zona të reja rezidenciale që ndërthurin mjedisin me teknologjitë më të përparuara dhe realizojnë ëndrrën për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm.
Një nga shembujt e parë po lind pranë Abu Dhabi. Bëhet fjalë për Masdar City, qytet me shpirt të gjelbër, ku çdo gjë do të jetë e qëndrueshme, duke filluar nga mjetet elektrike të transportit (duke përfshirë edhe makinat) te riciklimi total i mbeturinave. Masdar City është projektuar nga Institute of Science and Technology, institut për zhvillimin e zgjidhjeve avangardë në fushën e energjisë dhe qëndrueshmërisë.
Mbetemi në Lindjen e Mesme – Lusail është një tjetër qytet i së ardhmes,15 kilometra nga Doha, Katar. Lusail është qyteti i parë tërësisht i qëndrueshëm. I ndarë në 19 zona, ku mund të jetojnë 400 mijë banorë, ai ka dhjetëra kilometra katrorë hapësira të gjelbra, dy porte turistike, më shumë se 20 hotele dhe vende për të pushuar në ishujt përreth.
Një tjetër shembull, në ndërtim e sipër është Neom, në Arabinë Saudite, i cili laget nga ujërat e Detit të Kuq. Ky model i zhvillimit urban synon të shndërrohet në një shembull për t’u kopjuar në të gjithë botën. Neom do të furnizohet nga burime të ripërtërishme, do të jetë i pajisur me një sistem të sigurisë inteligjente, me mjete të transportit të avancuar, me makina dhe autobus me vetëdrejtim. Ai do të jetë më i madh edhe se Nju Jorku.
Zhvendosemi në Azi, në prefekturën e Liuzhou, në rajonin Guangxi Zhuang në jug të Kinës, ku do të gjejmë një ndër shembujt më avangardë në botë – Liuzhou Forest City, projektuar nga “Stefano Boeri Architetti”. Forest City do të shtrihet në 175 hektarë përgjatë lumit Liujiang, i cili do të furnizohet nga energjia e pastër dhe ku do të qarkullojnë automjete elektrike. I konceptuar për 30 mijë banorë, do të jetë një oaz i gjelbër i jashtëzakonshëm, i cili do të luftojë smogun – do të ketë 40 mijë pemë dhe më shumë se një milion bimë të 100 specieve të ndryshme që do të mbulojnë dyqanet, zyrat, shtëpitë, hotelet, spitalet dhe shkollat (duke prodhuar tonë oksigjen)
Për të jetuar në këto parajsa do të duhet të presim edhe pak. Ndërkohë mund të eksperimentohet një ndër projektet e shumta të qëndrueshme, që synon të krijojë oaze të gjelbra në gjithë qytetin. Occitane Tower, i projektuar nga Daniel Libeskind, është një gratacielë 150 metra, me 40 kate, me më shumë se 13 mijë pemë dhe një varietet të jashtëzakonshëm bimësh e lulesh. Brenda do të ketë pak nga të gjitha: zyra, apartamente, një hotel, një qendër tregtare, më shumë se një palestër, një Spa dhe një restorant panoramik mbi qytetin. Ndërtesa me sipërfaqe 27 mijë metra katrorë është moderne, dhe i ngjan një pylli vertikal.
Por projekti më ambicioz është mes pemëve, në Kanada. Quhet Algonquin Park dhe është qyteti i parë i ndërtuar mes pemëve, pa makina, rrugë dhe sinjalistikë, i përbërë nga shumë ishuj rezidencialë me ndikim zero, me shtëpi të vogla, prej druri dhe të qëndrueshme. Algonquin Park, i cili ndodhet mes Torontos e Ottawa, i pagëzuar si ‘Oas 1 s’, është një pyll i vërtetë urban. Me pak fjalë, e ardhmja është e gjelbër.