Punonjësit në vendin tonë paguhen mesatarisht për 176 orë punë në muaj ose 8 orë punë në ditë, por disa sektorë paguhen për më shumë orë, ndërsa të tjerë për më pak.
Sipas të dhënave që dolën nga një anketë e posaçme e INSTAT për këtë qëllim, sektori i tregtisë, riparimi i automjeteve harxhojnë më shumë kohë në punë për të cilën edhe paguhen. Punonjësit në këto sektorë punojnë 181 orë në muaj ose 8 orë e 30 minuta në ditë.
Në të kundërt, punonjësit e arsimit, administratës, pasurive të paluajtshme dhe shëndetësie harxhojnë më pak kohë në punë.
Arsimtarët punojnë 160 orë në muaj ose 7 ore e 27 minuta në ditë. Punonjësit e administratës punojnë 171 orë në muaj ose 7 orë 77 minuta në ditë dhe ato të shëndetësisë paguhen për 174 orë në muaj ose për 7 orë 86 minuta në ditë.
Sektorët e tregtisë, akomodimit dhe fabrikat e përpunimit kërkojnë një angazhim më të lartë në punë, pavarësisht se japin shpesh pagat më të ulëta. Në aktivitetin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor, të ardhurat nga puna janë më të ulëtat në rang ekonomie me rreth 187 lekë për orë. Në këtë aktivitet diferenca midis të ardhurave për punë midis femrave dhe meshkujve është shumë e ngushtë, të ardhurat mesatare për orë pune për meshkujt janë rreth 186 lekë dhe për femrat rreth 189 lekë.
Të ardhurat nga puna sipas profesioneve të të punësuarve me pagë, janë më të larta në pozicionin e menaxhereve me rreth 568 lekë për orë pune. Femrat në këtë profesion kanë të ardhura nga puna më të larta se meshkujt, të ardhurat mesatare për orë pune për femrat janë rreth 581 lekë dhe për meshkujt rreth 562 lekë.
Për të punësuarit me pagë në profesionin e punëtorëve, të ardhurat nga puna janë më të ulëtat në rang ekonomie, me rreth 161 lekë për orë. Meshkujt në këtë profesion kanë të ardhura nga puna më të larta se femrat, të ardhurat mesatare për orë pune për meshkujt janë rreth 187 lekë dhe për femrat rreth 144 lekë.
Hendeku gjinor mbi të ardhurat mesatare për orë pune është më i lartë për të punësuarit me pagë në profesionin e punonjësve të montimit dhe përdorimit të makinerive dhe pajisjeve me rreth 30,4 %. Për këta të punësuar, hendeku gjinor i të ardhurave mesatare orare është më i lartë në aktivitetin e industrisë nxjerrëse me rreth 43,0 % dhe më i ulët në aktivitetin e arsimit, me -25,7 %.
Hendeku gjinor mbi të ardhurat mesatare për orë pune është më i ulët për të punësuarit me pagë në profesionin e menaxherëve, me rreth -3,4 %. Për këta të punësuar hendeku gjinor i të ardhurave mesatare orare është më i lartë në aktivitetet e pasurive të paluajtshme, me rreth 55,1 % dhe më i ulët në aktivitetin e Industrisë nxjerrëse, me rreth -47,1 %./B.Hoxha
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.