Në thembrën e Italisë

21/03/2020 10:00 PM 0 komente

Për Ilvën, uzinën më të madhe të çelikut në Europë ka një plan shpëtimi në horizont

 

Doktoreshë Grazia Parisi, një kirurge pediatrike, ka punuar për katër orë pa pushim. “Kam vizituar midis 30 dhe 35 fëmijë – të gjithë me kollë”, thotë ajo. Është e hënë. Javën e kaluar, nga e mërkura deri në mesditën e së premtes, qyteti Taranto në jug të Italisë, kishte kaluar një sërë “ditësh me erë”, siç i quajnë ato vendasit. Kjo ndodh kur era fryn nga veri-perëndimi, duke kaluar nëpër uzinën më të madhe të çelikut në Evropë, drejt e në qytet, shkruan The Economist.

“Ekziston një lidhje matematikore midis ditëve me erë dhe numrit të sëmundjeve të frymëmarrjes që trajtoj unë”, thotë doktoreshë Parisi. Sa më afër që banojnë pacientët e saj me punishten e çelikut, aq më të forta janë simptomat e tyre. Disa prej pacientëve kishin kaluar një pjesë të fundjavës në spitalin lokal dhe madje disa ishin shtruar në gjendje të rëndë, aq serioze ishin sëmundjet e tyre.

Gjendja ka qenë edhe më e keqe para se pronarët e rinj të fabrikës ndërkombëtare “ArcelorMittal”, të mbulonin rezervat e saj gjigante të qymyrit dhe hekurit. Por sipas Luciano Manna, një aktivisti mjedisor, era ende mbledh shumë pluhur mineralesh nga mbeturinat e fabrikës. E njohur zakonisht si “ish-ILVA”, duke iu referuar pronarëve të saj të mëparshëm, punishtja është sa madhësia e një qyteti të vogël ose një periferie të madhe. Ajo mbulon 15 kilometra katrorë (gjashtë milje katrorë).

Qeveria italiane ka caktuar si afat 28 shkurtin për një marrëveshje me “ArcelorMittal”, me synimin për të vendosur fatin e uzinës, një nga pikat më të këqija mjedisore të Evropës. Kompania e dha me qira vendin në vitin 2018, në bazë të një marrëveshjeje sipas së cilës mori përsipër pastrimin e uzinës dhe fitoi imunitet (nga komisionerët e qeverisë që administronin atëherë vendin) nga ndjekja penale për krim mjedisor.

Por nëntorin e kaluar, “ArcelorMittal” u tërhoq nga marrëveshja, pasi Lëvizja Pesë Yjet (M5S), e cila ka hyrë në një koalicion qeverisës me Partinë Demokratike të qendrës së majtë (PD), arriti të hiqte imunitetin. Kritikët e kompanisë argumentojnë se ajo nuk ka arritur të investojë sa duhet në pastrim, një akuzë që kompania e hedh poshtë. Dr. Parisi kërkon që punimet e çelikut të mbyllen. Ajo nuk është e vetmja: zotimi i M5S-së për ta mbyllur uzinën e ndihmoi atë që të fitonte 48% të votave në Taranto në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, në vitin 2018.

Nga njëra anë e Piazza Gesù Divin Lavoratore të Tarantos, muret midis dyqaneve dhe bareve janë të veshura me një gur me sipërfaqe të ashpër, e cila kap pluhurat që mund të ketë në ajër. Po të kaloni gishtin nëpër gur, do t’ju marrë ngjyrë të kuqe. “Oksid hekuri”, thotë Ignazio D’Andria, pronari i Mini Barit. “Kjo është arsyeja pse të gjitha blloqet e apartamenteve këtu janë lyer me të kuqe ose rozë apo ndonjë ngjyrë tjetër të errët – që të mos duket pluhuri mineral”. Bari i tij ndodhet në Tamburi, një vend i ndërtuar për përpunuesit e çelikut dhe familjet e tyre, që fillon pothuajse në perimetrin e kompleksit gjigant. Tamburia vuan ndotjen më të madhe, por banorët e zonës thonë se pluhuri mineral kalon edhe në qendër të Tarantos, kur fryn era nga qyteti në drejtim të detit.

