Bashkia e Tiranës ka vendosur në fillim të këtij viti si agjent për mbledhjen e taksës së pasurisë së paluajtshme, Ndërmarrjen e Ujësjellës- Kanalizimeve në Tiranë. Brenda katër muajve, të gjithë qytetarët duhet të shkojnë të bëjnë vetëdeklarimin e sipërfaqeve që kanë në pronësi apo përdorim, informacion që më pas do të verifikohet nga Ujësjellësi.
Bashkia ka caktuar shoqërinë aksionere Ujësjellës-Kanalizime në Tiranë, në rolin e agjentit të mbledhjes së taksës së pasurisë së paluajtshme “ndërtesa”, që përdoret apo shfrytëzohet për qëllime banimi në Bashkinë e Tiranës.
Sipas vendimit, Shoqëria Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, për efekt të përcaktimit të bazës së taksës për ndërtesën, njofton të gjithë taksapaguesit që brenda një afati 4-mujor duhet të paraqiten pranë zyrave të kësaj shoqërie për të kryer vetëdeklarimin mbi të dhënat e pasurisë së paluajtshme që ka në pronësi apo në përdorim.
Me kalimin e këtij afatit të përcaktuar në pikën 2 të këtij vendimi, shoqëria Ujësjellës-Kanalizime në Tiranë sh.a. fillon procesin e përpunimit të informacionit të vetëdeklarimit të taksapaguesit për qëllim të zbatimit të akteve ligjore dhe nënligjore mbi taksën e pasurisë së paluajtshme. Informacioni duhet të përpunohet brenda një periudhe kohore jo më të gjatë se 3 muaj.
Në bazë të vendimit, shoqëria Ujësjellës-Kanalizime Tiranë sh.a. merr masat për krijimin e bazës së të dhënave për pasuritë e paluajtshme që përdoren/shfrytëzohen për qëllime banimi, duke përdorur dhe duke siguruar të gjithë informacionin nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ALUIZNI, si dhe çdo entitet tjetër shtetëror apo privat.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.