Në të njëjtën linjë!

03/04/2012 12:09 PM 0 komente

Ashtu siç kishte paralajmëruar, Banka e Shqipërisë lehtësoi për herë të dytë brenda këtij viti politikën e saj monetare,

duke çuar nivelin e REPO-ve (marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes) në nivelin më të ulët historik që është parë ndonjëherë, vetëm 4.25%.

Vendimi i BSH-së erdhi në një moment delikat për ekonominë shqiptare. Të dhënat e muajve të parë të vitit flasin për një tkurrje të eksporteve,

si rrjedhojë e kërkesës së dobët të jashtme; stimujt fiskalë nuk janë më të pranishëm; ritmet e rritjes së të ardhurave tatimore janë më të ulëtat e dekadës; bankat kanë frenuar kredinë; kërkesa e brendshme mbetet e tkurrur.

Reduktimi i kostos së parasë është një nga nxitësit e pakët, që i ka mbetur ekonomisë shqiptare dhe Banka e Shqipërisë duhet përshëndetur për shpejtësinë me të cilën po vepron këtë herë,

ndryshe nga kriza e mëparshme e 2009-s. Shtrëngimi i kushteve të kredidhënies nga bankat dhe stepja e tyre në linjë me politikat e mëmave

(rrjedhojë e të cilave bankat e mëdha me origjinë nga Eurozona pritet të jenë më pasive si në kreditim, ashtu dhe në pjesëmarrje në ankandet e bonove të thesarit)

janë dy faktorë që po e nxisin autoritetit qendror që të jetë më agresiv.

Përmes uljes së REPO-ve, në një mjedis me inflacion afër zeros, autoriteti monetar qendror jep sinjalin që bankat duhet të lehtësojnë interesat e kredive në lekë,

çka do të rriste kërkesën e biznesit për hua për kapital qarkullues e investime, ndërsa individët priten të reagojnë duke kursyer më pak e shpenzuar më shumë.

Këto sjellje, në një afat të shkurtër e të mesëm do të gjallëronte ekonominë. Ndonëse pjesa më e madhe e huasë është në valutë,

politikat e fundit të Bankës së Shqipërisë po i orientojnë bankat drejt lekut, të ndihmuara dhe nga ulja agresive e kostos së normës bazë.

Por çfarë po ndodh konkretisht? Politika lehtësuese intensive e autoritetit monetar gjatë shtatë muajve të fundit (është ulja e pestë e REPO-ve që nga shtatori 2011) nuk është reflektuar ende në treg.

Të dhënat e fundit tregojnë se interesi i kredisë në lekë ka shënuar rritje përgjatë muajve janar-shkurt, në të njëjtën linjë me tendencën e yield-it të bonove të thesarit të qeverisë

(bankat, në caktimin e interesave të kredive në lekë, përgjithësisht marrin për bazë yield-in e bonove të thesarit, shiko grafikun në fq 11).

Financat kohët e fundit po gjenden nën presion për financimin e borxhit të brendshëm (rrjedhojë e tërheqjes së bankave me kapital të huaj),

çka është konstatuar në rritjen e yield-it të bonove të thesarit gjatë tre muajve të parë të këtij viti  (yield-i i bonove 12 mujore arriti në 7.33% në fund të marsit,

nga 6.9% në dhjetor 2011), duke qenë në linjë të kundërt me politikën monetare lehtësuese të ndjekur nga institucioni qendror.

Guvernatori i bankës qendrore ka lënë të nënkuptohet disa herë se veprimet e BSH-së do të ishin të efektshme,

nëse do të shoqëroheshin me “një politikë fiskale të kujdesshme gjatë vitit 2012 dhe reduktimin e pritur të kontributit të shpenzimeve publike në rritjen ekonomike”.

Një sjellje e tillë duket se ka filluar në muajt e parë të këtj viti, ku të dhënat fiskale të janar-shkurtit tregojnë për një frenim të shpenzimeve dhe reduktim të borxhit,

por ekonomia shqiptare duket se po vuan efektet e nivelit të lartë të borxhit prej rreth 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, më i madhi në rajon, të cilin qeveria gjithsesi është angazhuar që ta ulë në vitet në vijim.

Në këtë situatë, një harmonizim më i mirë i politikave monetare me ato fiskale mbetet një kusht i domosdoshëm, që të nxitet ekonomia vendase.

Banka e Shqipërisë i ka ndezur motorët e vet, i takon qeverisë që të orientojë timonin e saj në të njëjtën rrugë…

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of