Sipas një tregtari floriri që e ka dyqanin ngjitur me Mini Barin, gjashtë prej fëmijëve nga shtëpitë në zonë vuajnë nga vështirësitë në të mësuar. Kjo përputhet me një studim të botuar në vitin 2016, i cili zbuloi se mesataret e fëmijëve nga Tamburia ishin mesatarisht 13 pikë më të ulëta se ato të fëmijëve që jetonin 15 km larg. Por kërcënimet që paraqet “ish-ILVA” nuk lidhen vetëm me shëndetin dhe mjedisin.

 

Edhe punët

“Është një bombë sociale”, thotë Giuseppe Romano, sekretari lokal i federatës së sindikatave të majta CGIL-FIOM. Uzina punëson më shumë se 8 000 njerëz, 4 000 të tjerë punojnë për furnizuesit e saj. Nëse “ish-ILVA” do të mbyllej, mijëra punë të tjera do të humbnin pasi do të tkurreshin edhe fitimet e bareve, dyqaneve dhe bizneseve të tjera. Dhe kjo në një provincë ku një në gjashtë punëtorë është i papunë. Taranto dhe krahina në të cilën ajo bën pjesë, formojnë një pjesë të Pulias, që ndodhet në “thembrën” e “çizmes” italiane, një rajon që vitet e fundit ka pasur një fat të përzier.

Nga njëra anë, ka shijuar një bum turizmi, por në të njëjtën kohë, është goditur nga një sëmundje e quajtur Xylella fastidiosa, e shkaktuar nga insektet, e cila është përhapur nëpër ullishtat e zonës. Në kërkim të burimeve të të ardhurave dhe punësimit për të zëvendësuar uzinën e çelikut në rast se do të mbyllet, autoritetet lokale kanë sponsorizuar planet për themelimin e një universiteti në Taranto, për më shumë ndërtime anijesh dhe për një akuarium.

Është diskutuar për nxitjen e ardhjes së më shumë kroçierave në portin e bollshëm të zonës. Dhe në janar, Taranto u bë qyteti i parë në Itali që ofroi shtëpi për shitje për vetëm 1 euro, me kusht që blerësit t’i rinovojnë dhe të jetojnë në to. Plani synon të ringjallë qytetin e vjetër por të rrënuar historik, në një ishull midis një lagune dhe Mesdheut.

Zoti Romano shpreson që, megjithatë, mund të gjendet një mënyrë “për të prodhuar çelik pa vrarë njerëz”. Pyetja është se sa. Sipas përllogaritjeve të tij, për të prodhuar një milion ton çelik, janë të nevojshëm një mijë punëtorë. Tregu në Evropë është i ngrirë. Vitin e kaluar, uzinat e çelikut prodhuan vetëm 4.3 milionë ton kundrejt një kapaciteti prej 9-10 milionë dhe një objektivi qeverie prej 8 milionë.

Thuhet se negociatorët janë drejt arritjes së një marrëveshjeje sipas së cilës, “ArcelorMittal” do të vazhdojë punimet, ndoshta në partneritet me qeverinë, me kusht që një nga furrat ekzistuese të rinovohet dhe të ndërtohet një e re elektrike. Një marrëveshje e tillë do të përfaqësonte një humbje për Lëvizjen Pesë Yjet, një parti e mbërthyer tashmë nga përçarje të brendshme të hidhura që kanë çuar në përmbysjen e popullaritetit të saj që nga viti 2018. Por kjo do të zvogëlonte ndotjen, megjithëse nuk do ta eliminonte atë. Dhe do të shpëtonte mijëra vende pune. Megjithatë, është e qartë se, nëse fabrika do të funksionojë me fitim dhe pa u bërë një barrë e pafund në burimet e tatimpaguesve të lodhur italianë, me mijëra punë të tjera duhet të eliminohen.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of